Treni i nacionalizmit

Kur do të shndërrohet treni i nacionalizmit në tren të demokracisë në Serbi? Përse Vuçiqi sillet si Millosheviqi në vitin 1987 në Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë.

Serbia e parë nga karikaturisti i famshëm beogradas Corax.



Trenat e hekurudhave jugosllave nga seria 441 i lidhnin popujt e Jugosllavisë që nga viti 1967, kur filloi prodhimi i tyre. Kurse treni i rusëve nga seria 771 që u nis nga Beogradi në Mitrovicë nuk lidhi askënd. Treni «Kosova është Serbi” është provokim për hir të përfitimeve politike, gjë që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe nga ai nuk ka fitues, por vetëm humbës, e ata janë qytetarët. Por, kjo duket se nuk ka rëndësi, sepse pasojnë zgjedhjet e ardhshme dhe lufta për pushtet.

Të gjithë e kujtojmë sesi Slobodan Milosheviqi e pati përdorur mitin e Kosovës, kur më 24 prill 1987 u takua me liderët shqiptarë në Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë. Para ndërtesës qenë mbledhur rreth 15 mijë njerëz, të cilët thërrisnin: «Po na vrasin! Po na vrasin». Milosheviqi atëherë e pati shqiptuar frazën e famshme: «Askush nuk guxon të ju prekë!» Dy vjet më vonë, në manifestimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Vidovdan, më 28 qershor 1989, ai u bë udhëheqës i popullit serb dhe e filloi fundin e përgjakshëm të Jugosllavisë.

Vuçiqi e përdori 30 vjet më vonë retorikën dhe taktikën e Milosheviqit të viteve të ‘80 të shekullit të kaluar me qëllim që ta ruajë pushtetin. Këtë e bëri duke shkaktuar frikë dhe duke abuzuar me të drejtën e lirisë së lëvizjes së njerëzve. Treni u drejtua për në pjesën veriore të Mitrovicës, i dekoruar nga brenda me afreske nga manastiret e Kosovës, ndërsa jashtë i stolisur me mesazhin «Kosova është Serbi». E kujtojmë se nën këtë slogan, më 21 shkurt 2008 u dogjën ambasadat nëpër Beograd.

Trenin e pritën njësitë speciale të Kosovës, ROSU. Më pas u thirr një takim urgjent i Qendrës për Koordinim dhe Siguri dhe një konferencë për shtyp e Qeverisë së Republikës së Serbisë. U vendos që treni të ndalet në Rashkë. Ky është vendimi më i mençur i asaj dite. Në konferencën për shtyp, kryeministri i përsëriti argumentet e Milosheviqit nga viti 1987.
Të nesërmen, treni në vijën Kralevë – Mitrovicës e Kosovës, i cili qarkullon rregullisht që nga viti 2008, arriti pa asnjë problem në Mitrovicë. Në të njëjtën kohë u mbajt takimi i Këshillit për Siguri Nacionale, pas të cilit presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, në pyetjen nëse Serbia është e gatshme për të dërguar trupa ushtarake në Kosovë, tha: «Nëse vrasin serbë, po».
Kryebashkiaku i Beogradit dhe arkitekti i përmendores në Jasenovc, Bogdan Bogdanoviqi, në një letër dërguar Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë për ngjarjet në Kosovë në vitin 1987 shkruante se Serbia është e lodhur, jo vetëm nga udhëheqësit e tyre, por edhe nga luftërat e rënda dhe tragjike, të zhvilluar pa u menduar fare. Por, askush nuk e dëgjoi.

Kosova edhe një herë shërbeu për të marrë poenë politikë në një tjetër fushatë të pistë zgjedhore, ndërsa qytetarët edhe më tej presin që treni i nacionalizmit të shndërrohet në një tren të modernizuar dhe që ai të rritet në një tren të institucioneve dhe të demokracisë.

Autori është hulumtues në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë. Shkrimi është botuar nga Peščanik.net. Copyright për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch