Trazirat politike i zbehin harenë Pashkëve në Ballkan

Ndërsa miliona të krishterë përgatiten për të festuar Pashkët në Ballkan, tensionet politike, ekonomike dhe etnike po ngrenë një hije të errët mbi shpirtin e festës në rajon.

Serbët protestojnë në Beograd. Foto: Beta



Pashkët zënë një vend të veçantë në zemrat e shumë njerëzve në Ballkan, duke ofruar një kombinim të traditës së dashur, çasteve të gëzuara me familjen dhe miqtë.

Në shumë vende të Ballkanit megjithatë, qetësia e festës së krishterë, që duhet të bëjë bashkë njerëz të etnive dhe feve të ndryshme, po përkufizohet nga një kombinim i tensioneve politike, sociale dhe ndëretnike, të cilin Komisioneri i BE-së për Zgjerim Johannes Hahn e krahasoi me një «tigan në zjarr të mbushur plot me vaj».

Ndërsa ballkanasit dinë si të festojnë dhe do të sigurohen që të marrin më të mirën nga këto ditë pushimi, shumë çështje shqetësuese mund të mbajnë të tjerë zgjuar natën.

Serbia – e tronditur nga protestat në rrugë

Protestat anti-qeveritare kanë nxjerrë mijëra njerëz në rrugë në Serbi çdo natë për dy javët e fundit, që kur kryeministri Aleksandër Vuçiq fitoi zgjedhjet presidenciale më 2 prill.

Ndërsa studentët dominojnë vijën e parë të «protestës kundër diktaturës», grupe të tjera shoqërore janë bashkuar gjithashtu.

Kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e qeverisë. Vuçiq ka reaguar duke thënë se protestat janë të ligjshme derisa nuk kalohet në dhunë.

Pjesëmarrësit do të vazhdojnë protestat pas Pashkëve.

Maqedonia – frikë për dhunë

Nacionalistët protestojnë në Maqedoni. Foto: MIA

Nacionalistët protestojnë në Maqedoni. Foto: MIA

Pushimet e Pashkëve në Maqedoni vijnë në mes të një krize të thellë që ka në qendër refuzimin nga presidenti Gjorge Ivanov dhe partia VMRO DPMNE për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit dhe për të lejuar formimin e një koalicioni qeveritar të drejtuar nga social demokratët në opozitë.

Pas thirrjeve të shumta të VMRO DPMNE që njerëzit «të mbrojnë vendin» nga rreziku i formimit të qeverisë së re, mbështetës të VMRO DPMNE kanë protestuar vazhdimisht në kryeqytet dhe në qytete të tjera në vend.

Protestuesit, si dhe «shoqatat e reja patriotike» kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm të kalojnë në dhunë nëse social demokratët marrin hapat për krijimin e qeverisë së re.

Shqipëria – bojkoti opozitar kërcënon zgjedhjet

Lulzim Basha mban një fjalim në çadrën e protestës. Foto: Facebook

Lulzim Basha mban një fjalim në çadrën e protestës. Foto: Facebook

Që nga shkurti, opozita ka bojkotuar parlamentin dhe ka ngritur një tendë në Tiranë si shenjë proteste kundër qeverisë së drejtuar nga socialistët.

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar që kryeministri Rama të japë dorëheqjen dhe të lejojë formimin e një qeverie teknike që mund të drejtojë vendin me thirrjet për zgjedhje «të lira dhe të ndershme».

Opozita pretendon se paratë e fituara nga kultivimi i përhapur i kanabisit mund të përdoren nga partitë qeverisëse për të manipuluar zgjedhjet.

Për më tepër, të hënën, 27 parti opozitare refuzuan të regjistrohen në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk është e qartë nëse zgjedhjet do të mbahen.

Më 19 prill, parlamenti pritet të hapë procedurat për votimin e një presidenti të ri, që do ta shtojë tensionin politik.

Kosova – lëvizje e re për rrëzimin e kryeministrit Mustafa

Parlamenti i Kosovës. Foto: BIRN.

Parlamenti i Kosovës. Foto: BIRN.

Kosova e fillon festën me përpjekje të reja nga opozita për të përmbysur qeverinë e Isa Mustafës.

Nisma për Kosovën në opozitë, ka filluar një mocion të ri mosbesimi për koalicionin qeveritar të Mustafës, i cili është mbështetur nga dy parti të tjera, Vetëvendosja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK.

Opozita po përpiqet të bindë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, për të siguruar vota të mjaftueshme për të larguar Mustafën.

Ndërkohë, partitë në qeveri po përpiqen të marrin votat e nevojshme për ratifikimin e një marrëveshje polemike demarkacioni të kufirit me Malin e Zi.

Parlamenti nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen, për shkak të rezistencës së fortë nga partitë opozitare që pretendojnë se vendi po fal një pjesë të territorit të vet.

Por Bashkimi Europian ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes është kushti kryesor për liberalizimin e regjimit të vizave me Kosovën.

Rumania – nuk ka qetësi për social demokratët në qeveri

Qeveria rumune, e udhëhequr nga social demokratët është në qendër të kritikave për rritjen e pagave dhe heqjen e taksave mbi të ardhurat, pa vlerësuar efektet në buxhetin e shtetit dhe në ekonomi, ndërkohë që deputetët dhe ministrat e partisë në pushtet vazhdojnë përpjekjet për të lehtësuar legjislacionin anti-korrupsion.

Qeveria ka vendosur të rrisë pagat e nëpunësve me etapa në vitin 2022, edhe pse ekonomistët dhe Banka Qendrore paralajmërojnë se ekonomia nuk ka kapacitet për të mbuluar rritje të tilla. Pothuajse një e treta e buxhetit do të shpenzohet për paga, paralajmërojnë ekspertët.

Qeveria gjithashtu planifikon të ulë tatimin mbi të ardhurat nga 16 për qind në 10 për qind, dhe në 0 për ata që fitojnë më pak se 2,000 lei (450 euro) në muaj. Ekonomistët paralajmërojnë se heqja e taksave do të çojë në shpenzime të tjera.

Bosnja – grindjet etnike po kthehen në luftëra ndërpartiake

Tre drejtuesit e Bosnjës në takim. Foto: Anadolu

Tre drejtuesit e Bosnjës në takim. Foto: Anadolu

Anëtarët e presidencës tre-palëshe të Bosnjës kanë mbajtur një seancë të martën pas gati tre muajsh që nuk mblidheshin, edhe pse rregullat thonë se ata e kanë të detyruar të mbajnë seanca të paktën një herë në çdo dy javë.

Arsyeja për bllokimin e gjatë është zemërimi i serbëve të Bosnjës prej një përpjekje të dështuar nga boshnjakët në vend, e udhëhequr nga anëtari i presidencës boshnjake Bakir Izetbegoviq, për të apeluar një vendim gjenocidi që zhveshi Serbinë nga akuzat për pjesëmarrje në gjenocidin e Srebrenicës gjatë luftës së viteve 1992- 1995.

Anëtari serb i presidencës Mladen Ivaniq dhe anëtari kroat Dragan Çoviq bllokuar apelimin, duke e akuzuar Izetbegoviqin se e ndoqi apelin pa marrë një konsensus.

Çoviq gjithashtu dënoi Izetbegoviqin pasi ai bllokoi procesin e kroatëve për të formuar entitetin e tyre në Bosnje, ashtu siç kanë bërë serbët me Republika Sërpska.

Mosmarrëveshjet ndëretnike në Bosnje po kthehen në mosmarrëveshje ndërpartiake, teksa partitë serbe në Republika Sërpska po luftojnë për pushtet mes tyre, si dhe me partitë kombëtare boshnjake.

Bullgaria – me një qeveri tjetër

Bullgaria duket se i është afruar formimit të një qeverie tjetër të tretë brenda pesë vjetësh – një periudhë e shënuar nga protesta masive dhe trazira politike.

Partia udhëheqëse e qendrës së djathtë, GERB, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme të 26 marsit dhe koalicioni nacionalist Patriotët e Bashkuar, që dolën në vendin e tretë, kanë rënë dakord për një program për koalicionin e tyre qeverisës lajmëruan të enjten liderët e dy partive.

Ministrat dhe detajet e tjera pritet të miratohen pas pushimeve të Pashkëve.

(https://www.reporter.al/trazirat-politike-i-zbehin-harene-pashkeve-ne-ballkan/)