Tre kalorës të apokalipsit dhe një «urim» për Vitin e Ri nga Washingtoni

Përse Kosova të acarojë raportet me Amerikën dhe Perëndimin? Për shkak se dikush nga krerët e UÇK-së mund të ketë kryer krime të luftës dhe tani nuk dëshiron të dorëzohet? Është koha e fundit që qytetarët e Kosovës të mbajnë distancë higjienike ndaj bartësve të kësaj politike të rrezikshme. Kosovarët duhet ta kenë të qartë se shteti, liria dhe e ardhmja e tyre varen në masë të madhe nga garancitë që japin shtetet perëndimore.

Rex Tillerson.



Para një viti Ramush Haradinaj u ndalua nga policia franceze në Basel-Mulhouse. Mbështetësit e tij thanë se shefi i AAK-së ishte nisur për në Amerikë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trumpit. Ceremonia do të mbahej më 21 janar, ndërsa Haradinaj u ndalua më 4 janar. Se çfarë do të bënte ai gati tri javë në Amerikë – mbetet enigmë. Vartësit e tij prezantuan edhe njëfarë ftese që Haradinaj paskësh marrë nga ekipi i Trumpit.

Dihet se në prag të inaugurimit të presidentit në Washington mbahen shumë ceremoni në shumë salla. Është e mundshme që përmes lobistëve të blini një ftesë. Disa burime thonë se Haradinaj as që kishte vizë për në SHBA në janar të këtij viti, andaj i zemëruar ishte nisur për në pushime në Francë apo në Zvicër. Sidoqoftë, ky rast ka treguar se si politikanët e Kosovës përpiqen që në çdo rrethanë të tregojnë se e kanë përkrahjen e Amerikës.

Një vit pas arrestimit në Francë Haradinaj është kryeministër i Kosovës, por gjasat që ai të vizitojë Amerikën dhe të takohet me zyrtarë të lartë në Washington janë më të vogla se kurrë më parë – së paku në periudhën afatmesme. «Proamerikani» Haradinaj tani është bërë pjesë e një loje të presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për të zhbërë Gjykatën Speciale. Tani që konfrontimi me SHBA-të, pas nismës së fundit të ish-krerëve të UÇK-së, është shumë i dukshëm, deklarata e një vartësi të Haradinajt e dhënë para një viti tingëllon si anekdotë: «Haradinaj ka marrë ftesë zyrtare nga zyra e Shtëpisë së Bardhë, mirëpo ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Unë besoj se do të jetë i pranishëm».

Pasi Haradinaj për arsye të njohura nuk mori pjesë në inaugurimin e Trumpit, ku nuk ishte i ftuar, në javën e fundit të shkurtit u bë e ditur se Kadri Veseli e ka takuar Donald Trumpin. Pastaj kori i mediave të pushtetit ia nisi me brohoritjet e zakonshme: Veseli i pari politikan shqiptar që takon Trumpin, Veseli i pari politikan i Ballkanit që takon Trumpin, Veseli i pari politikan i Europës që takon Trumpin. E kështu me radhë. Vetë kryetari Kuvendit u mundua ta bind miletin se ka zhvilluar takim zyrtar me Trumpin, kur postoi një fotografi me presidentin amerikan dhe tha se bëhej fjalë për «fotografinë zyrtare» të takimit.

Sot e atë ditë nuk dihet ku është zhvilluar ai takim, pse në fotografinë «zyrtare» në prapavijë shihen edhe njerëz të tjerë, ndërsa Trump i veshur me një pallto dimërore nuk lë përshtypjen se po takon Veselin – e tëra më shumë duket një fotografi korridoresh. Sidoqoftë, edhe me këso paradash Veseli përpiqej t’i tregonte opinionit sa «proamerikan» është. Tani Veseli dhe mbështetësit e tij në PDK po provokojnë Amerikën me përpjekje për të demontuar edhe një plan të bashkësisë ndërkombëtare për të trajtuar disa krime të luftës, të cilat askush nuk mund t’i mohojë.

Jo më larg se në shtator presidenti i Kosovës dhe bashkëshortja e tij «takuan» në New York presidentin e SHBA-ve dhe zonjën e parë – këso «takimesh» presidenti zhvillon me qindra gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në fakt më shumë bëhet fjalë për një sesion fotografish. Krerët e shteteve presin në rend si para furrës së bukës për të kryer një formalitet. Me atë rast ndërrohen edhe disa fjalë të rastit, për më shumë nuk premton koha. Megjithatë, pas «takimit» me presidentin Trump Hashim Thaçi plot entuziazëm dha haberin: «Mund të them përsëri se populli i Kosovës është i bekuar që ka miqësi të përjetshme me SHBA-të. Edhe presidenti Trump tha se Kosova është vend i mrekullueshëm dhe me një popullatë të mrekullueshme».

Si ndodhi që këta tre «proamerikanë» të përbetuar, të cilët edhe me shfaqje qesharake kanë provuar të tregojnë se janë «njerëz të Washingtonit», tani të shndërrohen në atë që Sali Berisha ishte më 1996 – një autokrat me raporte të acaruara me Amerikën për shkak të manipulimit të zgjedhjeve, shtypjes së opozitës dhe mediave opozitare? Kjo po ndodh për shkak se Thaçi, Haradinaj dhe Veseli po sillen si tre kalorës të apokalipsit kundër drejtësisë dhe kundër aleatëve perëndimorë. Ndërsa Haradinaj në njërën nga intervistat e tij të shumta qesharake thotë se do të donte që edhe në Kosovë të liberalizohej e drejta për të bartur armë si në Amerikë, përpjekjen për gjykimin e të dyshuarve për krime të luftës ai e sheh si padrejtësi – ndonëse dy prokurorë amerikanë, njëri madje bashkautor i aktakuzës kundër Sllobodan Millosheviqit, kanë ardhur në përfundim se ka mjaft dëshmi për të gjykuar disa pjesëtarë të UÇK-së për krime të luftës. Domethënë: Haradinajt i pëlqen mentaliteti i kaubojit të Perëndimit të Egër, një imazh ky i konservuar i provincës amerikane, por jo edhe puna e prokurorëve realë amerikanë.

Përse Kosova të acarojë raportet me Amerikën dhe Perëndimin? Për shkak se dikush nga krerët e UÇK-së mund të ketë kryer krime dhe tani nuk dëshiron të dorëzohet? Është koha e fundit që qytetarët e Kosovës të mbajnë distancë higjienike ndaj bartësve të kësaj politike të rrezikshme. Kosovarët duhet ta kenë të qartë se shteti, liria dhe e ardhmja e tyre varen në masë të madhe nga garancitë që japin shtetet perëndimore.

Pas dështimit të parë të nismës së PDK-së dhe satelitëve të saj për zhbërjen e Gjykatës Speciale, presidenti Thaçi i akuzoi ambasadorët Greg Delawie (SHBA) dhe Ruairí O’Connell (Britani e Madhe) për spekulime. Në të vërtetë ai që po spekulonte ishte Thaçi, duke thënë se raportet me Perëndimin nuk luhaten lehtë. Ai përpiqej të krijonte përshtypjen se ambasadorët po flisnin kokë më vete. Ndoshta autorët e skenarit për zhbërjen e Gjykatës Speciale kanë llogaritur se ambasadorët nuk do të qëllojnë fare në Kosovë, por diku larg nën bredh duke hapur dhuratat e Krishtlindjes. Meqë kalorësit e apokalipsit kosovar e vazhduan bixhozin e tyre me interesat e shtetit, ambasadori Delawie foli disa herë kundër nismës për pezullimin e Gjykatës Speciale. U lëshua edhe një komunikatë në emër të ambasadës.

Prapë Thaçi, Veseli e Haradinaj vazhduan aventurën e tyre me paralajmërime se ata do të respektojnë çdo vendim të parlamentit. Flakaresha e radhës erdhi sot në orët e hershme të mëngjesit sipas kohës europiane. Dhe ajo erdhi nga niveli më i lartë – nga Departamenti i Shtetit në Washington. Kjo deklaratë do të hyjë në histori si «Paralajmërimi i Vitit të Ri nga Washingtoni». Në fillim të viteve ’90 SHBA-të në një mesazh për Krishtlindje ia bënë të qartë diktatorit serb Millosheviq se ndezja e një konflikti në Kosovë është «vijë e kuqe». Millosheviqi e injoroi mesazhin – dhe gati një dekadë më vonë mbi qiellin e Beogradit u shfaq gati krejt potenciali ushtarak amerikan.

Amerika nuk do ta bombardojë Kosovën nëse Thaçi, Veseli dhe Haradinaj vazhdojnë aktivitetet e tyre kundër drejtësisë dhe kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës. Por kjo lojë e tyre nuk do të jetë pa pasoja për Republikën në prag të 10-vjetorit të pavarësisë. Gjuha e Departamentit të Shtetit kundër kalorësve të rrezikshëm të Prishtinës i përngjan mesazheve që Washingtoni muajve të fundit ia ka drejtuar diktatorit të Koresë së Veriut. Vetëm duhet të lexohet me kujdes. «Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga përpjekjet e fundit në Kuvendin e Kosovës për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara, gjykatë e themeluar për rastet e krimeve të supozuara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera të rënda të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-2000. (…) Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë në Republikën e Kosovës që të ruajnë përkushtimin e tyre për punën e Dhomave dhe të lënë të pandryshuara autoritetet dhe juridiksionin e gjykatës».

A do të ndalet tani loja e bixhozit politik? Shumë shpejt do të shihet. Përgjegjësi kanë edhe ata deputetë që janë bërë pjesëmarrës të kësaj loje. Apo ndoshta presin që për vizitë në Prishtinë të vijë vetë Rex Tillersoni që edhe gojarisht të përcjellë mesazhin.