Tollovi e madhe në pyllin e citateve

Edhe një përgjigje në fund të bashkëbisedimit me Halil Matoshin.

Përmendorja e Skënderbeut para selisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë. Foto: Shutterstock

Halil,

e mbijetova edhe një atak me citate nga ana jote. Shumësi pa cilësi, për fat të keq. Është mbresëlënës zelli yt për lexim dhe për renditje citatesh, teorish, definicionesh. Për kombin. Kombet. Shtetin. Shtetet. Por, çdo politolog serioz dhe njohës i teorisë së kombformimit do ta thotë këtë: ideja e «kombit kosovar» tash për tash nuk shihet askund në horizont. Askush nuk e mohon faktin se një ditë mund të lind kombi kosovar, bile me pavarësimin e Kosovës gjasat për këtë automatikisht rriten, por tash për tash flamurtarët e kësaj ideje janë në defensivë për shkak se nuk gëzojnë mbështetje. Çdo teori duhet t’i nënshtrohet testit në terrenin real. Pa u përqafuar ideja e «kombit kosovar» nga njerëzit, s’ka komb të tillë. Është si puna e fesë: nëse ti gjen mjaft besimtarë, e themelon një fe të re. Hendeku mes definicioneve juridike apo teorike të kombit mbetet i madh karshi realitetit në terren.

Më vjen keq që argumentin tim se mund të ketë komb me dy shtete je përpjekur ta heshtësh, ta deformosh dhe shpërfytyrosh. Thua se në hekurudhën që e lidhte etninë koreane tashmë janë rritur lisa. Kjo mund të jetë e vërtetë, por po aq e vërtetë është se sa herë që Korea e Veriut u jep leje shtetasve të vet të takojnë të afërmit e tyre në Korenë Jugore, në televizion shohim skena me njerëz që qajnë. Ata nuk po qajnë për ndonjë katund të Kosovës, por për shkak se ndihen pjesë të një kombi, një etnie, një populli, quaje si të duash. Qe edhe një shembull: Austro-Hungaria nuk ka arritur të formojë kombin e përbashkët të krejt qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës pas aneksimit të këtij vendi. Kur ta përmenda, në bisedë private, se shkencëtarët Candice Kountz dhe Robert Long kanë botuar në «Harvard Political Review» një studim në të cilin kurdët i quajnë komb pa shtet, pra një komb që lidhet nëpërmjet të identitetit dhe është i ndarë me kufij, përgjigjja jote lapidare ishte kjo: «Këta janë autorë minorë». E po mirë, ta lëmë që vetëm autorët që citon ti nuk mund t’i kontestojë askush. Sepse ti mendon ashtu. Intelektuali nuk flet me «ne», por me «unë», thua ti. Mund të numëroj më shumë se dhjetë shembuj ku filozofi gjerman Jürgen Habermas flet me «ne». Andaj mënyra se si je kapur pas kësaj cikërrime nuk më duket punë e hairit.

Mes shumë gjërave të tjera që më shqetësojnë në përpjekjen tënde për argumentim është sjellja prej pronari të së vërtetës, siç ke nisur ta praktikosh. Në reagimin e fundit, me gjasë për t’i dhënë fuqi argumenteve tua, thua: «Po, jam stuhia vetë!» Me vetë faktin se e ke shpallur veten stuhi, pra fuqi natyrore, diçka ende më të madhe se mbinjeriu i Friedrich Nietzsches, mendoj se e bën të pamundshëm bashkëbisedimin. A flitet me stuhi? Jo, unë dhe të gjithë ata që janë pak skeptik ndaj furisë tënde vetëm duhet të ulim kokën dhe të presim çka do të bëjë vaki pas stuhisë. Ky fjalor yti biblik nuk e ka vendin në një debat për kombin dhe shtetformimin.

Shqetësimi i radhës: si është e mundur që të gjithë ata që janë pajtuar me ndërhyrjet e mia në këtë debat t’i quash lexues shakaxhi («hajgarexhinj», thua ti)? A domethënë kjo se vetëm ata që pajtohen me ty janë lexues seriozë? Nuk e besoj. Ne pak a shumë i kemi lexuesit e njëjtë. Nuk kam shkruar me tendencë që teksti im të pëlqehet. Lexuesit e kanë lirinë e vet. Disa pajtohen, disa nuk pajtohen, e disa e shfrytëzojnë rastin për të llomotitur ndonjë gjë jashtë temës. Më duket se pak ke humbur në pyllin e citateve. Zbrit pak në terren. Dhe në terren situata është kështu: Plani i Ahtisaarit mund të thuhet se parashikon një komb kosovar, por çfarë ka ndodhur ndërkohë? Ndërkohë është thelluar ndarja etnike e Kosovës dhe pakica serbe do të ketë një asociacion komunash me flamur të vetin. Domethënë flamur që simbolizon identitetin serb. A domethënë kjo tani se duhet t’ia heqim një yll flamurit të Kosovës apo Kosova të ketë flamur krejt tjetër, që simbolizon identitetin shqiptar? Nuk po kërkoj një gjë të tillë, por po pyes.

Tani që argumentet tona janë para lexueseve dhe lexuesve, t’ua lëmë atyre të krijojnë mendimet e tyre. Unë mendoj se kjo është e nevojshme në një demokraci. Nëse e duam demokracinë, ta tolerojmë edhe mendimin ndryshe. Nuk ka demokraci pa mendim ndryshe.

Që të jesh rehat me veten: unë jam mbështetës i madh i Republikës së Kosovës. Mendoj se dy shtete me shumicë shqiptare në Ballkan nuk janë kurrfarë pengese për zhvillim. Por, e kam një frikë: mbetja e Kosovës si shtet i papërfunduar edhe për një kohë të gjatë, mund të bëhet sebep që në skenat tona politike si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë të shfaqen imitues të Vojislav Sheshelit. Elitat politike duhet të jenë serioze dhe të mos bien pre e sheshelizmit shqiptar që sheh ëndrra të mëdha: do ta çlirojmë Çamërinë, do ta marrim Preshevën, do ta bëjmë Maqedoninë perëndimore (unë i them Maqedoni shqiptare) pjesë të Shqipërisë etnike, do ta kthejmë Plavën e Gucinë në gjirin e ngrohtë të «nënës Shqipëri». Këto janë lojëra me zjarr, sepse mund të na fusin në konflikte të mëdha me të gjithë fqinjët, disa prej të cilëve janë edhe anëtarë të NATO-s. Dhe, siç e di, NATO e mbron sovranitetin e çdo vendi anëtar. Andaj më vjen neveri kur shoh djem e vajza, me profesion shqiptar, duke mallkuar pasaportën e Kosovës dhe duke thënë: «Mos vdeksha pa e marrë pasaportën e Shqipërisë».

Që të dihet njëherë e përgjithmonë: Shqipëria si shtet me anëtarësimin në NATO ka garantuar dhe është obliguar të respektojë paprekshmërinë e kufijve në rajon. Të njëjtën duhet ta bëjë edhe nëse një ditë hyn në Bashkimin Europian. Siç po e sheh në shumë gjëra pajtohemi. Por, apeloj te ti që zhvillimet t’i shikosh pak më gjerë, jo vetëm nga prizmi i kombit kosovar. Kaq pata. Ndoshta ka njerëz më të mençur që duan ta vazhdojnë dhe pasurojnë këtë debat. T’ua lëmë radhën edhe atyre. Në këtë mes, natyrisht, nuk hyjnë injorantët që vetëm dinë të gërvallen për «kombin kosovar», ndërkohë që janë bashkëpjesëmarrjes në zhvatjen e Kosovës, në kaosin politik, në prodhimin e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën dhe në humbjen e besimit ndaj shtetit.