Tito, mësuesi dhe shokët e tjerë

Një tregim për 4 majin dhe Prizrenin.

Ilustrimi: Pranvera Paqarizi



Zëri ngjethës që hyri nga dritarja e nevojtores më zuri në ters. Me tahmin binte sirena për të cilin na tregoi mësuesi paradite në shkollë, por tani s’kisha kah t’ia mbaja. As nuk mund të ngrihesha në këmbë, si e lypte rasti, e as të çlirohesha prej tij. Deri sa jehona e saj filloi të përhapej gjithandej qytetit, mbeta pa zgjidhje dhe i shtangur prej ankthit në atë vend.

***

Fiks para një viti kishte vdekur shoku Tito. Edhe pse prijësi i shtetit kishte qenë i sëmurë dhe në moshë të shtyrë, megjithatë vdekja e tij shumëkënd e kishte pikëlluar. Pos TV Dubrovnikut, kanalet tjera televizive tërë ditën i patën shfaqur pamjet e qytetarëve duke qarë. Në shkollë, mbi fotografinë e tij të vendosur në murin ballor të klasës, ishte vendosur shiriti i zi. Portretet e  shumta e të ndryshme të tij kishin zënë vend edhe në vitrinat e shitoreve të Shadërvanit, ndërsa në rrugën përgjatë lumit flamujt e kombeve dhe të kombësive ishin lëshuar në gjysmështizë. Ato ditë as fëmijët nuk i patën lejuar të luanin në sokak. Për më tepër, ishte anuluar edhe Karabashi, manifestimi më i vjetër i qytetit që shënonte ardhjen e pranverës. Gjithçka po sillej ashtu, sikur të kishte ardhur kiameti.

Një vit më vonë,  sirena po i kushtohej Atij. Sot, mësuesi në klasë për dy orë rresht ua përkujtoi nxënësve këtë ngjarje të hidhur.

«Prijësi ynë ka vdekur, por ne kurrë s’do të largohemi nga rruga e tij» – tha mes tjerash mësuesi.

Ai tregoi se si sot pasdite, në orën 15 e 5 minuta, të gjithë do ta nderojnë shokun Tito duke qëndruar në këmbë dhe pa lëvizur, deri sa të jehojnë sirenat. Pastaj theksoi se në këtë kohë të caktuar, që shënonte çastin e vdekjes së Tij, do të ndalet gjithçka gjithandej republikave dhe krahinave të Jugosllavisë.

«Do të ndalen veturat dhe këmbësorët në rrugë, do të ndalen trenat, do të ndalen punëtorët në fabrika, bujqit në ara, mjekët në spitale e studentët në fakultete. Prandaj edhe ju, pionierët e tij, do ta nderoni prijësin tonë si të rriturit».

Meqë ishin nxënës të klasës së tretë, u kishte përsëritur disa herë të njëjtat, deri në momentin kur sherrbudalla i klasës përsëri ia ndërpreu fjalën duke ia bërë pyetjen e gabuar. Deri sa mësuesi sigurohej se nxënësit e shumtë të klasës i kishin përcjellë udhëzimet e tij, ai u interesua nëse do të mbahej nesër edhe Karabashi!? Kjo pyetje e zemëroi aq shumë mësuesin, sa shokun e klasës e rrahu në prehër me thuprën e tij speciale, të cilën e merrte prej degëve të një druri të veçantë që rritej në vendin e quajtur Bylbyldere. Përflitej se thuprën më pas e ziente në kazan për t’ia dhënë një fishkëllimë të mprehtë dhe fuqi të jashtëzakonshme, prandaj ajo kurrë nuk i thyhej. Po sot, gati se nuk i kërciti në dorë. U skuq e shkumoi prej dajakut që ia jepte.

Me të përfunduar me të, i liroi nxënësit pa u dhënë detyra shtëpie, pasi të nesërmen, kur të ktheheshin në shkollë, përsëri do t’ia kushtonin orën Atij. Kuptohet, do ta pyesë secilin veç e veç se ku ka qenë dhe si ka vepruar në kohën kur ka jehuar alarmi.

***

Çfarë baksuzi që jam! Herën e parë që mësuesi ma dha një detyrë jashtë bankave të shkollës, po dështoja fëlliqët. Sirena më kishte zënë krejtësisht të përhumbur në nevojtore duke numëruar pllakat e bardha të mureve të saj dhe duke i dhënë zor në qenef.

E dija se çka më priste të nesërmen, prandaj shpejt e shpejt u mundova t’i jepja  zor më tepër që të çlirohesha prej kakës që më kishte mbetur në gjysmë, por përpjeka më dështoi. Mora përsëri hyxhym me sa fuqi që pata, mirëpo krejt çka arrita të liroj ishte vetëm një kundërmim i lehtë prej asaj ane. Nuk po më ecte mbarë. Ngutia ma mbërtheu edhe më keq situatën. Aty kapsi ma bllokoi edhe mendjen. Mbeta as andej e as këndej. Me pantallona të shkurta, të varura mbi gjunjë dhe me nallëna të mbathura, e kisha të pamundur ta nderoja Marshallin Tito.

Kur sirena mori hovin e plotë, nisën të më dridhen këmbët. Pastaj fillova të djersitem dhe në fund m’u shfaq një marramendje nga e cila më lëshoi krejt trupi. E ndjeva sikur po zvogëlohem dhe së shpejti do të mbaroja i tëri sa një kokërr në guacë.

«Çfarë përfundimi i keq», mendova, «nesër krejt klasa ka me kesh me dështimit tim jetësor».

***

Megjithatë, kishte një kohë që nuk u besonte të gjitha vjershave që i thurnin për Titon. E dinte se Bravari (siç quhej Titoja në mënyrë të koduar mes shokëve të babës), nuk ishte prijës krejt i pasherr. Këtë anë të panjohur të tij ia pati zbuluar vetë babi në njërin prej atyre ditëve kur dilnin në peshkim pranë katundit Nashec. Ai padrejtësisht e kishte burgos një shkrimtar «tonin»! Për pasojë, i ngrati po qorrohej në terrin e qelisë së burgut.

Por aty, ia pati tërhequr vërejtjen që të mos e përhapte këtë bisedë mes shokëve të tij.

«Nëse del në shesh ky muhabet, ta fusin babin në burg! A kuptove?», u pat siguruar plaku, duke ia cakërruar kokën me shkopin e peshkimit.

Ishte ky sekret mbi sekrete që do t’ia ndryshonte llogaritë përfundimisht. Gojën e mbylli, por kureshtja kishte marrë udhë. Tani gjithmonë e më shpesh, kthimin e babit nga puna do ta priste në oborr. Me grepa e krimba të përgatitur, me kapelë peshkimi e sandale, sa më parë duhej t’ia thernin bregut të lumit Drin, te vendi ku derdhej Potoku i Sozit. Jo se zinin peshq, e as pse mund të notonte lirshëm në lumë, pa pasur frikë nga «nana e ujit», që i merrte fëmijët e padëgjueshëm, por aty, nën hijen e shelgut, zakonisht mbeteshin vetëm dhe i shfaqej rasti që ta pyeste për të gjitha hamendjet e veta fëmijërore.

Edhe pa rrëfimin e babait, e dinte se në botën e të rriturve po zihej diçka në fshehtësi! Kishte një kohë që burri i tezës më nuk shkonte me babën e tij në stadiumin e futbollit për t’i përcjellë ndeshjet e Lirisë si zakonisht. TV Dubrovniku, që shikohej fshehtas me antenë të kamufluar nga ballkoni i prapmë, në të vërtetë ishte emri i koduar për televizionin e Shqipërisë. Quhej i tillë, që fëmijëve pahiri të mos u rrëshqiste nga goja emri i këtij kanali të ndaluar televiziv. Kishte pasur edhe demonstrata dhe ishin rrahur studentët, këtë gjë e dinin edhe fëmijët tjerë. Por këto nuk ishin hamendjet e tija. Qysh prej atij rrëfimi në breg, mendja e tij u fiksua në dy gjëra.

– A thua, ky shkrimtari që është burgos me hile, mbante syze të trasha dhe kush ishin këta të tijtë? Si mund t’i dallonte?

***

Papritmas nga bira e guacës e ndjeva një «shklluuup» të zgjatur. Bashkë me alarmin e sirenës që po zbehej, ra edhe ajo copë e pistë prej meje. Më në fund u çlirova. M’u çelën sytë, ndërsa mendja nisi të bluajë përsëri. E fshiva djersën prej ballit dhe pastaj m’u kujtua.

Nesër kam me e rrejtë mësuesin. Vendosa menjëherë. S’kam qare tjetër.

Sefte dua me e rrejtë, po ama, veç pak. Më mirë se me shku babi në burg. Më mirë se ta hajë thuprën e Bylbylderes – i rrotullova këto mendime disa herë në kokë.

Pastaj shpejt e shpejt u pastrova, i vesha pantallonat dhe drejt prej banjos u ngjita në dhomën time – pa u kthyer në kuzhinë për ta kryer byrjanin e shijshëm me mish të kingjit. Mbeta i mbyllur aty tërë pasditen. Askush nuk më kishte vërejtur, prandaj askujt nuk do t’ia tregoj këtë ngjarje për së gjalli. E dija se ç’do të bëja nesër. U shtriva pak dhe përsëri iu ktheva sportit të vjetër. 

***

Hamendej si zakonisht se kush ishin «të tijtë»? Me cilët prej shokëve të klasës mund të bisedonte lirshëm për çfarëdo, nëse dëshironte edhe për shkrimtarin që po qorrohej në qelinë e tij?

Deri më tani i kishte zbuluar do trika të vogla me të cilat mund të gjurmonte «llojin e vet». Kur shkonte me prind në mysafirllëk, së pari i vëzhgonte muret e dhomave të ndejës. Nëse mbi kauçët të mbuluara me janbojli gjente fotografi të kornizuar të shokut Tito, atëherë këta nuk ishin «të tijtë» – lehtë kuptohej. Por kjo nuk i mjaftonte. Ai zaten nuk shoqërohej me fëmijët e shokëve të prindërve, ndërsa shokët e klasës nuk i vizitonte në shtëpi. Edhe nëse i ndodhte kjo pahiri, atë të vetmin, kurrë nuk e fusnin në dhomën e mysafirëve. Kështu s’kishte si ta dinte se kënd e ka shok përnjëmend e kënd jo?

Një herë i shkoi mendja se mos ndoshta «të tijtë» bëjnë tifo për klubet futbollistike sikur Dinamo e Zagrebit dhe Hajduku i Splitit, që ishin kundërshtarë të sertë të Partizanit e Zvezdës prej kryeqytetit ku e varrosën Titon? Por gjërat ishin më të komplikuar se hesapi i tij. Për shembull, burri i tezës që anonte për Hajdukun, në murin e dhomës së ndejës e kishte të varur fotografinë e shokut Tito – bashkëluftëtarit të tij me të cilin dikur moti kishte luftuar kundër gjermanëve.

Sidoqoftë, do t’ia gjente disi çarenë edhe kësaj pune, vetëm të mbijetonte ditën e nesërme në shkollë!

***

E gjithë shkolla mund të ishte e pikëlluar për të, por jo edhe unë. Mbase nuk ishte edhe aq prijës i keq, por nuk është faji im. Në momentin që ra alarmi i sirenës isha në mes të kapsit, me pantolla të lëshuara mbi gjunjë dhe nallëna të mbathura përmbi guacën e nevojtores duke bërë çmos që të çlirohem prej kapjes së saj. U mundova, po nuk më eci! E dua mësuesin, po ama s’kam çka të baj. Prandaj vendosa kështu! Kam me i thënë se në ora 15 e 5 minuta, kur jehoi zëri i saj, qëllova në tavolinën e drekës duke ngrënë byrjan me mish kingji. U çova në këmbë për të nderuar shokun Tito dhe kur u ndal sirena u ula dhe vazhdova drekën.

Kjo ishte strategjia ime e vetme për orën e nesërme.

***

Të nesërmen u nis për në shkollë me tesha të reja që i ishin dedikuar për dalje në Karabash. Meqë edhe sivjet ishte anuluar ky manifestim, nëna ia kishte hekurosur këmishën e re para kohe në mënyrë që ta entuziazmonte të birin e mrrolur në mëngjes. Por ai, hallin e kishte diku tjetër. E priste një ditë e paparashikueshme.

Oborrin e shkollës e kapërceu heshtazi pa u përshëndetur me shokë dhe drejt prej aty shkoi në klasë. Kur të gjithë zunë vendet e veta, ra zilja dhe në klasë hyri edhe mësuesi duke i përshëndetur nxënësit e vet, deri sa të gjithë ia kthyen njëzëri me «mirëdita shoku mësues». Pastaj e lëshoi ditarin në tavolinë, u ul dhe nisi të lexojë emrat një nga një. Mbeti i kënaqur se asnjëri nuk i mungonte. Pasi e hoqi orën e dorës, u ngrit nga karrigia dhe pa humbur kohë nisi me pyetjen e ditës.

«Kush ka me na tregu se çka ka bërë dje me 4 maj?»

Prej «unëshokomsusave» të shumtë, e kishte të vështirë ta përzgjidhte nxënësin e radhës, mirëpo nga përgjigjet që i mori, dukshëm u disponua. Dje nxënësit e kishin kuptuar drejt detyrën e dhënë. Kur iu sosën vullnetarët, filloi t’i thërriste dudukat prej bankave të fundit. Ngadalë radha po i afrohej atij.

***

«Çka nëse kupton që po rrej!? Zaten ai di gjithmonë gjithçka për nxënësit e tij, bile edhe atëherë kur dalin në banjë. Nëse zihem, ka me më sos dajak. Krejt është sherri byrjanit me mish të kingjit»!

Mendimet e errëta, përsëri ma kthyen atë ndjenjë të çuditshme prej nevojtores. Trupi filloi të më djersitej, ndërsa këmbët po më tradhtonin. Prej ankthit të shfaqur sikur po tkurresha në bankë. Për një çast, mendova se kam me e lëshu në brekë.

«Veç edhe kjo më nevojitej. Ani, eksik m’i veshën teshat e reja»!

Derisa hapat e mësuesit m’u afruan krejtësisht, papritmas u kujtova.

Më kishte zënë barku.

***

Befas e çoi dorën dhe pa e marrë lejen e mësuesit, u ngrit prej vendit.

«Më ka zënë barku shoku mësues», tha i vendosur, duke ua rritur disponimin shokëve të klasës. Duhej të shkonte patjetër në nevojtore.

Iku vrap. I rrodhi sa i rrodhi. Pastaj u pastrua, mirëpo vazhdoi të rrijë aty edhe për një kohë i mbyllur.

Tamam e kishte llogaritur, kur u kthye në klasë, mësuesi kishte përfunduar me pyetjet e tija. Sikur përtoi t’i kthehej përsëri ngjarjes së djeshme. Por mbase nuk ishte kjo arsyeja e vetme. Më shumë iu duk se shoku mësues «ishte i llojit të tij», prandaj sot qëllimisht e kishte heshtur «kapsin» e tij para klasës, bile-bile e nxori prej situatës së sikletshme me krenari.

Kështu, pa shkuar në vend, i kërkoi që ta këndojë një këngë për shokun Tito.

E kishte ditur se sot do t’i ndodhte diçka e paparashikueshme, por kurrë s’e kishte menduar për një epilog të tillë!

Sapo nisi të këndonte «Shoku Tito ne të betohemi…», disa nxënës filluan të përloteshin. Për habinë e tij po qanin si ata prej televizorit. Kjo ia ndezi llambën ashiqare, këta nuk ishin «të sojit të tij». Rastësisht i kishte futur në kurth si peshqit në lumë. I trimëruar me arritjen e çastit, tutje do të vazhdoj pandershëm duke ia dhënë këngës me sa fuqi që kishte, për të zbuluar shokët që i kërkonte.

***

Pahiri sot i zura të gjithë. Duke kënduar, lehtë mund t’i vërejë se kush është i yni e kush s’o. Vetëm duhet ta shikoj secilin në sy dhe t’i mbaj në mend.

Po, e dëgjova kurilin e shkollës qysh ja nisi me i ra ziles, por isha i krehur e i ndrequr për merak, prandaj vazhdova me këndu këngën deri në fund.

Dhe nuk desha me e humb rastin.

Prej këtu mund t’i dalloja si paren e kuqe.

Shokët e mi, nuk qanin.

(Kismet në pushimin e gjatë fshehtas do t’i pyes, helbete nëse e njohin një shkrimtar «tonin» që mban syza të trasha…).