Tradhti e trefishtë

Donald Trumpi i ka poshtëruar demokracinë e Amerikës, forcat e sigurisë së vendit të tij dhe Perëndimin. Kjo është diçka e hidhur. Më e hidhur është vetëm heshtja në Washington.

Ilustrimi: Shutterstock

Në Kushtetutën amerikane ekziston i ashtuquajturi Treason Clause. Neni III, paragrafi 3. Aty përcaktohet se cilat vepra konsiderohen tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara. Pragu për verifikimin e fajësisë dhe për dënim është i lartë. Kësisoj, tradhtar është një amerikan, i cili lufton kundër vendit të tij; ose ai i cili u ndihmon armiqve, duke u qëndruar pranë atyre me «këshilla e vepra». Këtë duhet ta konfirmojnë dy dëshmitarë para gjyqit. Ndëshkimi është drastik: një tradhtar i zbuluar, kështu shkruan në një ligj federal (amerikan), «shall suffer death».

Shikuar në aspektin e pastër juridik ajo çfarë bëri Donald Trumpi të hënën në Helsinki nuk e plotëson këtë definicion qëllimisht të ngushtë të tradhtisë. Në praninë e kolegut të tij rus, presidenti amerikan tregoi lloj-lloj marrëzirash bizare, të turpshme dhe të rrezikshme. Mirëpo, Amerika nuk është duke zhvilluar luftë kundër Federatës Ruse. Rusia, në fakt, është kundërshtare strategjike e SHBA-ve, por nuk është armik ushtarak, të cilit Trump i ka krijuar një përparësi në fushëbetejë. Por, këto janë cikërrima juridike. Shikuar në aspektin politik, paraqitja e tmerrshme e Trumpit në Helsinki është pikërisht – tradhti. Madje e trefishtë.

Trump së pari i ka tradhtuar të gjithë ata që çdo ditë përpiqen ta mbrojnë Amerikën nga sulmet e kundërshtarëve. CIA, FBI dhe të gjitha autoritetet e sigurisë gjithsesi nuk janë shenjëtorë, ato qëndrojnë pas shumë flliqësirave. Askush nuk duhet t’u besojë atyre verbërisht. Por, fakti se presidenti i SHBA-ve ngulë këmbë dhe i hedh anash të gjitha dëshmitë, të cilat i kanë mbledhur këto autoritete dhe të cilat dëshmojnë se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 Rusia ka organizuar një fushatë të gjithanshme të sabotazhit dhe manipulimit në SHBA, kjo është e pashembullt. Fakti se ai i thotë botës se i beson më shumë Vladimir Putinit, njeriut dikur pjesëtar të KGB-së se zyrtarëve të tij, është një shkelje spektakulare e besimit, një tradhti ndaj sigurisë amerikane.

Së dyti, Trumpi e ka tradhtuar demokracinë e Amerikës. Gjatë fushatës elektorale shërbimet e Putinit përmes internetit kanë nxitur urrejtje, mosbesim dhe frikë në SHBA. Qëllimi ka qenë që njerëzit të bëhen të pasigurt dhe të radikalizohen. Po ashtu ata kanë depërtuar në serverët e organizatave të demokratëve amerikanë. Të dhënat e vjedhura me atë rast janë publikuar për të dëmtuar kandidatgen demokrate Hillary Clinton. Putini dëshironte që Trump të fitonte zgjedhjet, sepse e konsideronte atë për kundërshtar më të lehtë se Hillary Clintonin. Këtë e pranoi presidenti rus të hënën. Rrjedhimisht, ai ka ndikaur që shërbimet e tij të ndihmojnë pak.

Kjo përzierje në zgjedhje ishte një akt armiqësor i Rusisë kundër demokracisë amerikane, pa marrë parasysh a ishin apo jo të suksesshëm rusët. Por, Turmp është i paaftë ta shohë këtë dhe ta thotë. Ai sillet kështu për shkak se atij aq i bën për integritetin e demokracisë amerikane; nga ana tjetër ai sillet kështu për të shmangur dyshimet në lidhje me ligjitimitetin e fitores së tij në zgjedhje – këto dyshime do të rriteshin nëse do të pranonte se i kanë dalë në ndihmë trollët dhe agjentët e Moskës.

Trump është i tërbuar për shkak se kundërshtarët e tij e akuzojnë se ka qenë i informuar mbi sabotimin rus ose madje ka qenë i përfshirë në të. Ai e urren këtë gjoja «gjueti shtrigash» dhe i frikësohet hetimeve të Robert Muellerit. Por, nuk bëhet fjalë për këtë. Sulmet (e dëshmara) të Rusisë ndaj zgjedhjeve në Amerikë dhe kolluzioni (deri më tani i padëshmuar) i Trumpit janë dy gjëra të ndryshme. Por, egomani Trump këtë nuk mund ta ndajë, sepse për të çdo gjë sillet rreth Trumpit. Për t’i bindur amerikanët për pafajësinë e tij, ai për këtë arsye në Helsinki e shpalli edhe Putinin të pafajshëm.

Së treti, Trump ka tradhëtuar Perëndimin. Sërish, këtë duhet thënë. Takimi me Putinin u zhvillua në fund të një vizite në Europë, gjatë së cilës presidenti amerikan – gjoja një aleat – së pari gati e shkatërroi NATO-n me kërcënimin për largim nga anëtarësimi dhe pastaj e poshtëroi kryeministren britanike. Në Helsinki ai aleatëve tashmë të trodnitur ua bëri të qartë se me mikun e tij të besueshëm në Moskë ka qëllime të mëdha dhe madhështore. Nëse në të ardhmen në Europë shfaqen burra të armatosur me uniforma të blerta, nëse rrëzohen avionë civilë apo nëse zgjedhjet manipulohen përmes fushatave të rrenave dhe urrejtjes, atëherë nga Trumpi nuk duhet pritur ndihmë. Ai do ta pyes Putinin dhe ai do të thotë se bora e bardhë që sapo ka rënë dhe të cilën e sheh secili, në të vërtetë është e zezë. Dhe Trump do të besojë.

E gjithë kjo është tragjike dhe e hidhur. Por, kjo është çfarë pritet nga Donald Trumpi. Më e hidhur është heshtja frikacake e të gjithë njerëzve në Washington, të cilët e dinë se çfarë dëmi po shkakton presidenti dhe të cilët nga frika apo oportunizmi shikojnë anash dhe më tutje punojnë me të apo për të. Ata janë bashkëpunëtorët e një tradhtari.