Tmerr, gjak dhe klithma në promenadë

Çfarë thonë ata që e mbijetuan natën e përgjakshme në Nicë?

Foto: Shutterstock

Ata po festonin të lumtur në promenadën mondane të Nicës – një festë që përfundoi me panik dhe shumë të vdekur: dëshmitarët rrëfejnë për minutat dramatike, kur të enjten në mbrëmje një shofer kamioni, pas fishekzjarreve  për nder të Ditës Kombëtare të Francës, u përlas në turmën e njerëzve. Gazetari gjerman Richard Gutjahr, i cili jep mësim në Shkollën Zvicerane të Gazetarisë MAZ në Luzern, e ka parë sulmin në Nicë rastësisht nga afërsia. Pak pas orës 23, sapo kishte marrë fund spektakti i fishekzjarreve, një kamion i bardhë iu afrua masës së njerëzve, ka treguar Gutjahr për programin e mëngjesit të televizionit gjerman.

«Ishte një pamje absurde, sepse në këtë kohë veturat nuk kanë çfarë kërkojnë në këtë rrugë. Ishte një festë në rrugë, njerëzit festonin, kishte bende, klounë, banakë me artikuj të ndryshëm, para të cilëve ishin tubuar familjet».

Kamioni kishte lëvizur shumë ngadalë, disa njerëz kishin filluar të bërtasin, tha Gutjahr për Spiegel Online. «Një motoçiklist iu afrua kamionit dhe më kot u përpoq ta hapte derën e shoferit ndërsa kamioni lëvizte. Ishte si në një film në kinema».

Por motoçiklisti nuk ia kishte dalë të futet në kabinën e kamionit dhe ishte përplasur nën rrota. «Në udhëkryq policët hapën zjarr, atëherë shoferi i dha gaz motorit dhe shkeli njerëzit e parë». Për 10, 15 apo 20 sekonda u dëgjuan të shtëna. «Pastaj njerëzit i zuri paniku», tha Gutjahr.

Një gazetar i gazetës «Nice Matin» sapo ishte nisur të shkojë në shtëpi, kur befas dëgjoi zhurmë dhe klithje. «Menjëherë më shkoi mendja te ndonjë i çmendur që dëshironte të ndezte një fishekzjarre dhe nuk e kishte nën kontroll mjetin shpërthyes», tregoi Damien Allemand.

«Pas pak sekondash një kamion i madh dhe i bardhë iu vërsul njerëzve me shpejtësi dhe duke lëvizur herë andej, herë këndej, me qëllim që të godas sa më shumë njerëz». Kamioni, tregon gazetari francez, kishte kaluar disa metra pranë tij, por ai thotë se fillimisht nuk e kishte kuptuar se çfarë po ndodh.

«Kam parë njerëz duke fluturuar në ajër si shtyllëza bowlingu, kur atypari kaloi kamioni. Kam dëgjuar zhurmë dhe klithma, të cilat nuk do t’i harroj kurrë. Isha si i paralizuar». Tek pasi e kishte kuptuar se çfarë po ndodh, ai kishte ikur nga vendi i ngjarjes me njerëz të tjerë.

Pastaj kishte dashur të dinte se çfarë kishte bërë vaki dhe ishte kthyer te kamioni në promenadë. Një njeri i kishte pëshpëritur: «Gjithkund ka të vdekur». Punëtorë të plazhit i kishin furnizuar të lënduarit me ujë dhe i kishin mbuluar kufomat me peshqirë.

Befas njerëzit përsëri i kishte zënë paniku, ata filluan të bërtasin: «Po vjen sërish! Po vjen sërish!» Por tashmë kamioni i bërë shoshë nga plumbat ishte ndalur. «Kjo mbrëmje ishte tmerri vetë», tregon Allemand.

Gazetarja Janine Konopka foli për përshtypjet e saj në gazetën «Schwäbische Zeitung». Kur kamioni ishte nisur drejt saj, ajo e kishte shtyrë nënën e saj anash, e kishte shtyrë përtokë dhe ishte hedhur mbi të. «Njerëzit që ishin pranë nesh, pas nesh apo anash – ose u përfshinë nën rrotat e kamionit ose u hodhën gjithandej». Ndërsa dëgjoheshin të shtënat ajo dhe nëna e saj ishin fshehur pas një palme.

Edhe Ben dhe Elyse Phelps nga Perth ishin dëshmitarë të sulmit. «Ishim në promenadë, kur kamioni me shpejtësi prej 50, 60 kilometra në orë u përplas në masën e njerëzve dhe i kositi ata. Ne ikëm në panik, larg nga deti. Pastaj dëgjuam të shtëna dhe ikëm edhe më tutje». Një burrë i tërhoqi ata në banesën e tij, ku u fshehën për një orë.

(Teksti bazohet në të dhënat e agjencisë zvicerane të lajmeve SDA, të televizionit gjerman ARD dhe të portalit Spiegel Online).