Tom Hardy personazh në filmin mbi luftën në Bosnjë

Aktori britanik Tom Hardy do të realizojë dhe marrë pjesë në një film mbi eksperiencat e gazetarit anglez Anthony Loyd gjatë luftës në Bosnjë dhe betejën e tij me abuzimin me drogën.

Tom Hardy | Photo nga : Wikimedia



Revista “Variety” raportoi se aktori anglez Tom Hardy do të realizojë dhe do të jetë protagonist në filmin “My war gone by, I miss it so”, i cili bazohet në kujtimet e vitit 1999 të Anthony Loyd, një korrespondenti anglez në luftën në Bosnjës.

Libri tregon se si Loyd, një ish-oficer i Ushtrisë Britanike, i cili ishte shndërruar në një njeri me varësi ndaj heroinës, erdhi në Bosnje në vitin 1993 për t’u bërë një korrespondent lufte, duke e shkëmbyer drogën me adrenalinën që të jepte mbulimi i konfliktit të dhunshëm.

Nëpërmjet një sërë përshkrimesh të zymta të tmerreve që ai pa në vend, autori tregon se si lufta në të njëjtën kohë e tmerronte dhe e magjepste.

Loyd dalëngadalë arriti të shikonte nacionalistët serbë si agresorët kryesorë në Bosnje dhe myslimanët si viktimat kryesore. «Paanshmëria ime e lëkundur nuk ekzistonte më», shkruan ai. «Isha për sulme ajrore, për ndërhyrjen e NATO-s, për armatosjen dhe trajnimin e myslimanëve. Besoja se në rrezik ishte diçka tepër e rëndësishme».

Filmi është një histori brutale e megjithatë e ndjeshme, e cila trajton si natyrën e varësisë ashtu edhe përvojën e luftës.

«Më bëri shumë përshtypje puna, fjalët dhe eksperienca e Anthony dhe për mua i tiji është një zë i rëndësishëm dhe një libër i rëndësishëm», tha Hardy për Variety.

Filmi do të jetë me regji të Gavin O’Connor dhe Scott LaStaiti.

«Kujtimet e Anthony-t ishin dashuri që në faqen e parë. Një portretizim i luftës që s’e kisha lexuar kurrë më parë», tha O’Connor për revistën.

«Një tregim i afërt dhe personal i një të droguari që raportonte nga rashët e para të luftës në Bosnjë – konflikti më i përgjakshëm që Europa ka dëshmuar që nga Lufta e Dytë Botërore – që përdor adrenalinën e luftës për të hequr dorë nga varësia e tij ndaj drogës. Është një libër i shkruar me të dy grushtet. Është «Apokalipsi tani» i Anthony-t. Ndihem i privilegjuar dhe i nderuar për mundësinë për ta sjellë librin në një film», shtoi ai.

Nuk është bërë publik ende asnjë informacion shtesë në lidhje me kohën, aktorët apo vendin ku do të realizohen xhirimet.

(https://www.reporter.al/tom-hardy-personazh-ne-filmin-mbi-luften-ne-bosnje/)