Tiranë-Nish, por jo duke anashkaluar shtetin e Kosovës

Qeveritë e Serbisë dhe Shqipërisë pritet të takohen në Nish. Beogradi po insiston që ky të jetë një takim mes serbëve dhe shqiptarëve në rajon, duke e përjashtuar Kosovën si shtet. Tirana nuk duhet të bjerë në këtë kurth.

Qeveria e Serbisë po planifikon të mbajë mbledhje së shpejti me Qeverinë e Shqipërisë në qytetin e Nishit, në jug të Serbisë. Këtu, parimisht, nuk ka asgjë të keqe. Përfaqësues të dy shteteve sovrane takohen dhe flasin për marrëdhëniet dypalëshe. Për shembull për infrastrukturën rrugore. Bashkimi Europian ka premtuar se do të ndajë 150 milionë euro për të financuar, mes tjerash, ndërtimin e rrugës nga Nishi në Prishtinë, që do t’i mundësojë Serbisë të kyçet në autostradën Durrës-Prishtinë. Kësisoj, autostrada nga Durrësi në Prishtinë përmes Podujevës dhe Prokuples do të lidhet me rrugën transeuropiane E-75.

Por, si në çdo nismë të Beogradit edhe kësaj radhe ka sherr. Radio Europa e Lirë njofton se pala serbe po përpiqet që takimin e Nishit ta dizajnojë si samit serbo-shqiptar, duke përjashtuar pjesëmarrjen e politikanëve të nivelit të lartë të Kosovës. Në Nish, sipas palës serbe, mund të vijnë vetëm disa zyrtarë të nivelit të ulët të Qeverisë së Kosovës.

Tirana nuk duhet të bjerë në këtë kurth, sepse dobësimi i shtetit të Kosovës rrjedhimisht dobëson edhe rolin e Shqipërisë në rajon. Qëllimi i Serbisë prej vitesh është që duke shtyrë agjendën e ndryshimit të kufijve në Ballkan të flasë me Tiranën dhe jo me Prishtinën për ndarjen e Kosovës. Kjo është një lojë e rrezikshme dhe shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e saj.

Ndoshta ndërkohë në Tiranë ekziston mjaft pjekuri politike për këtë çështje, sepse në vitet ’90 pjekuria nuk ka ekzistuar: për shembull Sali Berisha për të shpëtuar lëkurën e vet nga rreziku i shembjes së piramidave financiare, kërkonte më 1996/97 që shqiptarët e Kosovës të bashkohen me opozitën serbe për të rrëzuar regjimin e Slobodan Milosheviqit. «Në një intervistë në prill 1997, pasi demokratët kishin rënë nga pushteti, (ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë) Safet Zhulali e akuzoi Berishën se përdori Kosovën që të shpërqendronte shqiptarët dhe të huajt nga kriza e brendshme. <Lëvizja politike e fundit e Presidentit Berisha për të zhvendosur vëmendjen drejt Kosovës, duke dashur të radikalizojë situatën, dështoi>, tha ai. <Kjo solli gjithashtu izolimin e tij final nga bota e jashtme>», shkruan Fred Abrahams në librin e tij «Shqipëria e Re».

Më vonë një kryeministër socialist i Shqipërisë thoshte se kërkesa e Ibrahim Rugovës për pavarësi të Kosovës nga Serbia nuk është moderne, rrjedhimisht «në Europën e bashkuar», sipas tij, mjaftonte autonomia nën Serbi.

Edi Rama duhet të veprojë ndryshe nga paraardhësit e tij dhe në takimin e Nishit të përsëris atë që e pati thënë në Beograd gjatë vizitës së fundit: Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës! Dhe më së miri do të ishte që këtë ta bënte kur të kishte pranë tavolinës në Nish jo vetëm kryeministrin e Serbisë, por edhe atë të Kosovës.

Nuk mund të bisedohet për çështje që lidhen me Kosovën pa praninë e Kosovës, e cila në rastin ideal duhet të përfaqësojë edhe interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët tradicionalisht janë të lidhur me Kosovën. Për këtë arsye në vitet ’90 ka ekzistuar një Këshill Koordinues i partive politike të shqiptarëve të Jugosllavisë së shpërbërë. Një ambicie të tillë prijëse Kosova do të duhej ta kishte edhe sot, por parakusht për këtë është një klasë politike serioze dhe e pandotur nga korrupsioni. Diçka të tillë, për fat të keq, s’kemi as në Prishtinë, as në Tiranë.

Serbia përmes takimit me Qeverinë e Shqipërisë në Nish synon të simulojë gatishmëri për bashkëpunim rajonal, duke i dërguar kështu sinjale Washingtonit dhe Brukselit. Por, e vërteta është kjo: Serbia përpiqet ta keqpërdorë Edi Ramën për agjendën e vet, pra për t’u paraqitur si faktor stabiliteti në rajon në kohën kur marrëdhëniet me Kroacinë kanë rënë në fund të pusit për shkak të provokimeve të pandërprera serbe dhe kur serbët e Bosnjës po përgatiten që më 25 shtator të mbajnë një referendum, ku do të deklarohen nëse 9 janarin do ta festojnë edhe në të ardhmen si ditë të themelimit të të ashtuquajturës Republika Srpska – përkundër ndalimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës.

Kuptohet, Serbia ka edhe interesa të forta ekonomike për t’u afruar me shqiptarët. Falë «rrugës së kombit» (shqiptar!) eksportet e kombit serb mes Mitrovicës dhe Sarandës po shënojnë rritje konstante. Rrjedhimisht, në Nish përveç Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës do të jenë të pranishëm edhe afaristët serbë dhe shqiptarë nga rajoni. Me siguri nuk do të mungojnë as shefat e nëntokës biznesore kosovare, të cilët janë bërë milionerë duke importuar mallra të Serbisë.