Tri arsye pse Ballkani perëndimor është në krizë

Pse demokracia nuk ia doli të nxiste garë të mirëfilltë politike në Ballkan? Çfarë të bëhet me Rusinë? A mund të ndërmjetësojë BE-ja në rajon? Çka e pret Ballkanin perëndimor? Një analizë nga Ingrid Bego.

Foto: Shutterstock



Nacionalistë të maskuar vërshuan dhunshëm më 27 prill parlamentin e Maqedonisë, duke lënduar edhe liderin e Partisë Socialdemokrate, Zoran Zaev, në mesin e shumë deputetëve të tjerë të lënduar. Nuk ishte incident i izoluar në Ballkanin perëndimor, rajon që përbëhet prej Shqipërisë dhe ish-republikave jugosllave të Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Njëzetepesë vite pas rënies së komunizmit, shtetet e Ballkanit perëndimor janë shndërruar në gjysmëdemokraci, dhe rajoni po përballet me tensione nacionaliste, fetare dhe etnike. Ja cilat janë arsyet kryesore që mund ta shpjegojnë krizën politike në këto shtete:

Pse demokracia nuk ia doli të nxiste garë të mirëfilltë politike në Ballkan?

Partisë opozitare të qendrës së djathtë që erdhën në pushtet pas rënies së komunizmit në fillim të viteve nëntëdhjetë e kanë dominuar jetën politike – së pari partitë nacionaliste në ish-republikat jugosllave, por më vonë si avokatë të vlerave pro-perëndimore, përfshirë edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare. Ish-partitë komuniste e shndërruan vetveten në parti kryesore majtiste duke u lidhur fort me ideologjinë socialiste dhe duke u ndryshuar kursin në drejtim të reformave ekonomike populiste. Si rezultat i kësaj, partitë e së djathtës morën flamurin e çështjeve që i popullarizuan me diskurs zgjedhor majtist dhe përkrahën normat popullore të demokracisë liberale. Kjo nënkuptonte se majtistët ishin kurthuar disi në përpjekjet e tyre për t’u rishfaqur si alternativë e besueshme duke ndjekur kursin e partive të qendrës së djathtë.

Siç e kam shpjeguar edhe në hulumtimin tim, ta zëmë, partitë e qendrës së djathtë madje provuan të merrnin në dorë edhe çështje që tradicionalisht ishin majtiste, si barazia gjinore, në orvajtjet e tyre për t’ua dëshmuar qytetarëve dhe botës se po përkrahnin vlerat perëndimore. Në Shqipëri e Mal të Zi, ku e majta ka vazhduar ta ruajë popullaritetin, partitë përballeshin me kërcënime të brendshme dhe me fragmentime, duke u detyruar të ndjekinin politika populiste vetëm e vetëm që të mbijetonin si forca politike legjitime.
Dhe ku e çonte e gjithë kjo rajonin? Mungesa e garës së shëndetshme politike në shumicën prej këtyre shteteve ka shpënë drejt regjimeve me një parti dhe me një lider të vetëm, shpesh të zhytura në politika klienteliste, ku mbështetja politike është e kushtëzuar me shkëmbime të të mirave dhe shërbimeve. Këto regjime nuk janë të gatshme të dorëzojnë pushtetin dhe me kalimin e kohës kanë përshtatur reforma ekonomike dhe politike të domosdoshme për të garantuar anëtarësimin në Bashkimin Europian. Çfarë dukej si zotim i fuqishëm për Bashkimin Europian, më fort është shndërruar në shërbim të cekët ndaj qytetarëve se fuqizim i institucioneve përfaqësuese dhe të ndarjes së pushtetit.
Partitë dominuese të qendrës së djathtë, në përpjekje për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, po vënë në dyshim dobitë e anëtarësimit në BE dhe, me opozitë të dobët, demokracia në këto vende po vihet përsëri në rrezik.

Çfarë të bëhet me Rusinë?

Përzierja ruse në shtetet me shumicë sllave viteve të fundit ka ndërlikuar edhe më shumë spektrin politik. Në tetor 2016, u neutralizua një komplot i organizuar prej grupit të «nacionalistëve rusë» për ta vrarë kryeministrin malazez. Në mars 2017, Rusia akuzoi Shqipërinë, aleate e NATO-s dhe BE-së se po mundohet ta instalojë një qeveri pro-shqiptare në Maqedoni, njëherësh nuk hiqte dorë prej mbëshetjes së liderëve nacionalistë pro-rusë në Ballkan. Investimet e majme ruse u dyfishuan me përphapjen e teorive të konspiracionit, dhe propaganda anti-perëndimore dhe anti-BE e shndërron rajonin në fushëbetejë për ndikimin politik nga Lindja.

A mund të ndërmjetësojë BE-ja në rajon?

Bashkimi Europian megjithëse po has në telashe për të siguruar shtigje që ua mbushin mendjen shteteve të Ballkanit perëndimor se s’kanë pse e vënë në dyshim anëtarësimin në të ardhmen në këtë bllok, ofron mundësi legjitime për rajon më prosperues, por mbi të gjitha dhe më e rëndësishmja, për rajon paqësor.

Për jetësimin e kërkesave të anëtarësimit, shtetet e Europës Lindore që aspirojnë BE-në, duhet të përmbushin kriterin e Kopenhagës – që nënkupton se duhet të sigurohet sundimi i ligjit, qëndrueshmëria ekonomike dhe kapacitetet shtetërore për zbatimin e ligjeve të domosdoshme. Kjo politikë e kushtëzimit vjen me një shumë goxha të mirë të financimit, mundësive të investimeve dhe përfundon me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Çështja që mbetet pa përgjigje për shtetet e Ballkanit perëndimor është nëse kushtëzimi është shtytje e mjaftueshme për kapërcimin e kostove të anëtarësmit në BE. Rasti i Kroacisë, që u bë shteti i njëzetetetë anëtar i BE-së më 2013, është në njëfarë forme inkurajues. Sidoqoftë, pjesa tjetër e rajonit nuk po shënon përparim të mjaftueshëm drejt anëtarësimit. Ta zëmë, pavarësisht presionit nga aktorët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në, Shqipëria nuk ia ka dalë të zbatojë reformat në drejtësi për krijimin e procesit të vetingut të kredencialeve dhe kualifikimeve të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, dhe që të sigurojë pavarësinë e drejtësisë.

BE-ja përballet me një dilemë. Nëse kërkon ndryshime afatgjate dhe të plotkuptimshme në këmbim të anëtarësimit, Rusia mund të përfitojë prej hapjes dhe të shtyjë përpara agjendën ekspansioniste europiane duke ofruar nisma nacionaliste dhe vizion alternativ për shtetet e Ballkanit perëndimor. Nëse BE-ja e përshpejton procesin e bisedimeve të anëtarësimit, do të mund të siguronte stabilitet afatshkurtër në rajon, por me mundësi të minimit të reformave demokratike, duke nxitur ndjenja anti-BE në shtetet, ku qytetarët ende nuk i kanë vjelë të mirat e demokracisë.

Protestat e fundit në Serbi kanë demonstruar këtë problen potencial. Zgjedhja e kryeministrit Aleksandar Vuçiq president nxiti protesta anti-korrupsion anembanë Serbisë. Vuçiq është i njohur jashtë vendit për qëndrimin pro-BE. Por shumë serbë kanë mbetur të pakënaqur prej fitores së tij dhe e akuzojnë për kurdisje të zgjedhjeve dhe korrupsion.

Çka e pret Ballkanin perëndimor?

Ringjallja e nacionalizmit në rajon, dyfishuar me interesimin e demonstruar të Rusisë për mbrojtjen e dominimit të saj në zonën sllave, përbën sfidë urgjente për BE-në.
Duke nxjerrë leksione prej anëtarësimeve të fundit, Komisioni Europian ka vendosur ta bëjë prioritet sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi në procesin integrues, duke vënë themelet për të gjitha reformat e tjera të nevojshme. Sidoqoftë, siç e kanë vërejtur edhe njohësit, megjithëse parimi i kushtëzimit ofron ndryshime legale formal, nuk ofron veprim praktikë që mund të shpiejë drejtë transformit të plotkuptimshëm.

Por çfarë do të thotë kjo në kuptimin praktikë? Për të nxitur ndryshim të njëmendtë në rajon, BE-ja duhet t’i ndihmojë me vendosmëri dhe strategji këto vende që këto ndryshime ligjore të zbatohen edhe në praktikë. Dhe qasje të vendosur politike për ndihmë demokracisë, me përkrahje të insiucioneve kyç, si drejtësia e pavarur dhe mediat e pavarura që mund të ndihmojnë për fushë të ndershme të garës politike, duke sjellë në skenën politike krerë të rinj në rajon ku procesi demokratik ka ngecur sherri i figurave dominuese politike.

Është e qartë se krerët europianë e kuptojnë se BE-ja është aktor i domosdoshëm për të parandaluar rikthimin e luftërave dhe që të sigurojë paqe të qëndrueshme në Ballkan. Qasja e angazhimit të BE-së në vitet e ardhshme do të jetë vendimtare për përcaktimin nëse rajoni do të prosperojë ose përsëri të shndërrohet në territor ku fuqitë e mëdha testojnë sferat e tyre të ndikimit.

(Autorja është asistent-profesoreshë e shkencave politike dhe marrëdhënieve publike në Universitetin e Karolinës Perëndimore. Është autore e «Barazia gjinore në Bashkimin Europian: Shtegu i shpejtë drejt barazisë», botuar nga «Palgrave Macmillan», 2015. Komenti është shkruar për gazetën «Washington Post»).