Trashëgimia kulturore për të katërtën herë nën mbrojtje të përkohshme

Ani pse është obligim ligjor në fushën e trashëgimisë kulturore, Kosova tash e 15 vjet s’e ka Listën e monumenteve nën mbrojtje të përhershme.




Për të katërtin vit me radhë, Listës së përkohshme i është shtuar afati edhe për 365 ditë, përderisa Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore zotohet se do të përshpejtojë hapat për atë që është dashur të bëhej prej vitit 2006, kur u miratua Ligji për trashëgimi kulturore në të cilin përcaktohet edhe mbrojtja e përhershme e aseteve, shkruan sot «Koha Ditore».

Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, të premten e javës së kaluar ka vënë nënshkrimin në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Me hedhjen e firmës në listë ia ka shtuar asaj edhe 94 asete të tjera, të cilat tash gëzojnë mbrojtjen ligjore si prona të trashëgimisë kulturore. Tash shteti ka në mbrojtje 1.525 monumente për dallim nga përbërja e listës së kaluar, ku numëroheshin 1.441 të tilla.