Tregu evropian nuk hapet për qumështarët vendorë

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka shpërthyer me akuza në drejtim të institucioneve, në këtë rast ndaj Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që e udhëheq bashkëpartiakja e tij.

Mustafa ka akuzuar institucionet se po ndikohen nga importuesit, raporton KTV.

Ai nuk ka lënë pa shfaqur edhe pakënaqësinë ndaj kësaj industrie, pasi që sipas tij, brenda tri viteve, sa kanë marrë grante dhe subvencione, nuk kanë rritur sasinë e prodhimit të qumështit dhe produkteve të tij.

Këto komente, Mustafa i ka bërë në një tryezë, ku është diskutuar për problemet e industrisë së qumështit.

Përfaqësuesit e përpunuesve të qumështit janë ankuar se përpos premtimeve, nuk është realizuar asnjë prej kërkesave të tyre.

Nga ana tjetër, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ua ka kumtuar lajmin atyre se tregu evropian nuk do të jetë i hapur për produktet e kësaj natyre, të paktën jo edhe për disa vjet, pavarësisht nënshkrimit të MSA-së.

Industria e qumështit është në mesin e disa sektorëve që mund të sjellë rritje të punësimit.

Prodhues dhe përpunues disa herë kanë protestuar para qeverisë për t’u ankuar në lidhje me mosmbrojtjen e prodhimit vendës karshi produktit të importuar.