Toka e kuqërremtë dhe krenare e Namibisë

REPORTAZH – Si shumë vende afrikane edhe Namibia ka një të kaluar me vuajtje të mëdha. Ky vend ka qenë koloni gjermane – dhe «gjurmët gjermane» vërehen kudo në Uindhuk, kryeqytetin namibian. Pavarësia e vendit më 1990 erdhi pas dekadash përpjekjeje diplomatike dhe të armatosur, dhe në kohën e ndryshimeve të mëdha demokratizuese në rrafshin ndërkombëtar. Fytyrat dhe emrat e atyre që çliruan vendin hasen kudo: në monedha, emra rrugësh e institucionesh, në libra e folklor. Siç ndodhë zakonisht në shoqëri të tilla ku rezistenca e djeshme bëhet peng i progresit të së nesërmes, vërehet një lodhje tek populli namibian i cili është gati për të hapur një kapitull të ri në historinë e tij të re.

Pamje nga Uindhuku, kryeqyteti i Namibisë. Foto: Armend Bekaj



Stafi i kompanisë ajrore lajmëron se aeroplani i Air Namibia është gati për të pritur pasagjerët. Ora afron shtatë e mbrëmjes dhe ne përgatitemi për fluturim. Relacioni Frankfurt-Uindhuk (lexo: Uind’huk) zgjatë plot njëmbëdhjetë orë. Për fat, avioni është gjysmë bosh, gjë që të jep mundësi të bësh një sy gjumë duke u shtrirë në dy karrige apo, po të jesh me fat dhe të mos kesh askënd afër, në tri sosh. Edhe pse destinacioni ynë është shteti afrikan në cepin jugor të kontinentit, shumica dërrmuese e pasagjerëve janë qytetarë gjermanë, apo gjermanë që jetojnë në Namibi (gjermano-namibianë?). Nga një vëzhgim i thjeshtë, është e pamundur të diferencosh në mes të gjermanit dhe gjermano-namibianit. Sidoqoftë, poenta është që shumica në aeroplan ishin të bardhë.

Aeroporti i Uindhuk-ut i ngjason një hambari të madh deri diku të mirëmbajtur. Ta kujton Aeroportin e Prishtinës menjëherë pas luftës. Një ngjashmëri tjetër është se Aeroporti i Uindhuk-ut, ashtu si ai i tanishmi i Prishtinës, mbanë emrin e njërit prej prijësve të rezistencës dhe luftës së popullit namibian për pavarësi. Quhet Aeroporti «Hosea Kutako».

Duhet së paku gjysmë ore rrugë me veturë që të mbërrish nga Aeroporti në kryeqytetin e Namibisë, Uindhuk. Rruga deri atje kalon nëpër fusha të shtrira larg në distancë, që eventualisht kufizohen me male e kodrina në horizont. Toka është gati krejt e thatë, e skuqur nga thatësia, me vegjetacion të përkorë dhe gumëzhitës. Derisa i jep makinës kalon mbi shumë ura të vogla, poshtë të cilave dallon shtratin e lumenjve apo përroskave pa pikë uji. Më thonë se sezoni i shirave duhet të fillojë së shpejti, dhe se ky peizazh ndryshon krejtësisht atëherë. Në tërë këtë hapësirë të gjerë nuk dallon thuajse asnjë shtëpi, asnjë njeri. Ato pak shtëpi që mund të dallosh në distancë janë të fermerëve gjermanë. Ata janë pronarë të qindra e qindra hektarëve tokë anekënd këtij peizazhi të etur për ujë.

Gjurmë gjermani, gjak e gjenocid…

Hyrja në Uindhuk është një përvojë me të vërtetë surrealiste. Sa më shumë që depërton brenda lagjeve periferike dhe i afrohesh qendrës, aq më shumë të përforcohet ndjesia se gjendesh në një paralagje gjermane. Thuajse je duke vozitur në periferi të qytetit të Stuttgartit, por të një Stuttgarti ku temperatura e mëngjesit tashmë afrohet në 30 gradë celsius. Infrastruktura rrugore është jashtëzakonisht mirë e zhvilluar. Ndërtesat, shtëpitë janë mirë të ndërtuara, të paktën ato në qytetin e Uindhukut. Në njërin breg të qendrës së qytetit gjendet «Kisha e Krishtit» (në gjermanisht: Christuskirche), një kishë kjo e hijshme luterane, e ndërtuar nga gjermanët në fillim të shekullit XX. Rrugët kryesore dhe avenytë marrin emra liderësh botërorë si Fidel Castro, Robert Mugabe, dhe bashkëjetojnë krah për krah me emra rrugësh që mbarojnë me Strasse (gjermanisht për «rrugë»). Disiplina, rendi, pastërtia dhe qetësia karakterizojnë qendrën e Uindhukut. Trashëgimia gjermane në arkitekturë dhe dizajn është më se evidente.

Ky vend ka qenë koloni e gjermanëve prej kohës së Otto von Bismarck-ut në vitet 1880-a e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë kur e tërë Afrika qe bërë fushëbetejë pazaresh të shteteve imperialiste europiane, edhe Gjermania kishte arritur të pushtojë këtë kënd të kontinentit, të pasur me diamante. Dihet se të tjerët si Britania, Franca, pastaj Belgjika, Portugalia apo Holanda kishin grabitur copa të mëdha të tokës afrikane, duke shfrytëzuar e shtrydhur çdokënd dhe çdo gjë që ajo tokë kishte pjellë. Njeriu i bardhë kishte sjellë «civilizimin» dhe kishën, dhe kishte marrë përsipër misionin gjoja të fismë që njeriun e zi ta bënte njeri, mision ky që i bardhi ia dha vetvetes në mënyrë të njëanshme se kush nuk ia kishte kërkuar. Poeti britanik i kohës Rudyard Kipling e quajti këtë mision «barra e njeriut të bardhë» dhe, për çudi, e kishte seriozisht.

Gjermania ishte e vonshme në ngarendjen e babëzitur për krijimin e kolonive në Afrikë. Namibia qe vendi ku gjermanët arritën të vendoseshin dhe të ndërtonin pushtet. E pagëzuan me emrin Afrika Jug-Perëndimore Gjermane. Represioni ndaj popullatës vendore ishte mjaft mizor. Rebelimet e popullit kundër pushtimit shtypeshin pamëshirshëm. Në dekadën e parë të viteve 1900, fiset Herero dhe Namaqua nisën një lëvizje të armatosur kundër gjermanëve. Përgjigja gjermane kundër këtyre dy fiseve ishte brutale: rreth 80 mijë pjesëtarë u masakruan, apo afro 80 për qind të të dy fiseve. Ata që mbetën gjallë u burgosën, u persekutuan, u çrrënjosën nga tokat e tyre, u vendosën në vendbanime të izoluara dhe të segreguara. Sot e kësaj dite, për popullin dhe qeverinë namibiane ajo që ka ndodhur këtu para një shekulli konsiderohet të ketë qenë gjenocidi i parë i shekullit XX. Për nga metodat dhe planifikimi sistematik duket si pararendëse e Holokaustit që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjermania e sotme ka dërguar sinjale nëpërmjet zyrtarëve të caktuar se ndoshta është e gatshme ta njohë këtë krim si gjenocid dhe të kërkojë falje për këtë. Por kjo ende nuk ka ndodhur. Çështja vazhdon të jetë një burim tensionimi ndërmjet shtetit të Namibisë dhe atij gjerman.

Sot, Namibia ka rreth 2,5 milion banorë, prej të cilëve rreth 7 për qind janë të bardhë (kryesisht gjermanë, apo gjermano-folës). Edhe pse me popullatë është pak a shumë sa Shqipëria, me territor Namibia është më e madhe se Franca. Sa për krahasim, Franca sot ka gati 70 milionë banorë. Dhe prapëseprapë, edhe pse Namibia rangohet në ekonomi më lart se shumë shtete tjera afrikane, hendeku në mes të të varfërve dhe të pasurve është enorm. Në një anë sheh shtëpitë e bukura dhe simetrike, me oborr të bollshëm, pishina e gjelbërim, e në anën tjetër në periferi qytetesh dallon lagjet joformale apo geto-mëhallët të pllakosura në varfëri e mjerim. Sigurisht, pjesëtarët e bardhë të popullatës janë zotë të pjesës dërrmuese të tokës. Kjo është qartazi trashëgimi e kolonializmit. Të bardhët gjermano-folës janë fermerë e pronarë të qindra e mijëra hektarëve tokë. Ata posedojnë biznese dhe kultivojnë lidhjet profesionale e personale me Perëndimin. Edhe pse ka përzierje të të bardhëve e zezakëve, sidomos të brezave më të reja të klasave me afluente që shkojnë në shkolla të përbashkëta, këto dy komunitete – të bardhët dhe zezakët – gjithsesi vazhdojnë të kenë ekzistenca paralele.

Ngritja e mirëqenies sociale si dhe përafrimi i klasës së skamur me klasën e mesme – këto janë disa nga sfidat kryesore të qeverisë sot. Toka duhet të jetë e qasshme për një pjesë më të madhe të popullit; ajo nuk mund të mbetet monopol i një klase të privilegjuar. Mirëpo, në anën tjetër, këta të bardhë që jetojnë sot në Namibi janë po aq hisedarë të së sotmes namibiane sa edhe zezakët. Edhe për ta ky është shteti i tyre, dhe kjo është toka e tyre. Familjet e tyre janë këtu qe njëqind vjet e më shumë. Njeriu i sotëm nuk mund të jetë përjetë peng i gjynaheve të gjyshërve dhe stërgjyshërve të vet. Për më shumë, gjermanët me punën e tyre përfaqësojnë një prej damarëve më të rëndësishëm të ekonomisë namibiane: nëpërmjet bizneseve, njohurisë dhe pasurisë ekonomike ata janë shtyllë solide e shtetit namibian. Tamam puna që shteti të konfiskojë dhunshëm tokën e tyre, siç veproi Mugabe në Zimbabve, duke rrënuar kështu ekonominë e vendit të vet që në pjesë të konsiderueshme mbahej në këmbë nga sektori biznesor i të bardhëve. Mirëpo në Namibi mosproporcionaliteti i/e pasur (lexo: i/e bardhë) dhe i/e varfër (lexo: zezak/e) është më se evident, dhe si i tillë mbetet sfidë e mëtejme e shtetit.

Rezistencë, luftë, liri, pavarësi

Paralel me jetën e njeriut të bardhë vazhdonte të zhvillohej jeta e zezakut, njeriut autokton, që është edhe pjesëtar i popullatës shumicë në vend. Pas gjermanëve dhe Luftës së Dytë Botërore, territori i Namibisë së sotme kaloi nën administrimin e elitës së bardhë Boer të Afrikës së Jugut. Kështu edhe mbeti, nën kontrollin e elitës së bardhë jugafrikane deri në vitin 1990 kur fitoi pavarësinë. (Boerët janë pasardhës të kolonizatorëve holandezë që filluan të dyndeshin në jug të Afrikës në shek. XVII e tutje. Boerët, apo Afrikan(d)er, flasin gjuhën Afrikaan, që është një version i vjetër i një dialekti të holandishtes. Ata ishin pjesë e elitës së bardhë dhe e qeverisë së aparteidit në Afrikë të Jugut).

Rezistenca, lufta, rebelimi i qytetarit namibian për liri dhe pavarësi është e ngahershme. Breza të tërë janë lindur dhe rritur të farkëtuar në përpjekje për liri, në orvatje për të hedhur tutje zgjedhën e robërisë. Ato përpjekje u intensifikuan kah fundi i viteve ‘50 dhe fillimi i viteve ’60. Organizata kryesore politike doli të jetë Organizata Popullore e Afrikës Jug-Perëndimore (South West Africa People’s Organization [SWAPO]) me krahun ushtarak të quajtur Ushtria Popullore Çlirimtare e Namibisë (People’s Liberation Army of Namibia (PLAN)). Ideologjia e saj deri diku përkonte me marksizëm-leninizmin, por më shumë se bindje politike kjo ka gjasa të ketë qenë trend i kohës dhe i rrethanave. Si vend-koloni dhe i okupuar nga perëndimi kapitalist, është e kuptueshme që rezistenca vendase të merrte ngjyrime komuniste. Edhe rezistenca e organizatës së Nelson Mandelës ishte e tillë në fillim. Mirëpo, në esencë, këto organizata namibiane ishin nacionaliste dhe qëllim final kishin fitimin e lirisë dhe pavarësisë.

Të ndjekur, lidershipi i organizatës u detyrua të syrgjynoset dhe për më shumë se tridhjetë vjet udhëhoqi rezistencën nga jashtë shtetit. Ashtu si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) ose UÇK-ja që vepronte nga vendet e mërgimit si Zvicra apo Gjermania, udhëheqja e SWAPO dhe PLAN operuan nga shtetet fqinje si Angola, Zambia e Tanzania. Lufta e tyre nuk bëhej ndaj qytetarit të zi të Afrikës së Jugut (i cili edhe vetë jetonte nën dhunën e aparteidit), por bëhej ndaj elitës së bardhë që mbante në dorë kontrollin mbi vend dhe resurset e tij. Pavarësia e vendit më 1990 erdhi pas dekadash përpjekjeje diplomatike dhe të armatosur, dhe në kohën e ndryshimeve të mëdha demokratizuese në rrafshin ndërkombëtar.

Populli namibian është tejet krenar për rezistencën e vet ndaj pushtuesit. Muzeu Memorial i Pavarësisë në Uindhuk, nëpërmjet vizatimeve, fotografive, artifakteve e dorëshkrimeve, tregon storien plot lot e gjak të Namibisë që nga koha e kolonizimit, masakrave të përgjakshme mbi popullatën civile, për të rrëfyer pastaj për rezistencën e armatosur, dhe për t’u ndalur te arritja e lirisë dhe pavarësisë. Është një anë e historisë së këtij vendi që i ndan të bardhët dhe zezakët, duke i vendosur në anët kundërshtuese të këtij fronti historik. Derisa shoh ekspozitat në muze syri më shkon të disa gjermano-folës që gjenden para meje. A thua se si ndjehen ata kur dëgjojnë këto histori? Deri në ç’masë kanë qenë të njoftuar për brutalitetin, padrejtësitë?

Figura më eminente e rezistencës është pa dyshim ajo e babës së kombit të ri namibian, dr. Sam Nujoma. Ish-ushtarak, prijës politik i rezistencës, rebel në ekzil, shpallës i pavarësisë dhe presidenti i parë i Namibisë (1990-2005), dr. Nujoma me mjekrën e bardhë të tij duket si një bashkëdyzim i Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij edhe sot nderohen dhe respektohen në shoqëri. Fytyrat e tyre, emrat e tyre, hasen kudo: në monedha, emra rrugësh e institucionesh, në libra e folklor.

Po bëhen tridhjetë vjet që nga pavarësia. Trashëgimia e luftës dhe rezistencës është ende e gjallë, pasi mbahet e tillë nga pasardhësit politikë që shtrihen në çdo pore të jetës publike dhe institucionale. E kaluara, sado e lavdishme të jetë, nuk kompenson mungesën e mirëqenies sociale në të tashmen. Siç ndodhë zakonisht në shoqëri të tilla ku rezistenca e djeshme bëhet peng i progresit të së nesërmes, vërehet një lodhje tek populli namibian i cili është gati për të hapur një kapitull të ri në historinë e tij të re.