Tim Judah: «Thaçi kurrë nuk ka qenë më i dobët, Vuçiqi më i fuqishëm se asnjëherë më parë»

Analisti britanik Tim Judah ka thënë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është «në komë».

Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi.



Në një deklaratë për gazetën serbe «Blic» gazetari britanik Tim Judah, i cili shkruan për revistën e njohur «Economist», ka thënë se që nga nënshkrimi i marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2015 vetëm një nga katër çështjet është zbatuar – prefiksi telefonik për Kosovën.

Nga takimi i së enjtes mes presidentit serb dhe atij kosovar Judah pret shkëmbim mendimesh mbi vazhdimin e dialogut, por edhe për zbatimin e atyre marrëveshjeve për të cilat janë pajtuar të dyja palët. Sipas tij negociata për çështje teknike nuk janë zhvilluar që nga viti i kaluar, por vetëm disa takime në Bruksel. Judah nuk e ka të qartë se si do të vazhdojë dialogu, i cili është kurthuar në një problem të madh. Që nga viti 2015 konteksti politik ka ndryshuar, tha ai.

Judah tha se nga pala serbe Aleksandar Vuçiqi është më i fuqishëm se asnjëherë më parë, ndërsa Hashim Thaçi kurrë nuk ka qenë më i dobët. «Ata po thonë se po punojnë për fazën e re të dialogut, por në thelb nuk e dimë çka domethënë kjo», shtoi Judah. Dobësia e Thaçit, sipas gazetarit nga Londra, domethënë se do të jetë vështirë të implementohen marrëveshjet e arritura në Bruksel pa përkrahje të fuqishme të parlamentit. «Megjithatë, nuk pajtohem me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se dialogu ka vdekur, por ai definitivisht është në komë».

Vuçiq, sipas mediave serbe, ka paralajmëruar se në takim me Thaçin do të insistojë të flitet për «pronat e uzurpuara private dhe shtetërore në Kosovë, pozitën e Kishës Ortodokse dhe kërcënimet për sigurinë e serbëve në veri dhe në jug të Kosovës». Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijançiq tha se takimi i nesërm mes dy presidentëve do të jetë «joformal». (dp)