Tri deklarata të Ibrahim Rugovës kundër ndarjes së Kosovës: «E papranueshme», «këtë lojë nuk e luajmë», «kufijtë janë të pandryshueshëm»

Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në tri intervista dhënë gazetave gjermane (më 1992, 1998 dhe 2000) është deklaruar kundër ndarjes së Kosovës. Dëshmi nga libri «Veç pavarësi, asgjë më pak. Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon – 1989 – 2006», botimet KOHA, Prishtinë.




SPIEGEL: Në qarqet intelektuale serbe po mendohet për propozimin për ndarjen e Kosovës mes serbëve dhe shqiptarëve.

Rugova: Edhe në rast të tillë sërish një milion shqiptarë do të jetonin jashtë vendit amë. Përveç kësaj serbët me këtë «ndarje» kërkojnë jo vetëm Prishtinën, por edhe ato territore, të cilat janë të pasura me pasuri nëntokësore. Neve do të na mbesnin territoret pa vlerë. Këtë lojë nuk e luajmë. I pranueshëm do të ishte një protektorat kalimtar i OKB-së. Është çmenduri që këtu pakica serbe me tetë për qind t’i mbajë me dhunë nën kontroll dy milionë shqiptarë.
(Botuar në «Der Spiegel», më 8 qershor 1992)

«Taz»: Opozita serbe ka propozuar ndarjen e Kosovës.

Ibrahim Rugova: Kjo është e papranueshme. Ata i duan territoret e pasura me minerale, janë të interesuar për minierat më të mëdha të bakrit në Evropë, për 15 miliardë tonelata qymyr, naftë, e cila supozohet këtu. Pasi që nuk ka asnjë pjesë të banuar me shumicë serbe, ky propozim domethënë dëbime dhe spastrime etnike. Kroatët dhe boshnjakët që jetonin këtu tashmë janë larguar.
(Botuar në «Tageszeitung», më 26 janar 1998)

SPIEGEL: A mund ta merrni me mend se bashkësia ndërkombëtare mund t’i ofrojë Beogradit ndarjen e Kosovës si alternativë – veriu serb, jugu shqiptar?

Rugova: E pamundshme. Kufijtë e Kosovës janë të pandryshueshëm. Serbët e Kosovës duhet të integrohen në institucionet e vendit tonë. Pastaj ata do të jenë të barabartë në të gjitha fushat – në aspektin politik, ekonomik, social. Ata do të jetojnë më mirë se ne në të kaluarën. Kemi pasur përvoja të hidhura me autonomi vetëm kulturore.
(Botuar në «Der Spiegel», më 11 dhjetor 2000)