Treni i trentë, por humori më i çartur

«Nuk e kam ditur si duket treni», thotë kryeministri serb. Ky nuk është tregimi i vetëm zbavitës nga drama hekurudhore mes Serbisë dhe Kosovës. Në vallen e humorit - me apo pa dashje - janë kyçur edhe presidenti serb dhe disa politikanë shqiptarë.

Tomisllav Nikoliq, siç e ka parë karikaturisti nga Beogradi Corax.



Nacionalizmi në Ballkan përherë e ka pasur edhe një anë humoristike. Shumë njerëz mbase e dinë atë shakanë mbi postën e Sarajevës para shpërthimit të luftës. Një person kishte shkruar në ndërtesën e postës këtë: «Kjo është Serbi», një tjetër kishte shtuar: «Kjo është Kroaci». I treti, më i mençuri, boshnjaku, kishte dhënë përgjigjen e duhur: «Budallenj, kjo është posta». Kur lufta filloi t’ua bëjë njerëzve jetën ferr, mediat e papërgjegjshme hidhnin benzinë në zjarr, duke plasuar në opinion lajme sa më makabre. Televizoni i Serbisë (RTS) në një raport njoftoi: «Ekstremistët myslimanë janë kujtuar mbase për mënyrën më të llahtarshme të torturës në planet: natën që shkoi foshnjat serbe i kanë hedhur të gjalla në kafazet me luanë në Kopshtin Zoologjik në Luginën e Pionierëve (në Sarajevë), thekson roja serbe». RTS po ashtu kishte njoftuar se forcat kroate më 1991 kishin masakruar në një shkollë në Borovo Naselje (në trevën e Sllavonisë në Kroaci) 41 fëmijë serbë. Si dëshmitar ishte ftuar në studio një djalë me emrin Goran Mikiq. Në një paraqitje të pasigurt Mikiq tha se kishte parë njerëzit e masakruar. Menjëherë ishin dërguar 10 ekspertë të forenzikës nga Beogradi për të hetuar këtë rast. Kufomat nuk u gjetën askund, ndërsa RTS të nesërmen njoftoi se fotografi jugosllav Goran Mikiq kishte përgënjeshtruar rrëfimin e tij, duke thënë se as nuk i kishte parë, as numëruar kufomat. Më vonë, duke komentuar propagandën e Mikiqit, gazetari i njohur serb Jovan Duloviq tha: «Një budalla që deshi të bënte karrierë».

Këto episode mund t’i kujtohen shumëkujt që nga e shtuna, kur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës filloi udhëtimin treni i prodhimit rus, të cilin qeveria serbe e kishte dekoruar me aq kujdes, saqë dukej si një kishë që po lëvize në hekurudhë. Marko Gjuriqi, i ngarkuar special i qeverisë së Beogradit për provokime dhe argëtim nacionalist, ishte kujdesur që treni të ketë edhe pak sharm erotik: konduktoret dukeshin si stjuardesa. Fundja, edhe serbët e obsesionuar me historinë, ikonat dhe Mesjetën nganjëherë duan të kenë para syve pamje të tjera, tokësore. Ose internet (wi-fi). Treni ofronte edhe këtë shërbim.

Mbi të gjitha treni synonte të sillte në Mitrovicë mesazhin «Kosova është Serbi» – në 21 gjuhë, kinezisht, rusisht, anglisht, frëngjisht dhe – faleminderit shumë – edhe shqip. Kur provokimi me tren nuk funksionoi, sepse trenin e ndali lokomotivisti në Rashkë, kur kryeministri serb Aleksandër Vuçiq e pa se nga ky inskenim Serbia nuk mund të fitojë ndonjë gjë, atëherë ai, Vuçiqi, pa iu trebur syri, tha se nuk e kishte ditur si duket treni. Për Vuçiqin thuhet se kontrollon çdo gjë në Serbi, andaj duket vetëm si anekdotë ballkanike kur arsyetohet se nuk dinte gjë, duke bërë atë pozën e famshme të asaj kafshës simpatike: «s’kam parë, s’kam dëgjuar, s’kam folur asgjë».

Një kontribut të madh humoristik ka dhënë edhe presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq, i cili pas ndaljes së trenit kërcënoi se do të marshojë me ushtri në Kosovë, «do të shkoj edhe unë, nuk është hera e parë», tha ai. Dhe premtoi se do t’i merrte me vete edhe dy djemtë e tij, sepse «shqiptarët duan luftë», sepse Bashkimi Europian po hesht, ndërsa shqiptarët «pothuaj kishin minuar hekurudhën». Pothuaj! Kjo tingëllon si të thuash: «Jam pak shtatzënë». Ose: «E kam humbur pak virgjinitetin». Ose: «Jam bërë pak synet». Pas kërcënimeve me luftë gati gjysma e Serbisë filloi të tallej me Nikoliqin. Gazetat bulevardeske – të gjitha nën kontrollin apo ndikimin e Vuçiqit – filluan ta nxjerrin si qesharak Nikoliqin. Në Serbi ai tani nuk po shihet si president, por si dordolec. Ndoshta krejt ky inskenim me tren është bërë nga regjisori politik Vuçiq për ta diskredituar edhe më shumë Tomë Varrmihësin, në mënyrë që ai të mos kandidojë më për postin e presidentit në zgjedhjet e prillit. Ka zëra në Beograd që supozojnë se vetë Vuçiq dëshiron të kandidojë.

Nikoliq ka një talent të madh: është pjekës me nam i rakisë. Nga ky ujë me përqindje të lartë ai i ka dhuruar Vladimir Putinit dy shishe. Në konferencën për shtyp me kryetarin rus u përpoq të vardiset duke belbëzuar ca fjalë në rusisht, por dështoi keq dhe kështu e vuri në dyshim të madh vëllazërinë serbo-ruse. Po të pyetej Nikoliqi Serbia do të ishte krahinë ruse. Ai është politikan i ngathtë, nganjëherë edhe fatkeq. Vitin e kaluar mori rrugë për në Romë, ku e priste Papa Françesku. Për dreq kur avioni ishte ngjitur në lartësinë e duhur, dikush nga personeli shërbyes derdhi kafenë në tabelën e instrumenteve të avionit, pastaj për pak u bë kiameti, avioni nisi të dridhej, njëri nga udhëtarët i citua të ketë thënë: «Ne shprehmisht fluturuam nëpër avion». Këshilltarët e Nikoliqit u përpoqën të mashtrojnë opinionin se avioni kishte defekt teknik.

Sidoqoftë, po erdhi Nikoliqi në Kosovë dhe po ra në duar të policisë, atëherë do të ishte mirë t’i plotësohej një dëshirë: të dërgohet në vuajtje të dënimit në Burgun e Gjilanit. Aty i ka kaluar tre muaj në vitin 1995, pasi një gjykatëse për kundërvajtje e kishte dënuar për shkak të aktiviteteve politike – në fakt Nikoliq, bashkë me shefin e tij të atëhershëm Vojislav Sheshel, e sulmonin Slobodan Millosheviqin se nuk ishte nacionalist sa duhet. Millosheviqi vriste me makinerinë luftarake, ndërsa Shesheli e Nikoliqi kërkonin që kroatëve dhe të tjerëve t’u nxirren sytë me lugë të ndryshkura. Kjo është arsyeja që karikaturisti gjenial serb Corax sa herë që e portreton dhe karikon Nikoliqin, në vesh ia vizaton edhe një lugë. Për çdo rast.

Në vallen humoristike rreth trenit të trentë serbo-rus u kyç edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Zyra e tij nuk ka lëshuar asnjë komunikatë për dramën hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë. Por reagimin e tij Rama e ka paketuar me disa referenca historike dhe fjalë të mjegullta, duke kujtuar Isa Boletinin në Facebook. Këtu, në këtë banesë virtuale, Rama ka vazhduar muhabetet me vizitorë Facebooku si të ishte pronar hani. Njëfarë Enveri (jo autori i këtij shkrimi) ka shprehur shqetësimin se Serbia do të futet sërish në Kosovë. Edi Rama i është përgjigjur: «O Enver po ku do futet Serbia o Enver?!» Pastaj kryeministri i Shqipërisë foli si të ishte hyzmeqar hani. Tha se serbët e Beogradit do të kthehen në Kosovë vetëm si turistë. Mediat nga kjo përhapën titullin: «Serbët në Kosovë vetëm si turistë!» Mediat serbe e morën me nguti këtë «lajm» dhe ia shitën publikut si kërcënim nga Tirana zyrtare. Madje reagoi edhe humoristi serb Tomislav Nikoliq. «Duke komentuar provokimet e kryeministrit të Shqipërsë Edi Rama, i cili thotë se serbët në Kosovë mund të kthehen në të ardhmen vetëm si turistë, Nikoliqi tha se janë të njohura pretendimet e Shqipërisë ndaj Kosovës e Metohisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë», raportojnë mediat e Beogradit.

Kështu Rama me talentin e tij për llafe koti bëhet lajm në Serbi. Është pothuaj e sigurt se Nikoliq në takimet me ndonjë diplomat europian do ta përmend «kërcënimin» e Edi Ramës se nuk do të lejojë serbët të hyjnë në Kosovë. Rama ka diçka të përbashkët me Donald Trumpin: të dy janë narcisë që edhe në moshë të pjekur nuk mund të shkëputen nga adoleshenca. Një kryeministër apo president serioz komunikon me opinionin publik me qëndrime zyrtare, të shkruara në letër, të vulosura dhe pastaj të arkivuara si dëshmi të punës shtetërore. Në Kosovë buqeta me lule për humor politik duhet t’i jepet dr. Pal Lekajt. Ai citohet të ketë thënë se «ndalimi i Haradinajt u bë me shkas, sepse vetëm ai do t’ia ndalte turrin Serbisë». Mirë që u sqarua edhe kjo dilemë.