T’i presim zgjedhjet në Batoçinë, në Bolevac, në Zhagubicë dhe në Zllatibor

Kosova është e pavarur, por pushtetarët e saj duhet të presin «zgjedhjet në Beograd» për të votuar në Kuvendin e Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi. Aleanca e të eturve për para, e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të Beogradit dhe e ultranacionalistëve «properëndimorë» serbë po funksionon shumë mirë - dhe në dëm të Kosovës.

Zgjedhjet në Serbi. Karikaturë e Corax. Botuar në gazetën Danas.



Kosova dëshiron së shpejti të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s. Kosova është «faktor stabiliteti». Kosova është shtet «properëndimor». Kosova është Republikë. Kosova është «shtet tolerant». Kosova «nuk e toleron» korrupsionin. Kosova e lufton «krimin e organizuar». Kështu, pak a shumë, tingëllojnë fjalimet e pushtetarëve të Kosovës. Sa shumë besojnë këto krijesa në atë që thonë tregojnë njoftimet mediale se me kërkesë të Serbisë (konkretisht Aleksandër Vuçiqit) është vendosur që për demarkacionin me Main e Zi të votohet pas «zgjedhjeve në Beograd».

Për presidentin serb Aleksandër Vuçiq është me rëndësi që partia e tij të fitojë zgjedhjet në Beograd. Kjo domethënë se politikanët e Republikës së Kosovës duhet të sillen si politikanë të krahinës autonome të Kosovës e Metohisë, siç ka ekzistuar para vitit 1966, pra në epokën e Aleksandër Rankoviqit. Atëherë duhej «dëgjuar» Aleksandrin me kërbaç, tash në Prishtinë e dëgjojnë Aleksandër Vuçiqin, sepse ai kontrollon Listën Serbe. Nëse për të zhvilluar punimet e tij Kuvendi i Kosovës duhet të marrë parasysh edhe zhvillimet e politikës lokale serbe, atëherë pse të mos i presim edhe zgjedhjet në Kikindë, në Zhagubicë, në Zllatibor, në Leskovc, në Rashkë, në Majdanpek, në Bolevac, në Batoçinë, në Varvarin, në Pançevë. Kështu, duke pritur garat politike në Serbi, qytetarët e Kosovës do të mësonin edhe gjeografinë e këtij vendi fqinj, ndaj të cilit pushtetarët e Kosovës nuk sillen si fqinj, por si ofiçarë lokalë të krahinës autonome të Kosovës e Metohisë. Të presim të dielën, të presim përfundimin e zgjedhjeve në Beograd. Nëse nuk fiton në raundin e parë kandidati i Vuçiqit, do të dalë ndonjë bashkëpunëtor kosovar i «Uprava državne bezbednosti» (UDB), i cili do të merret vesh me kryetarin serb që për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës të votohet pas balotazhit në Beograd.

Kosova nuk është se nuk ka mjaft probleme të brendshme, por me këtë strukturë politikanësh aq të paditur dhe aq plaçkitës problemet bëhen edhe më të mëdha. Për të qëndruar në pushtet duket se nuk ka çmim që nuk janë të gatshëm të paguajnë. Degradimi i shtetësisë përballë Serbisë dhe lëshimet e palejueshme ndaj këtij shteti që vazhdon të mbajë qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve të Kosovës bëhen paralelisht me keqpërdorimet e brendshme. Sot diskutohej në parlament për rritjen e rrogës së kryeministrit, i cili në debat me parlamentarët e opozitës tregoi edhe njëherë se diapazoni i tij i të shprehurit mbetet frikëshëm i ngushtë. Andaj para parlamentarëve dhe para opinionit ai më shumë fliste se si shteti jep «para në të zezë», sepse edhe shqiponja është e zezë. Folklor nga foltorja. Mungonte vetëm edhe një çifteli, disa sharki, një fyell e një kavall, ndonjë shishe me raki dhe një dele apo mëzat i përzhitur si duhet mbi prush. Skena kur ai që e mban veten për kryeministër fliste përçart për «para në të zezë» dukej si e shkëputur nga ndonjë film satirik mongolez mbi punën e shërbimit sekret të Kongos apo Ugandës.