Tirana e gjallë

«Ka një energji që i habit njerëzit. Është qytet i ri në një vend që ka përjetuar kohë të vështira. Por mikpritja e ngrohtë të bën të ndihesh optimist për të ardhmen e tyre»: Një reportazh i Alia Arkamit në revistën «Vogue».

Perëndim dielli në Tiranë. Foto: Shutterstock



Nuk ka asnjë tavolinë të lirë në lokalin «Radio», i cili është i stërmbushur në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Është e enjte mbrëma, dhe një bend i stilit muzikor të New Orleansit po e ngroh ambientin me këngë që të bëjnë për vete, dhe tavolinat, rrethuar me orendi dhe pajisje elektronike që përkojnë me emrin, janë të mbushura me qejfli që çojnë gotat me kokteje aperoli. Në oborrin plot ngjyra jeshile, të mbushur me rafte lulesh dhe me kafaze bilbilash që luhaten, përzihen muhabetet dhe të qeshurat e të rinjve e pleqve ulur nëpër orenditë e verdha, teksa tymosin «Marlboro Lights». Humori është i mirë dhe i pasherr, dhe kështu është edhe nëpër restorante, bare dhe kafene përgjatë krejt lagjes dhe anembanë Tiranës. Por më e veçantë është ish-foleja e komunizmit, që tani vlon dhe është e rehatshme, me banorë të hapur dhe miqësorë.

Viteve të fundit është rritur me të madhe interesimi për vendet e Ballkanit, me udhëtarë kureshtarë që tani rregullisht kërkojnë qetësinë e detit Adriatik dhe qytetet mesjetare e të gurta, si Dubrovniku në Kroaci a Kotori në Mal të Zi. Tirana nuk e mishëron këtë joshje tradicionale dhe pitoreske. Por ama, të bën për vete si qendër e gjallë urbane me një personalitet të fortë të formësuar prej historisë së trazuar. Pak a shumë si Sarajeva që ka lëvizur prej të kaluarës me krime të tmerrshme të viteve nëntëdhjetë duke u shndërruar në një kryeqytet mahnitës të Europës Lindore, edhe Shqipëria ka kthyer sytë kah e ardhmja pas të kaluarës së saj me dekada tmerri e izolimi.

«Radio» ndodhet në lagjen e quajtur «Blloku». Sot «Blloku» po gjallëron si çerdhe argëtimi, mbushur me tarraca të pafundme që mbushen me mysafirë të veshur me shije. Ka njëfarë aure të zjarrtë që ta kujton Athinën dhe Palermon e dikurshme. Megjithatë gjatë viteve të komunizmit, «Blloku» ishte i mbyllur për këdo që nuk ishte anëtar i elitës së partisë.

Deri me rënien e komunizmit më 1991, rajoni nuk ishte i panjohur edhe për socializmin. Por zgjedha e Shqipërisë, nën lidershipin e mësuesit maoist-stalinist të shndërruar në diktator, Enver Hoxha, ishte jashtëzakonisht represive dhe ngufatëse. Hoxha e sundoi Shqipërinë për më shumë se dyzetë vite deri në vdekje më 1985, dhe ai me qëllim kishte burgosur, torturuar dhe vrarë rreth 100 mijë qytetarë shqiptarë në proces. Tejmase paranoik, urdhëroi ndërtimin e më shumë se 750 mijë bunkerëve – kupola betoni që kishin për qëllim të zbusnin frikën e tij kronike nga pushtimi i huaj. Dhe zhytja në të kaluarën e afërt është fort e rëndësishme për ta njohur Tiranën e sotme, dhe pika fillestare është Muzeu i Historisë Kombëtare në Sheshin «Skënderbej», ku janë të vendosura në mënyrë kronologjike artefaktet arkeologjike. Edhe më mahnitës është «Bunk’Arti», një prej atyre bunkerëve për mbrojtje nga ndonjë sulm bërthamor në një kodër Tirane që është transformuar në muze. Këtu, nëpër galeri të shumta, mund të shëtiteni nëpër zyrën e improvizuar të Hoxhës, ku edhe mund të shihni një xhirim të funeralit të tij. Në qendër të qytetit është «Bunk’Art» dyshi, memorial për viktimat e regjimit të Hoxhës, mbushur me fotografi dhe dokumente të shumta. Ndodhet matanë rrugës nga «Shtëpia e gjetheve». Dikur seli e policisë sekrete, «Sigurimi» të Hoxhës, muzeu i vogël hedh dritë mbi teknikat mahnitëse të përgjimit të kohës.

Armatosur me njohurinë për trashëgiminë e Shqipërisë, të përcjellë me vdekje, tirani dhe spiunazh, mbase këtu bëhet më e qartë pse Tirana tani është e dhënë kaq shumë pas qejfit me tiranasit po aq qejfli. Ata më në fund po jetojnë jetën në liri dhe kreativitet, frymëzuar dhe kënaqur me popujt me të cilët e kishin të ndaluar të flisnin për dekada me radhë. Megjithatë, Tirana nuk është shndërruar ende në destinacion të madh turizmi, por padyshim se pushuesit po e shohin si vend potencial për të kaluar kohë këtu.

Specialistët e udhëtimeve në Europën Qendrore dhe Lindore, «JayWay Travel», e kanë shtuar Shqipërinë në guidat e tyre vjet, dhe shefi ekzekutiv dhe themeluesi Jay Ternavan thekson se e kupton pse Tirana po rrezaton përherë e më shumë te vizitorët. «Me gjithë muhabetin për turizmin, është freskuese të shkosh në një kryeqytet dhe të jesh i vetmi person që shëtitësh me një aparat rreth qafës», thekson ai. «Ka një energji që i habit njerëzit. Është qytet i ri në një vend që ka përjetuar kohë të vështira. Por mikpritja e ngrohtë të bën të ndihesh optimist për të ardhmen e tyre».

Një ditë e organizuar prej «JayWay» përcaktohet nga Gëzimi, cicëroni nga «Tours Albania», që me vetëbesim shpjegon historitë e qytetit të lindjes teksa pi kafe në «Sky Club», me pamje kah Tirana poshtë nesh. Ai tregon pikat që duhet vizituar teksa drekon në restorantin me pamje kiçi, «King House», ku kishte punuar si tinejxher, e ku kamerierët sillen poshtë e lart me tabaka me pica të mëdha dhe me pjata të mëdha të mbushura me mish të aromatizuar skare. Ai sugjeron që të shkojmë për një gotë raki në «Komitet», ku muret me tulla janë mbushur me pjata, që i kontribuojnë atmosferës së kohës së vjetër.

Ushqimi dhe pijet janë elemente sociale vitale të kulturës së Tiranës. Një prej restoranteve më të mira të qytetit është «Mullixhiu», ngjitur me Parkun e madh të Tiranës, ku ndodhet edhe liqeni i qetë artificial. Si fermë moderne e rehatshme veshur me dru, «Mullixhiu» përfaqëson mentalitetin e ushqimit të ngadalshëm me kuzhinierin Bledar Kola, i cili kishte punuar në Londër dhe në «Noman» e famshme të Kopenhagës. Tirana është thelbi i Shqipërisë, thekson Kola, «qytet i gjallë plot energji e shpresë. Dhe gjithnjë e më shumë po bëhet destinacion gastronomik», shton ai, duke theksuar klimën dhe pamjen e ndryshueshme, që ia lejojnë atij të eksperimentojë me ingredientë, si shafrani shqiptar, gjethet e egra dhe manat. «Qasja në produkte të freskëta organike nuk është luks për ne», thekson ai. «Ne mund të porosisim peshk taze direkt nga deti ose kërpudha nga malet brenda pak orësh».

Ushqimi më i shëndetshëm po bëhet përherë e më i rëndësishëm për banorët e Tiranës rinore, dhe ata po kalojnë mëngjeset në tarracën e «Biotekës», me pije të freskëta të buta që kombinojnë avokadon, mollën, ananasin dhe mentën, ose ngacmohen me kamerierin në «À la Santé», ku menyja, e shëndetshme dhe inventive, dominohet prej supave të shtëpisë të ziera me produkte fshati, si dhe me sallata spinaqi me portokaj dhe djathë. Në «E7E», librari, galeri dhe kafene me meny ushqimi për habi të shtrenjtë, tiranasit pushojnë për orë të tëra në kopsht me gjella në tavë që vlojnë, shoqëruar me bukë shtëpie dhe lëng rrushi. Afër «Piramidës» së Tiranës, monument komunist që mezi po mbahet në këmbë, tiranasit porosisin gota vere në sallat dhe tarracën e «Padam Boutique Hotel and Resturant’s».

Kur kthehemi te «Blloku», kur «Radio» nis të stërmbushet, të pret «Colonial Café», bar koktejesh me dekor e nargjile qetësuese aziatiko-lindore. Por ka edhe mundësi të dëgjoni këngë me humor më të rëndë si puna e «Dance Me to the End of Love» e Madeleine Peyroux brenda ose jashtë te «Tribeca». «Popullsia e qytetit është trefishuar në njëzetë vitet e fundit, duke sjellë shqiptarë që kishin migruar dikur dhe që tani janë kthyer me zotësi të shkëlqyera në punë baresh, restorantesh dhe jete nate. Kuzhinierët dhe banakierët më të mirë erdhën nga qytetet e mëdha europiane, ku i mësuan shkathtësitë, që po i ushtrojnë dhe me sukses po ua kalojnë të tjerëve këtu», thekson DJ Lura Elezi e «Tribecas». «Energji e madhe buron prej popullsisë së re që ka trashëguar mikpritjen dhe ngrohtësinë e Ballkanit të kombinuar me shpirtin mesdhetar. Krejt këta të rinj udhëtojnë dhe e shohin botën, dhe ne mendojmë se Tirana ka krejt çfarë duhet që të jetë lokacion i ri favorit».

Bashkë me plazhet e rivierës shqiptare dhe me pamjet e mahnitshme natyrore në pjesën jugperëndimore të vendit në detin Jon, Tirana e gjallë është vend i duhur qejfi dhe kosmopolitan për të nisur aventurën bregdetare në Ballkan.