Tri reklama dhe një Kosovë

«Sigurohuni që nuk keni kancer! Ejani në spitalin tonë», «Bashkëatdhetarë, mirëseerdhët në vendlindje», «Pajisuni me një diplomë në universitetin tonë»: Një rrëfim për Kosovën në tri reklama gjigante.



Gjithçka mund të konsiderohet si konstrukt social. Një marrëdhënie, një ngjarje historike, një premisë identitare apo edhe vetë ekzistenca e një shteti. Kur definojmë diçka, ne japim kuptimin e asaj që dëshirojmë të shohim, asaj që do të dëshironim të ishim, asaj që kemi dëshirë ta fshijmë nga kujtesa. Prandaj, ajo që «është», vetë ekzistenca e diçkaje, është gjithçka përpos një e vërtetë arbitrare. Jacques Derrida na rikujton se nuk ka asgjë përtej kontekstit, pra përtej asaj që ndërtohet në një ligjërim të caktuar.

Ky diskutim mu duk i nevojshëm kur vërejta përqafimin delirant që disa politikanë të njërës parti në pushtet dhe pjesëtarë të caktuar të shoqërisë civile po i bënin një reportazhi për Kosovën të dhënë në një rrjet televiziv ndërkombëtar. Reportazhi në fjalë ofron një pasqyrë të përgjithshme të zhvillimeve ekonomike e shoqërore në Kosovë duke i vënë në dritë pozitive tri zhvillime. Së pari, duke na çuar nëpër kafenetë më në zë të Prishtinës, së dyti, një vizitë të shkurtër në Universitetin e Prishtinës (ndoshta për t’i treguar audiencës që shqiptarët e Kosovës shkuakan në universitet dhe e paskan një të tillë), për të vazhduar së treti në lagjet e izoluara ku jeton elita ekonomike kosovare. Reportazhi gati sa nuk ndërton një ëndërr kosovare: shqiptarë të ardhur nga jashtë që kanë hapur restorante dhe kafene luksoze, një popullsi ku flitet një anglishte e përsosur edhe nga shitësit ambulant, bashkë me veturat e shtrenjta të parkuara nëpër lagje të stilit amerikan.

Meqenëse ligjërimi politik i partive politike në pushtet dhe ai popullor mbetet i preokupuar me «imazhin» në vetvete, një reportazh i tillë i shëron komplekset dhe frikën e kudondodhur rreth asaj se «si dukemi» dhe «si na shohin të huajt».

Të kuptohemi, imazhi dhe përmbajtja nuk janë të ndara me thikë, ashtu siç besohet në këto ligjërime publike. Në fakt, të dyja janë të ndërlidhura, duke marrë dhe dhënë nga njëra-tjetra. Edhe nëse në dukje të parë «përmbajtja» ka përparësinë e përhershme ndaj «imazhit», asnjëra në vetvete nuk e ka monopolin e të vërtetës. Filozofi Jean Baudrillard në esenë e tij për televizionin tregon se nëpërmjet përsëritjes dhe devalvimit, imazhet dhe shenjat janë bërë më të «vërteta» se vetë «realiteti». Por dua të besoj në «realitetin» e reportazhit dhe marrë rrugë për në Kosovë. Mos gjërat kanë ndryshuar deri në atë farë feje e po e humb këtë mundësi për «ëndrrën kosovare».
Zbres në aeroportin e Prishtinës. Pasaportën ma vulos një polic kufitar i gjinisë mashkullore. Rrallë ndodhë që ndonjëri prej këtyre policëve të dijë të thotë ndonjë fjali në anglisht. Me të kaluar kontrollin para hollit të madh më pret një reklamë gjigante që thotë: «Sigurohuni që nuk keni kancer! Ejani në spitalin tonë», spital privat sigurisht. Më poshtë shkruhet që pagesa për kontroll mund të bëhet me këste nëpërmjet filan banke.

Keni aterruar në Kosovë, kancerin e keni ngado. Ngado i keni edhe spitalet private. Medikalizimi dhe komodifikimi që i është bërë shëndetit dhe vetë jetës, është për t’u pasur lakmi edhe nga sistemet më të egra kapitaliste. Sigurisht, një zgjidhje e tillë është e përballueshme për banorët e lagjeve të izoluara. Pjesa tjetër, pjesa joelitare, e cila kap shifrat e papunësisë mbi 40 për qind, gjendet disi. Ky popull qëndrestar dhe heroik po dëshmon edhe njëherë se mund të mbijetojë edhe pa sigurim shëndetësor e pa garanci nëpër spitalet publike.

Dhe derisa nuk arrij të largoj shikimin nga reklama disametërshe, kujtohem se përpos jetës njerëzore, kjo reklamë tregon për një shtet politik të sëmurë nga kanceri. Një shtet që mbijeton përmes «kësteve bankare», donacioneve ndërkombëtare dhe remitencave të diasporës. Si për ironi, ngjitur me reklamën për kancer, është një reklamë po aq gjigante që thotë «Bashkëatdhetarë, mirëseerdhët në vendlindje». Pa remitencat tuaja zemërgjera, familjarët tuaj në Kosovë kurrë nuk do të mund të trajtoheshin nëpër spitalet tona, as me kredi as me këste.

Vazhdoj eci në një distancë prej pesëdhjetë metrash deri në hollin e pritjeve ku më verbon një reklamë tjetër gjigande «Pajisuni me një diplomë në universitetin tonë», universitet privat sigurisht. Edhe këtu nuk mungon rikujtimi se pagesa mund të bëhet nëpërmjet kësteve në filan bankën tjetër. Tre studentë të qeshur duke hedhur kapelat e diplomimit në poster tregojnë më së miri gjendjen e lumturisë totale të rinisë së një vendi me kancer – merr një diplomë! Të tjerat janë detaje. Edhe kur «të tjerat» janë aftësitë bazë për të ushtruar një profesion të caktuar. Një studim i sapobotuar nga Universiteti i Vjenës e nxjerr universitetin publik të Kosovës hapësirë nepotizmi politik dhe sistemin e arsimit të lartë tërësisht të palidhur me tregun e punës. Me fjalë të tjera, universiteti, ashtu si sektorët tjerë publikë është arenë për të akomoduar interesa partiake e farefisnore. Nëse shikoni në websitet e fakulteteve përkatëse të universitetit publik, ju del se pjesa dërmuese e profesorëve me kohë të plotë as nuk i afrohen pesë publikimeve shkencore në revista shkencore ndërkombëtare me tregues të ndikueshmërisë (anglisht: impact factor), minimum i parashikuar nga vetë universiteti publik. Për më tepër, kuadrot universitare që dalin nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë nuk i shërbejnë ekonomisë së vendit.

Por dua të besoj të kundërtën! Ku qëndron problemi nëse kompani private reklamojnë kaq ashpër nëpër aeroport. Në fund të fundit, kanë paguar për hapësirë reklamuese. Por duke qenë se nuk rri dot pa menduar me mendje të shëndoshë, më rezulton që nëpërmjet këtyre reklamave gjigante, e kam kuptuar problematikën dhe krizën e shtetit në pak se njëqind metra ecje në aeroport. Në dy reklama plot ngjyra, nxjerrin kokën dy sektorët me kancer të cilat në vend se të rregulloheshin me politika sociale dhe arsimore janë shitur e kontraktuar në kaosin e «tregut të lirë» të një vendi jofunksional.

Nisem në drejtim të Prishtinës për të lënë prapa krahëve shijen e hidhur të reklamave. Kërkoj diçka për të balancuar situatën. Ndoshta një nga këto kafenetë ku rri këmbëkryq krenaria prishtinase. E megjithatë gjatë rrugës billbordë dhe reklama të tjera ma prishin qetësinë. Ata të vardisen me fuqi të jashtëzakonshme komunikimi. Billbordët dhe reklamat bëhen gati-gati pjesë natyrale e habitatit tonë urban. Janë aty, siç janë edhe objektet e kultit fetar apo semaforët. Çfarë thonë ata rrugës deri te kafeneja e shumëpritur?

E shëruat kancerin? I mbaruat këstet? Morët kredi tjetër për të mbaruar universitetin? Bukur! Tani ejani zvogëloni ndonjë hundë, rregulloni veshët edhe ndonjë organ tjetër që rritë ndikimin tuaj në një shoqëri të konsumit. Edhe këtu bëni pagesë me këste nëpërmjet një filan banke tjetër. Të gjitha janë në shitje. Organet tuaja, shërimi i kancerit tuaj, vetë lumturia juaj. Gjithçka mund të blihet nëpërmjet bankës – shëndeti, bukuria, diploma dhe jeta. Një përmbyllje kuptimplote billbordesh për t’i dhënë kuptim vobektësisë mendore e shpirtërore.

Në fund e pi një gotë në këtë kafenenë e famshme dhe mendja më shkon edhe për peshk të mirë në njërën nga këto lagjet e izoluara. Në të dyja këto vende është ajo Kosova e dokumentarit. Por për ta parë atë, të duhet me doemos të kalosh nëpër aeroport, të bësh sikur nuk sheh e nuk dëgjon rrugës!