Transportuesi privat i bart pa kompensim nxënësit e Debëlldehut

Transporti për 24 nxënësit e fshatit Debëlldeh nuk është ndërprerë falë vullnetit të transportuesit. Megjithëse Komuna nuk e ka kompensuar ai po vazhdon t`i bartë fëmijët.




Zymri Ilazi, kryetar i fshatit Debëlldeh, ka deklaruar se në momentin që transporti t’u ndërpritet dhe të kërkohet pagesa në shumë prej 30 eurove për secilin nxënës, do t’i ndalin fëmijët nga shkolla, shkruan sot «Koha Ditore».

«Edhe sot ka vazhduar që t’i bartë. Ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me të dhe për transportin e fëmijëve tanë ne ua kemi bërë të qartë autoriteteve komunale të Vitisë se nëse ndodh ndërprerja e transportit edhe nxënësit nuk do të shkojnë në shkollë. Asnjë banor në fshatin Debëlldeh nuk i ka kushtet ekonomike që të paguajë transportin për fëmijë. Tash si e rregullojnë ata këtë gjë është punë e tyre. Mirëpo nxënësit tanë do të shkojnë në shkollë përderisa ka transport, sepse këtu ne nuk kemi as linjë të autobusit dhe kombibusit. Komuna e Vitisë mohon se ka paguar transportin edhe vitin e kaluar, mirëpo kjo është çështje e tyre. Me rëndësi është ne që t’i kemi fëmijët në shkollë dhe të na sigurohet kjo nga komuna», ka thënë ai.

Ndryshe, tensionet në mes të banorëve të fshatit Debelldeh dhe Komunës së Vitisë janë rritur këto ditë pas paralajmërimit të autoriteteve komunale se ata nuk do të financojnë transportin e nxënësve të këtij fshati pranë kufirit me Maqedoninë.