Tre shembuj nga një udhëtim në Kosovë e Shqipëri

Një udhëtim mbresëlënës me një grup adhuruesish zviceranë të alpinizmit në Kosovë. Përvojat: mikpritje mbresëlënëse në një shoqëri e cila ka vetëm pak kohë që ka dalë nga një luftë shfarosëse dhe me të rinjë që megjithatë e duan jetën - sa do e rëndë të jetë ajo.

Foto: Mokra e Epërme/ Shutterstock.com



«Çfarë, ti po planifikon një vizitë turistike bjeshkëve të Kosovës?», më pyet një mik. «A ka bjeshkë atje, dhe pse pikërisht në Kosovë?»

Për një zviceran Kosova nuk është një destinacion tërheqës turistik, ama sipas një oferte turistike të shpallur nga GAEA-Tours nga Bazeli, duket se në Kosovë ka bjeshkë mjaft dhe kjo nxiti kureshtjen time. Unë e përhapa lajmin te disa miq, dhe shumë shpejt në Bazel e formuam grupin prej shtatë vetave, të cilët do të udhëtonim për të shëtitur bjeshkëve të Kosovës dhe të Shqipërisë së Veriut.

Ne si grup kemi shëtitur shumë shpesh nëpër bjeshkë, si në Zvicër, Itali dhe Francë. Rajone malore të ngjashme si në Kosovë ka edhe në Zvicër, si për shembull në Emmental ose në Toggenburg, në Simmental dhe Entlebuch.

Nga këto shëtitje, gjithmonë deri më tani në qendër të përjetimeve dhe interesimeve tona kanë qenë shëtitja në këmbë, lëvizja nëpër shtigje të ndryshme dhe përvoja malore. Për këtë nuk ke nevojë të shkosh në Kosovë. Në Kosovë ky interesim të kalon shumë shpejt, të paktën mua. Sigurisht, që brenda njëmbëdhjetë ditëve në program kishim shtatë turne malore (Pashtriku, Liqeni Zemra, Liqenat, Hajla e Shkrelit, Burimi i Valbonës, Maja e Jezercit dhe Oshlaku), por ajo se çfarë kam përjetuar gjatë dhe mes këtyre shtatë shëtitjeve, është më se e rëndësishme për mua.

Ne kemi takuar njerëz të cilët jetojnë në një kulturë shumë të ndryshme, për të cilët di shumë pak rreth prejardhjes së tyre historike, dhe realiteti i përditshëm shoqëror i të cilëve nuk mund të krahasohet me atë timin.

Tre shembuj:

1. Në një nga shëtitjet tona, na u desh të presim një pjesë të grupit i cili kishte marrë një destinim tjetër dhe më të gjatë. Filloi të binte shi dhe ne kërkuam një vendstrehim tek një fermë e thjeshtë malore (stan). Një çift me gjashtë fëmijë na ftoi në konakun e tyre. Pastaj, ata na ofrojnë pije, bukë, kos, tri lloje djathërash shtëpie dhe kafe. Çifti na inkurajon të shërbehemi, përderisa ata vetë nuk marrin asgjë, sepse mbajnë Ramazanin. Ne ishim thjesht disa të huaj që kërkuan strehim, mirëpo ata na trajtuan si mysafirë, duke na nderuar, mirëpritur dhe duke na falur kohën e tyre.

2. Si një person politikisht i interesuar di diçka rreth luftës ballkanike të viteve 1990 dhe luftës e cila ka çuar në pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Kjo luftë ka përfunduar vetëm gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, dhe është ende e pranishme në bisedat me njerëz. Vizitat e dy varrezave të mëdha në Gjakovë, ku janë varrosur qindra viktima të kësaj lufte, depërtuan thellë në ndërgjegjen time.

3. Kam takuar shumë të rinj të arsimuar, të cilët nga dukja nuk dallojnë pothuajse aspak nga moshatarët e tyre zviceranë. (Edhe ata gjithashtu luajnë me telefonat e tyre celularë.) Por shumë prej tyre janë të papunë, ose mbahen nga të ardhurat e tyre mujore +/- 400 euro dhe jo vetëm për veten e tyre, por edhe për gjithë familjen. Rrjeti i solidaritetit familjar në Kosovë ende duket të jetë kryesisht i paprekur.

Kosova është një vend i vogël, më i vogël edhe se Zvicra e vogël. Është një vend i bukur me gryka dhe bjeshkë mbresëlënëse. Por kjo nuk më ka impresionuar më së shumti. Më kanë impresionuar njerëzit miqësorë e të shoqërueshëm, të cilët i kam takuar dhe të cilët vështirësitë e jetës së përditshme shpesh i përballojnë me qetësi dhe humor. Ose, siç më thotë një vajzë e re që flet shkëlqyeshëm gjermanisht: «Jeta nuk është e lehtë, por thjesht e bukur».