Tre tërmete godasin Shkupin, qytetarët qëndrojnë në rrugë

Tre tërmete me intensitet prej 3.9, 5.3 dhe 4 shkallë sipas Rihterit kanë goditur Shkupin. Përveç tyre janë regjistruar edhe disa lëkundje të tjera të lehta të tokës. Dëmet janë vetëm materiale, ndërsa qytetarët të kapluar nga paniku kanë braktisur shtëpitë dhe qëndrojnë në rrugë e parqe.

Shkup, 11 shtator

Tre tërmete të fuqishme dhe disa dridhje me intensitet më të dobët e kanë goditur sot Shkupin, me ç’rast fatmirësisht nuk ka pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale. Tërmeti i parë prej 3.9 shkallë të Rihterit, me epiqendër 7 kilometra larg Shkupit në afërsi të qarkores Shkup-Kumanovë, ku ndodhën edhe vërshimet tragjike, ka ngjarë në ora 7 të mëngjesit. Tërmeti i dytë dhe më i fuqishmi ndohi në orën 15.10 dhe kishte një intensitet prej 5.3 shkallë me epiqendër të njëjtë. Pas tërmetit të dytë u ndjenë disa lëkundje të dobta me rreth 2 shkallë, ndërsa tërmeti i tretë i fuqishëm me një intensitet prej 4 shkallë Rihter u regjistrua në ora 16.47 me epiqendër 2 kilometra afër fshatit Haraçinë.

Tre tërmetet kanë shkaktuar dëme materiale dhe panik tek qytetarët, të cilët të shqetësuar qëndrojnë në parqe dhe rrugë, jashtë shtëpive dhe banesave të tyre. Një oxhak i një ndërtese ka rënë në lagjen Hekurana në Komunën e Gazi Babës dhe ka dëmtuar një veturë të parkuar, ndërsa shumë qytetarë kanë postuar në rrjetet sociale fotografi të mureve të plasaritura brenda edhe jashtë objekteve. Në disa markete në Shkup ka pasur dëme materiale si pasojë e rënies së produkteve nga raftet. Në disa lagje të Shkupit ka ndërprerje të energjisë elektrike.

Si pasojë e dridhjeve, shumë ashensorë të ndërtesave të larta janë bllokuar, është ndërprerë edhe sinjalizimi i komunikacionit në pjesën qëndrore të Shkupit. Autoritetet kompetente në Shkup pas tërmetit të parë njoftuan se nuk ka vend për panik dhe mohuan lidhjen e tërmetit me vërshimet e para. Pas goditjes së dytë, e cila ishte edhe më e fuqishme, nga Instituti për Tërmete dhe Inxhinjeri Seizmologjike paralajmëruan edhe dridhje të tjera, të cilat, sipas tyre, pasojnë zakonisht pas tërmeteve.

«Nuk mund të dimë se çfarë goditje do të pasojnë. Por është mëse e sigurt se do të ketë ‹aftershoke›; të shpresojmë se kjo ishte goditja kryesore», ka thënë Mihail Garevski, drejtor i Institutit. Ai ka shtuar se është e pazakontë të ketë dallime aq të mëdha në manjitudën mes tërmetit të parë të mëngjesit prej 3.9 shkallë dhe atij të dytë pasdite prej 5.3 shkallë. «Nëse kjo ishte goditja kryesore, ndoshta do të ketë edhe ‹aftershoke›. Pas manjitudës prej 5.3 shkallë mund të vijnë edhe disa dridhje të tjera. Nga manjituda 5.3 deri në 3.9 ka dallim të madh, shkalla nuk është lineare», ka shpjeguar Garevski. Dhe, pas kësaj deklarate, në Shkup u regjistruan disa lëkundje të vogla – më pas u regjistrua tërmeti i tretë me 4 shkallë Rihter.

Pas tërmetit të dytë me intensitet 5.3 shkallë të Rihterit, banorët e Studeniçanit janë ankuar për ndotje të ujit të pijes. Disa kanë postuar edhe video ku shihen çezma në të cilat rrjedh ujë më ngjyrë të kuqe të errët, që sipas banorëve besohet të jetë nga dëmtimet e rrjetit të ujësjellësit dhe përzierjes së ujit me dhe.

Drejtori Mihail Garevski dridhjet e sotme i ka krahasuar me tërmetin që ka ndodhur në rrethinën e Vallandovës në vitin 1904, i cili vlerësohet si më i fuqishmi në Ballkan. Edhe atëherë ka pasur fillimisht një dridhje relativisht të fuqishme, pas së cilës ka pasur goditja më e fuqishme me intensitet prej 7.8 shkallë të Rihterit. Në Maqedoni ka rreth tridhjetë epiqendra, ndërsa tërmetet më të fuqishme janë rgjistruar në rajonin e Vallandovës, Shkupit, Dibrës dhe Pehçevës.

avtomobil_-_013-122fb_img_1473607517548fb_img_1473607829994fb_img_1473608216434%d0%b7%d0%b5%d0%bc%d1%98%d0%be%d1%82%d1%80%d0%b5%d1%81_%d0%b2%d0%be_%d1%81%d0%ba%d0%be%d0%bf%d1%98%d0%b5_%d1%88%d1%82%d0%b5%d1%82%d0%b02fb_img_1473607971957