Tifozët e zemëruar kroatë shpërfillin Kupën e Botës

Ndërsa fitorja e parë e ekipit kombëtar kroat në Kupën e Botës entuziazmoi shumicën e publikut, disa tifozë po i bojkotojnë ndeshjet për të treguar zemërimin e tyre të vazhdueshëm për korrupsionin në Federatën Kroate të Futbollit.

I korruptuar: Zdravko Mamiq, ish-bosi i futbollit kroat.



Ndërsa mediat kroate raportojnë se rreth një milion njerëz ndoqën ekipin kombëtar kroat të futbollit të mundte Nigerinë 2 me 0 në Rusi të shtunën e kaluar, tifozët e futbollit në rrugë, nëpër baret dhe në Rusi nuk janë aq të bashkuar – shumë prej tyre po i bojkotojnë ndeshjet për shkak të vazhdimit të zemërimit me federatën e futbollit të vendit, HNS.

Juraj Vërdolak, një komentator në Telesport, një uebsajt sportiv kroat, tha se ky fenomen ka vite të tëra që vazhdon. «Tifozët po bojkotojnë ekipin kombëtar sepse refuzojnë të kenë ndonjë lidhje emocionale me lojtarë që është vërtetuar se ishin pjesë e një sistemi të korruptuar dhe të cilët, duke e bërë këtë, kanë hedhur një hije mbi talentin e tyre të padyshimtë», tha Vërdolak për BIRN. «Grupet e tifozëve po praktikojnë një lloj bojkoti të qetë të Kupës Botërore në Rusi dhe kjo po praktikohet edhe nga tifozët e zakonshëm të futbollit», shtoi Vërdolak.

Edhe pse Kupën e Botës luan një rol të madh në jetën e përditshme të shumë kroatëve, disa prej këtyre tifozëve të zhgënjyer nuk janë të ndrojtur në rebelimin e tyre të qetë. Pavarësisht tundimeve për fitime të mira, disa pronarë kroatë kafenesh dhe restorantesh po refuzojnë të transmetojnë ndeshjet në pronat e tyre. Gazeta e përditshme «Slobodna Dalmacija» njoftoi për pronarin e një restoranti të tillë në qytetin dalmat të Makarskës, i cili është zotuar që s’do t’i shfaqë ndeshjet. «Unë do ta bojkotoj Kampionatin Botëror të Futbollit për aq kohë sa drejtuesit e HNS-së nuk përfundojnë në burg», tha ky pronar për gazetën.

Disa nga këta tifozë të armiqësuar, përfshirë edhe disa kroatë që jetojnë në Dublin në Irlandë, kanë varur banderola ku sulmojnë HNS-në dhe madje thonë se shpresojnë që ekipi kombëtar të humbasë.

«Uroj të humbni të gjithë! – ishte mesazhi i hidhur i shkruar një ditë para fillimit zyrtar të Kupës së Botës në një banderolë pranë rrugës midis dy qyteteve dalmate të Shibenikut dhe Dërnishit. Krijuesit e banderolës shprehën gjithashtu zemërimin ndaj Zdravko Mamiq, ish-bosi i futbollit kroat i dënuar nga gjykatat, Davor Shukerit, drejtuesi i HNS-së dhe lojtarët Luka Modriq dhe Dejan Lovren, duke vendosur kryqe mbi emrat e tyre në të njëjtën banderolë.

Këta tifozë thonë se e kanë humbur besimin e tyre te futbolli kroat për shkak të asaj që ata e shohin si kulturë e përhapur korrupsioni. Mamiq, ish-drejtuesi i klubit të Dinamos së Zagreb, si dhe Damir Vërbanoviq, ish-drejtori ekzekutiv i federatës, u dënuan nga gjykatat më 6 qershor për transferim të 15 milionë eurove jashtë klubit të futbollit dhe për mashtrim të shtetit kroat me rreth 1.8 euro në taksa të papaguara.

Ndërkohë, lojtarët kombëtarë kroatë Luka Modriq dhe Dejan Lovren, kishin lidhje të forta me personat e lartpërmendur, dëshmuan në gjyqin e tyre si dëshmitarë dhe të dy janë akuzuar se kanë dhënë dëshmi të rreme. Kur u pyet nëse futbolli kroat po përballet me një të ardhme më të ndritshme që nga vendimi i shkallës së parë kundër Mamiqit, Vërdolak tha për BIRN se, nëse dënimi do të lihet në fuqi, ky do të ishte një hap i rëndësishëm.

Por ai shtoi se sistemi i korruptuar që kishte ngritur Mamiq «mund të vazhdojë të funksionojë në një formë metastaze, edhe nëse formalisht i pritet koka». Për shërimin dhe demokratizimin e vërtetë të futbollit vendas, nevojitej një ndryshim rrënjësor i personelit, vazhdoi ai.

Tifozët e futbollit thonë se për vite me radhë, në të gjitha pjesët e Kroacisë dhe midis kroatëve të diasporës, është shprehur rezistencë ndaj rolit të NHS-së. Pakënaqësia e tyre kulmoi gjatë Kampionatit Europian UEFA 2016 në Francë kur ndeshja me Republikën Çeke u ndërpre për shkak se në fushë u hodhën fishekzjarrë. Kroacia do të luajë kundër Argjentinës të enjten dhe kundër Islandës të martën e ardhshme.
Anja Vladisavleviq, BIRN