Tri monografi – dokumente të krimeve të luftës në Kosovë

Prishtinë, 5 nëntor – Tri botime të monografive të krimeve të luftës në Kosovë faktojnë dhe dokumentojnë për një pjesë të agresionit të forcave serbe tek shqiptarët e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.




«Vrasjet në Kosovë 1998-1999», «Personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998-1999» dhe «Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998-1999» janë monografitë e promovuara të mërkurën në Prishtinë nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, që është formuar në vitin 2011 në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Botimet janë cilësuar si pjesë e një projekti të madh që ka Instituti për të mbledhur fakte që dokumentojnë krimet e forcave serbe në Kosovë. Drejtori i Institutit, Ismet Salihu, i cili bashkë me akademikun e ndjerë Pajazit Nushi është autor i monografisë «Personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998-1999», ka thënë se krimet e kryera gjatë luftës janë të shumta dhe makabre. Sipas tij rreth 12 mijë fëmijë, burra e gra janë vrarë përderisa janë deportuar rreth një milion shqiptarë.

«Për këto krime kundër njerëzimit dhe qëllimet gjenocidale të forcave serbe flasin edhe masakra e Mejës, e Likoshanit, Çikatovës, Krushës së Madhe e shumë tjera. Format e krimeve makabre janë vrasja e shqiptarëve dhe hedhja e tyre në puse, liqene e lumenj», ka thënë profesori universitar Salihu. Sipas bashkautorit të librit ku renditen 1 mijë e 229 persona të zhdukur, faktet flasin bindshëm për qasje gjenocidale të Serbisë në Kosovë. Për këtë ka marrë shembull varrezat masive.

«Numri i varrezave të tilla është i madh. Në Kosovë janë zbuluar 137 varreza masive, ku në një varrezë të tillë janë gjetur prej 5 deri në 158 kufoma. Të gjitha këto krime flasin qartë për krimin e organizuar e të planifikuar të strukturave të forcave ushtarake e policore serbe», ka thënë Salihu. Sipas tij, hulumtimi i këtyre krimeve kërkon kohë dhe duhet të punohet në këtë drejtim në vitet e ardhshme.

Krahas punës intensive në hulumtimin dhe botimin e këtyre monografive, Instituti është duke mbledhur edhe shumë të dhëna për krimet e kryera. Instituti ka edhe bibliotekën e vet. Autori i monografisë «Vrasjet në Kosovë 1998-1999», Ilir Ulaj, ka thënë se publikimi i këtij libri, që është vëllimi i parë, përfshin 300 raste të personave të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

«Qëllimi i këtij botimi është të paraqiten personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Studimi është rezultat i hulumtimit disavjeçar për viktimat që janë vrarë», ka thënë Ulaj. Sipas tij, ky vëllim është vetëm një pjesë e projektit ku do të përfshihen të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se në monografi përshkruhen edhe format dhe mjetet me të cilat janë kryer vrasjet si dhe mosha, gjinia dhe rrethanat në të cilat janë vrarë viktimat. Historiani i artit, Fejaz Drançolli, që është autor i monografisë «Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998-1999», ka thënë se krijimtaria e periudhës osmane e stilit islam-shqiptar ishte në shënjestër të politikës milosheviqiane. Sipas tij kjo politikë në më pak se tre muaj prill-qershor 1999 shkatërroi vepra me rëndësi e vlerë të një kulture afro pesë shekullore.

«U dogjën e u rrafshuan një numër i madh i monumenteve fetare islame, civile, publike e individuale shqiptare», ka thënë Drançolli. Sipas tij krejt këto janë bërë pavarësisht se ish-Jugosllavia ku bënte pjesë edhe Serbia, kishte nënshkruar Konventën e Hagës të vitit 1954 për mbrojtje të trashëgimisë kulturore gjatë luftës. Profesori ka përmendur edhe rreth 1.500 eksponatet arkeologjike e etnologjike që janë marrë nga forcat serbe në Muzeun e Kosovës, si dhe dokumentacionin e monumenteve të ish-Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve.

«Në këtë monografi kemi paraqitur vetëm 100 monumente të shkatërruara, ndërsa në Kosovë janë shkatërruar 2.700 objekte me vlera të trashëgimisë kulturore sipas shënimeve të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve», ka thënë Drançolli. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se si shtet duhet pasur kujdes në trajtimin e krimeve të luftës.

Kujdesi duhet të jetë në disa segmente. E para, për sqarimin e një pjese të historisë sonë. Historia jonë e re ndoshta më e dhimbshmja ka nevojë që të ketë një sqarim profesional. E vërteta nuk është lehtë të gjendet. Besoj që puna më e madhe e këtij instituti është që të gjejë dhe ta vërtetojë atë», ka thënë Kuçi. Kosova nuk ka arsye t’i frikësohet së vërtetës. Sipas tij botimi i monografive pos atij historik ka edhe karakter shkencor.

«Por në veçanti do të jetë dokument i duhur në kohën kur përgatiten struktura legale që Kosova të padisë Republikën e Serbisë për akte të gjenocidit të luftës dhe akte tjera që ka bërë ndaj popullatës civile në Kosovë», ka thënë Kuçi.