Trepça: Sipas dhembjes, edhe ilaçi

Plumbi, zinku dhe Trepça gjenden në territorin të cilin shumëkush e njeh për shtet të Kosovës. E pasuritë natyrore, si rregull, i përkasin shtetit. Ajo që vlen për pasuritë minerale, vlen për gjithë infrastrukturën - hekurudhore, rrugore, energjetike, ujërat.

Minator në Trepçë. Foto: Hazir Reka (Reuters)

Shumica e lexuesve të sotëm me gjasë as nuk kanë qenë të lindur kur ylli i Radosh Smilkoviqit shndriti në qiellin politik të Serbisë. «Çfarë do Radosh Smilkoviq këtu», pyesin ata veten në këtë moment. E pra, pothuajse saktësisht 30 vjet më parë, më 1987, në Mbledhjen e Tetë (të KQ të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë) ish-zyrtari i lartë i partisë dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Politike, duke folur për problemin e Kosovës (me Metohinë), si zgjidhje e kishte ofruar fjalinë si në titullin e këtij teksti: «Sipas dhembjes, edhe ilaçi». Akademikët, të cilët një vit më parë, për shkak të Memorandumit, u patën qortuar pak, te ai e shihnin rehabilitimin e tyre. Universiteti i Beogradit e përshëndeti me ovacione udhëheqësin e ri, nga duart e antikomunistit të përbetuar ata morën Çmimin e Shtatë Korrikut, ndërsa punëtorët e fabrikës së Rakovicës, në vitin 1989, në tubimin e madh para Kuvendit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë të ekzaltuar brohorisnin «Arrestojeni Vllasin». Nëse dikush rastësisht nuk e di, e me gjasë shumë nuk e dinë, bëhej fjalë për liderin e atëhershëm të shqiptarëve të Kosovës, Azem Vllasi.

Dhe, Vllasi, normalisht, u arrestua.

Pastaj pasoi fjalia: «Nëse nuk dimë të punojmë, dimë si të përleshemi», i përmenduri Smilkoviq u shpërblye me vendin e ambasadorit në Bullgari, ndërsa Serbia u shpërblye me luftërat dhjetëvjeçare.

Të gjitha këto, madje edhe këtyre ditëve, që po ndodh në lidhje me Kosovën dhe rreth Kosovës, që herë pas here shfaqet para nesh, ose thënë më mirë – para jush, që nuk i keni hak askujt, janë në të vërtetë «skelete të mbetura në dollap» të një politike të tillë.

Trepça është vetëm një nga këto skelete. Ndoshta jo edhe më i madhi. Aty janë edhe minierat kosovare të qymyrit dhe termocentralet, edhe pse në fakt vetëm formalisht, për shkak se vetëm formalisht janë pjesë e Elektroekonomisë së Serbisë, ndërsa në fakt ajo nuk ka kurrfarë kontrolli mbi to dhe i paguan katër mijë punëtorë, përsëri vetëm formalisht, të punësuar aty. Trepça faktikisht është një rast krejtësisht tjetër, sepse pjesa e saj më e madhe («Trepça – veri») ka mbetur në veri të Kosovës dhe nën kontrollin e komunitetit serb, d.m.th. praktikisht nën pushtetin e Serbisë (e dyta, një pjesë më e vogël, e ashtuquajtura «Trepça – jug», u përket shqiptarëve). Ajo që në fakt ka mbetur nga ky Kombinat metalurgjik-kimik, nuk është as hija e ish-gjigantit industrial të dikurshëm, i cili i kishte të punësuar njëzet mijë punëtorë dhe prodhonte në vit mbi 80’000 tonë plumb dhe rreth 50’000 tonë zink. Sot ky prodhim është reduktuar në 15-20 mijë të të ashtuquajturit koncentrat, d.m.th. lëndë e parë për prodhimin e metaleve, në mënyrë që nga rreth 2’500 të punësuar në pjesën serbe të kompanisë mezi një e treta e tyre vërtet punon diçka.

Por, arsyetimi ekonomik dhe treguesit në lojën nacional-politike e kanë statusin e vrimës së fundit të kavallit. Kështu që këtyre ditë, në të gjitha anët, mund të dëgjohet dhe të lexohet se «Serbia ka investuar në ekonominë e Kosovës 17 miliardë dollarë», se rezervat e Trepçës kapin shumën «50 milionë tonë të plumbit dhe zinkut», se «po na tjetërsohet pasuria prej më shumë se 200 miliardë euro», e kështu me radhë. Çfarë, vetëm 200? Po vetëm rezervat prej 15 miliardë tonë qymyr kanë vlerë 400-500 miliardë euro, do të thoshte dikush.

Por, le të shkojmë me rend. Studimin e fundit serioz për ekonominë e Kosovës, me titull «Programi ekonomik dhe financiar i konsolidimit të ekonomisë së Kosovës dhe Metohisë», e ka bërë në vitin 1997 Instituti Republikan (i Serbisë) për Zhvillim. Në këtë studim, përplot detaje interesante (të tillë si ai se, për shembull, që nga viti 1952 deri më 1987, industria e Kosovës u rrit me një normë prej 9,1 për qind në vit), ndër të tjera shkruan: «Në bazë të statusit të zonave më pak të zhvilluara të Serbisë dhe Jugosllavisë, sipas arsyeve të ndryshme, për zhvillimin e Kosovës dhe Metohisë nga 1961 deri më 1990 janë destinuar 17,6 miliardë dollarë, ose 587 milionë dollarë në vit». Pra, bëhet fjalë për mjete nga Fondi federativ për zhvillimin e pjesëve të pazhvilluarve, që do të thotë se shumën e përmendur nuk e ka investuar Serbia, e kjo domethënë se më shumë se gjysma e atyre parave kanë ardhur nga republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Pra, mbi këtë bazë, edhe ato, për shembull, mund ta kërkojnë për vete nga një pjesë të Trepçës, të veriut dhe jugut.

E dyta, 50 milionë tonë nuk janë «rezerva të plumbit dhe zinkut». Aq janë shumat e rezervave të mineraleve, e ajo është diçka krejt e ndryshme nga metalet, plumbi dhe zinku, që mund të fitohen nga ato minerale. Përveç kësaj, duhet të kihet parasysh se mineralet në Kosovë përmbajnë një përqindje relativisht të ulët të metalit, nën mesataren botërore, që eksploatimin ekonomik e mundëson vetëm me çmime të larta. Madje, as e ashtuquajtura «koniunkturë» në tregun botëror, siç e shohim në rastin e ndërmarrjes së xehes «Bor», nuk garanton sukses. Kur e bëjmë këtë krahasim, shohim se «Bor» ka rezerva të mineralit të bakrit rreth 1,5 miliardë tonelata, përkatësisht 30 herë më shumë se rezervat e mineralit të plumb-zinkut në Kosovë, por kur para dhjetë vjetësh Qeveria e Serbisë u përpoq ta shesë atë, nuk gjeti blerës seriozë. E me gjithë pasurinë e madhe mbi të cilën fle, ndërmarrja në Bor vepron ashtu që pa ndihmën shtetërore nuk do të ishte në gjendje të mbijetonte.

E gjithë kjo, megjithatë, nuk është aq e rëndësishme në këtë rrëfim. Bakri ndodhet në territorin e Serbisë, ndërsa plumbi, zinku dhe Trepça në territorin të cilin shumëkush e njeh për shtet të Kosovës. E pasuritë natyrore, si rregull, i përkasin shtetit. Përveç nëse shteti nuk i shet vullnetarisht, siç bëri Serbia me shitjen e Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS). Marrëveshje të tillë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht Beogradit dhe Prishtinës, nuk ka. Dhe, nuk duket në horizont se do të ketë. Ajo që vlen për pasuritë minerale, vlen për gjithë infrastrukturën – hekurudhore, rrugore, energjetike, ujërat. Dhe iku sënduku me 200 miliardë euro. Ose me 500, krejt njësoj.

Në lidhje me pronën – edhe diçka. Pikërisht 10 vjet më parë, gjatë bashkëjetesës ndërmjet Vojislav Koshtunicës dhe Boris Tadiqit, një i ashtuquajtur raund statusor i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe ish-provincës së saj (nën udhëheqjen e Marti Ahtisaarit) i është dedikuar pronës së kompanive serbe në Kosovë. Delegacioni ynë përbëhej nga ekonomistët më eminentë, dhe na dukej sikur fitorja nuk ishte larg. «Kur, megjithatë…», si gjithë të tjerat, edhe këto bisedime përfunduan pa ndonjë rezultat. Më saktësisht, pa ndonjë rezultat në favorin tonë. Opinioni nuk e kuptoi rrjedhën e ngjarjeve në Vjenë kurrë, por nga ndonjëri prej pjesëmarrësve mund të dëgjohej se negociatorët tanë në njëfarë mënyre «mbetën të bllokuar» për shkak se nga pushteti ynë apo nga ai që mund të ishte përgjegjës për këtë, ata nuk e morën asnjë të dhënë, dëshmi apo diç të ngjashme për investimet serbe në ndërmarrjet kosovare.

Në fund, të kthehemi në fillim të këtij rrëfimi. Sepse, edhe në histori, sikur edhe në jetë, vlen rregulli «Gjithçka kthehet – gjithçka paguhet». Më pas, së bashku me Vllasin u arrestuan dhe menaxherët e Trepçës, Aziz Abrashi dhe Burhan Kavaja. Pse? Për shkak se më herët, në Stari-Tërg, njëra nga minierat më të mëdha të Trepçës, shpërtheu greva. Përgjigjja e autoriteteve serbe ishte që tanket të nxirren në rrugë. Gazetat shkruanin: «Pamja e re: Tanket e APJ-së jo larg nga Prishtina», ishte legjenda nën një fotografi, të cilën më 1 mars 1990 e botoi gazeta «Borba». Dhe në tekst qëndronte edhe lajmi:

«Kur rreth orës 18:00, nga drejtimi i Prishtinës nëpër Fushë-Kosovë kaloi njësia e këmbësorisë, nga restorantet përreth u dyndën entuziastët për ta përshëndetur kolonën me duartrokitje. Kishte edhe lot gëzimi».

Që ditën e ardhshme, Këshilli Ekzekutiv i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës i ndaloi tubimet dhe e kufizoi lëvizjen. Por, kjo ndodhi vetëm përkohësisht. Në ditën (28 mars), kur në Qendrën Sava të Beogradit u shpall solemnisht Kushtetuta e Republikës së Serbisë, «demonstratat në Krahinë shpërthyen deri në përmasa tragjike», rrugët u shndërruan në «fushëbeteja». U vranë 19 veta, ndërsa lehtë dhe rëndë u plagosën 49 demonstrues; u vranë dy milicë, derisa lehtë dhe rëndë u plagosën 20 të tjerë. Në Kosovë u dërguan forca shtesë dhe u shpall ora policore (shtetrrethimi) nga ora tetë e mbrëmjes deri në pesë të mëngjesit.

Mund të thuhet se lufta nuk filloi në Maksimir, lufta filloi në Trepçë. Dhe disi është e natyrshme që aty edhe të përfundojë, në përputhje të plotë me titullin e këtij teksti. Vetëm që tani Serbia nuk e përshkruan ilaçin, por duhet ta pijë vetë atë.

Në fund, një digresion. Këto ditë në të përjavshmen «Nedeljnik» është publikuar «hulumtimi më i madh ekonomik», së paku ashtu u njoftua, «Serbia, 1890-2036». Autori, ekonomisti Goran Nikoliq, shpjegon se «rrënja e prapambetjes sonë qëndron në shekullin ‘19, atëherë kur Serbia filloi nga një bazë shumë e ulët». Kjo do të thotë, e interpretuar pak më lirshëm, që për nivelin e sotëm të lartë të zhvillimit të Amerikës duhet falënderuar bazën e lartë, e kjo domethënë shkallën e lartë të zhvillimit, në të cilën, kur Kolombo e zbuloi, ishin apaçët, komançët dhe sijuksët (Apache, Comanche, Sioux)… Prandaj, më pas amerikanët e kishin lehtë. Në fakt, nëse mendohet pak më mirë, ky nuk është kurrfarë digresioni.

Mijat Lakiçeviq është njëri nga gazetarët më të njohur dhe të pavarur të Serbisë të çështjeve ekonomike. Ky tekst u botua në portalin Peshçanik.