Tokë për paqe: një aventurë me harta sipas agjendës serbe

Serbisë i është hapur dera për të kërkuar territor të Kosovës. Këtë apetit të Serbisë e kanë akceptuar John Boltoni, kancelari i Austrisë, Franca dhe plot e përplot lobistë që paguhen nga buxheti i Kosovës (përmes zyrës së presidencës). Kjo është gjendja e fakteve. Dhe me këtë situatë duhet të merret tash Kosova politike.

Ilustrimi: Shutterstock



E vërtetë është se John Bolton, këshilltar për siguri nacionale i Donald Trumpit, në gusht të vitit të kaluar ka thënë se SHBA-të nuk do të kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë. Më saktë: Washingtoni nuk përjashton një përshtatje territoriale. Ky lajm mund të lexohet në webfaqen e Radios Europa e Lirë, një medium që mbështetet financiarisht nga Kongresi amerikan. Përshtatje territoriale domethënë: Serbia merr diçka nga veriu i Kosovës dhe Kosova merr diçka nga Lugina e Preshevës (Serbia jugore). Detajet nuk dihen ende.   Ideja për «korrigjimin» e kufijve nuk është ide amerikane. Me këtë ide në Washington kanë shkuar presidenca e Serbisë dhe e Kosovës. Dhe pala trumpiste amerikane ka reaguar kështu: nëse ju merreni vesh, ne nuk ju pengojmë, por në fund do ta shqyrtojmë marrëveshjen. (Këtë e thonë burime të besueshme amerikane).

Tani po thuhet se dy zyrtarët amerikanë që po qëndrojnë për vizitë në Prishtinë kanë përjashtuar korrigjimet territoriale, delimitimin e kufirit, shkëmbimin e territoreve. A janë këta zyrtarë më të fuqishëm se shefi i tyre John Bolton? Jo. Andaj premtimet e tyre (nëse kanë bërë këso premtime) duhet marrë me rezervë. Nëse po kërkohet demarkim i kufirit me Serbinë, përse nuk po insistohet nga Washingtoni dhe Brukseli i Federica Mogherinit që kjo të bëhet pasi Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës? Demarkimi i kufirit me Malin e Zi është bërë pasi Podgorica e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Fjalët «demarkim» dhe «korrigjim» janë vetëm sinonim për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Serbisë i është hapur dera për të kërkuar territor të Kosovës. Këtë apetit të Serbisë e kanë akceptuar John Boltoni, kancelari i Austrisë, Franca dhe plot e përplot lobistë që paguhen nga buxheti i Kosovës (përmes zyrës së presidencës). Kjo është gjendja e fakteve. Dhe me këtë situatë duhet të merret tash Kosova politike.

Lobistët thonë: Serbisë duhet dhënë një copë territor të Kosovës që Aleksandër Vuçiqi ta ruajë fytyrën para popullit serb, të cilit do t’i thotë: «Kaq ishte e mundshme, të dashur serbë»! Çka ofron Vuçiqi? Deri më tani asgjë. Flet për rrudhje të kufijve të Kosovës dhe çirret nga Vranja në Suboticë se nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Nuk ka folur asnjëherë se cilat katunde do t’ia japë Kosovës. Disa do t’ia «falë», sepse – kjo është shpresa e tij dhe për këtë do të kujdeset Serbia – shqiptarët që do të mbesin në Luginën e Preshevës do të largohen nga atje brenda pak viteve. E çka do të bëhet me serbët e Graçanicës, Gorazhdecit, Kllokotit, Ranillugut? Këta serbë Beogradi dëshiron t’i mbajë në Kosovë si pakicë të superprivilegjuar, andaj as Beogradi, as Boltoni, as Mogherini nuk flet për zhbërjen e Planit të Ahtisaarit, që serbëve të Kosovës u jep një autonomi lokale tepër të gjerë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës trajtohen thjeshtë si masë amorfe. Për të drejtat e tyre në Serbi nuk flet askush.

Kutia e Pandorës është hapur sa i përket të ardhmes së Kosovës. Mund të akuzohet Hashim Thaçi për këtë situatë në të cilën është fundosur vendi. Por, e vërteta është pak më e komplikuar: ku ishit ju trima e patriotë që sot bëheni sikur mbroni Kosovën, por gjatë gjithë këtyre viteve keni pritur në rend për t’i shërbyer PDK-së? Tash aventura me harta ka filluar, agjenda është serbe, por me protagonistë shqiptarë – në Prishtinë dhe Tiranë. Po Trumpi? Ai së pari e shpalli veten gjeni, pastaj tha se sa çel e mbyllë sytë do të zgjidhë konfliktin me Korenë e Veriut, por sot i dëshpëruar i largua nga Vietnami dhe tash – tash i pret Aleksandar Vuçiqin dhe Hashim Thaçin në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar «marrëveshjen historike». Ballkani është gati për parodinë e ardhshme.