Tingujt e munguar të Kosovës në Bruksel

Festivali «Balkan Trafik», i inspiruar nga historia e Kosovës, sivjet nuk do të ketë asnjë artist të ftuar nga Kosova. Drejtuesi i festivalit në Bruksel, Nicolas Wieërs në një intervistë për «Dialogplus» thotë se u takon ambasadave të vendeve ballkanike në Bruksel të jenë më bashkëpunuese nëse duan të promovojnë artistë nga vendet e tyre. Ndërsa ambasada e Kosovës është e ngathët, përfaqësia diplomatike serbe në Bruksel ka arritur pothuaj të përvetësojë një festival, që dikur ishte themeluar pasi Nicolas Wieërs u inspirua nga historia dhe kultura e Kosovës.

Pamje nga një edicion i festivalit «Balkan Trafik» në Bruksel.



Këmbimet kulturore ndërmjet popujve të ndryshëm çojnë në njohje të ndërsjella dhe kështu ndihmojnë tejkalimin e paragjykimeve shoqërore dhe ndasive politike. Kultura dhe arti vazhdojnë të shihen, e deri diku edhe të fetishizohen, për aftësinë e tyre për të tejkaluar ndasitë, stereotipat e urrejtjet. Megjithatë, në dy vitet e kaluara duket se festivali i kulturës dhe muzikës ballkanike në Bruksel «Balkan Trafik» është bërë arenë e ndikuar nga problemet politike. Varësisht cilat vende janë të interesuara të lobojnë, shpesh edhe ia arrijnë.

Festivali vjetor «Balkan Trafik» i dedikohet kulturave dhe muzikës ballkanike. Krahas koncerteve paralele me ritme greke, serbe, polifonisë shqiptare, muzikës turke, pjesë e pandarë e festivalit janë edhe programe kulturore si ushqimi ballkanas, promovimi i pikave turistike, punëtori të ndryshme dhe promovime librash. Kur e nisi festivalin, Wieërs nuk dinte shumë për Ballkanin e aq më pak për Kosovën. U bë kurioz kur një natë të vonë të vitit 2003 bleu një porcion «pomfrit» në Bruksel (dashurinë dhe specialitetin e madh belg) nga një shitës me «një theks të çuditshëm të frëngjishtes». Në bisedë e sipër, Wieërs intrigohet shumë me vendin e lindjes së shitësit dhe pas dy javësh merr rrugë për Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës e pret vëllai i shitësit të «pomfritit», student i frëngjishtes në Universitetin e Prishtinës. Gjatë pak ditëve të vizitës, Wieërs fascinohet me vendin, natyrën, njerëzit dhe historitë njerëzore të luftës, kurajës dhe jetës që dëgjon në Kosovë. Pas kthimit në Belgjikë, vendosë të bëj diçka që do ta lidhë atë përgjithmonë me Kosovën dhe Ballkanin – festivalin «Balkan Trafik».

Pavarësisht inspirimit të madh që Kosova dhe historia e saj i dha këtij festivali, duke mos pasur një platformë më të mirëorganizuar politike e kulturore nga institucionet e vendit, «inspirimi Kosovë» viteve të fundit nuk arrin të jetë prezent në festival as me logon e ambasadës së këtij shteti në Bruksel. Madje këtë vit asnjë artist kosovar nuk do të prezantojë Kosovën në festival.

Në edicionin e kaluar, përkundër pjesëmarrjes së grupit kosovar «Zig-Zag Orkestra» në festival, prezenca e artistëve kosovarë ishte fshirë tërësisht fillimisht në hapësirën vizuale (posterë, trailer të festivalit). Në edicionin e sivjetmë, Kosova nuk është e përfaqësuar me asnjë grup të vetëm, qoftë në hapësirën artistike, qoftë në atë të debatit kulturor. Burime brenda ambasadës serbe në Bruksel bëjnë të ditur se në fakt ambasada serbe «interesohet» gjerësisht për festivalin. Prej vitesh tashmë, sponsor kryesor i festivalit është kompania energjetike serbe «NIS» (Naftna Industrija Srbije), e cila është në pronësi të përbashkët të kompanisë energjetike ruse «Gazprom», kompania e katërt për nga madhësia për prodhimin e naftës, dhe Qeverisë së Serbisë. Këtë vit ambasada serbe ka bërë të pamundurën që edhe në debatet dhe punëtoritë gjatë festivalit të mos ketë intelektualë apo akademikë nga Kosova.

Drejtuesi i festivalit «Balkan Trafik» mohon që «NIS» si sponsor kryesor i festivalit dhe ambasada e Serbisë në Bruksel të jetë shkaktar të mungesës së Kosovës në festival. Sipas tij, ndihma financiare që ofron NIS është shumë e vogël për të pasur atë lloj ndikimi. Wieërs thotë se përtej fjalëve për ndihmë është mirë që ambasadat e vendeve ballkanike në përgjithësi të jenë më bashkëpunuese nëse duan të promovojnë vendet e tyre dhe mbi të gjitha «të kryejnë obligimet e tyre administrative në kohë». Ai pranon se ambasada të vendeve të caktuara, ajo e Serbisë bën pjesë në këtë grup, janë shumë më të përfshira për të gjetur mënyra kreative të sponosrizimit të artistëve të shteteve të tyre dhe për pjesën logjistike. Një festival që u ideua në Kosovë, nuk ka asnjë grup artistësh nga Kosova në këtë edicion.

Sa i përket përfaqësimit, Wieërs fajin ia hedh ambasadës së Kosovës në Bruksel, e cila, sipas tij, në vitet e kaluara është vonuar gjithmonë qoftë edhe «për të dërguar në kohë logot dhe dokumentet e nevojshme». Kjo, sipas tij, ka bërë që në posterat dhe trailerin e festivalit të mos figurojë fare logoja e ambasadës së Kosovës në Bruksel. Ai shpjegon se festivali punon ngushtë me të gjitha ambasadat e vendeve të Ballkanit në Bruksel, qoftë për identifikimin e artistëve që mund të jenë interesant për publikun ndërkombëtar të Brukselit, qoftë për gjetjen e sponsorëve nga vendet përkatëse, për promovimin e projekteve të ndryshme tradicionale e kulturore.

Në saje të përfshirjes së saj me sponsorizim dhe mbështetje logjistike, ambasada e Serbisë në Bruksel organizon çdo vit një koktej privat në natën që hapet festivali në një nga sallat më prestigjioze të kompleksit Bozar, vend ku edhe mbahet festivali. Të ftuarit janë zyrtarë të lartë të politikës, kulturës dhe biznesit belg, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe atyre të Bashkimit Europian në Bruksel. Të ftuarit kanë mundësinë të shijojnë ushqime dhe verëra nga Serbia, guida turistike për turizëm të gjelbër në Fruška Gora, turizëm kulturor në Beograd dhe Novi Sad.

Në njëmbëdhjetë vitet e ekzistimit të tij, «Balkan Trafik» është bërë një ndër festivalet më të dashura për publikun belg dhe atë ndërkombëtar të Brukselit. Ndonëse belgët mbeten të pasionuar pas Goran Bregović dhe ritmeve të tij, festivali nëpër vite ka ofruar edhe ritme alternative nga Ballkani. Jericho, Vikena Kamenica, grupi Imam Bayaldi që bën ndërthurje të muzikës greke me xhez, kanë qenë vetëm disa nga grupet që kanë performuar. Megjithatë, sipas Wieërs, ekziston një traditë tashmë e përhapur në festival që grupet e diasporave vijnë në festival për të dëgjuar muzikë të vendeve të tyre. Kështu turqit vijnë në festival për të dëgjuar grupe turke, shqiptarët vijnë për të dëgjuar muzikë shqipe etj.

Në festival ftohen gjerësisht grupe të cilat «kanë diçka ballkanase» në ritmet e tyre. «Më është sugjeruar të sjellë një pjesë të filharmonisë së Kosovës në festival. Publiku nuk është i interesuar të dëgjojë filharmoninë e Kosovës. Publiku do gjëra tjera të cilat nuk i servohen nga skena artistike perëndimore», shpjegon Wieërs.

Pavarësisht motivit të mirë për të promovuar kulturën ballkanike në kryeqendrën europiane, festivali bart dromca të një primordializmi ndaj Ballkanit. Festivali para se gjithash është platformë për promovimin e një tipologjie dhe një këndvështrimi për Ballkanin i cili është i rrënjosur në literaturën perëndimore. Në këtë këndvështrim Ballkani shihet si një subjekt tërësisht i ndryshëm dhe gati-gati e kundërta e Europës Perëndimore, qoftë në «mentalitet» apo në muzikë.