T’i hapim portat për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Diplomati gjerman Michael Roth angazhohet për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE – dhe kërkon që Brukseli të fillojë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Michael Roth.



Komisioni Europian rekomandoi më 17 prill fillimin e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe ish–Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Bëhet fjalë për marrjen e vendimeve të zgjuara dhe marrjen në konsideratë të çështjeve politike dhe strategjike, në interesin tonë ekonomik dhe të sigurisë. Përse është fjala? Çfarë vihet në lojë?

Me këtë rajon ne nuk na lidh vetëm afërsia gjeografike, por edhe lidhje të shumta historike, kulturore dhe ekonomike. Ne kemi një interes jetik, për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor të ankoruar fort pas Europës, duke e bërë të qëndrueshëm – si ndaj faktorëve të brendshëm destabilizues, ashtu edhe ndaj ndikimeve të dëmshme nga jashtë.

Gjithnjë Ballkani ka qenë në fokus të sferave të ndryshme të interesit. BE duhet të bëhet e dukshme në këtë rajon, duke përdorur më fuqishëm ndikimin dhe mundësitë e saj të strukturimit. Përafrimi me BE-në në asnjë mënyrë nuk detyron ndërprerjen e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore me shtetet e tjera. Por çdo vakum politik, që ne europianët krijojmë, do të plotësohet, në mënyrë të pashmangshme, nga të tjerët, të cilët kanë qenë gjithnjë të interesuar për destabilizim dhe që vendosin në pikëpyetje modelin tonë të një rendi demokratik, të orientuar në vlera dhe të bazuar në rregulla.

Kina është aktive në rajon dhe vepron përmes investimeve strategjike, kryesisht në infrastrukturë. Rusia kujdeset historikisht për marrëdhëniet e ngushta me shtetet e krishtera–ortodokse dhe krijon varësi përmes energjisë dhe furnizimeve me armë. Disa shtete arabe kërkojnë krijimin e një islami konservator, i cili nuk korrespondon me islamin e Ballkanit Perëndimor, të orientuar nga Perëndimi.

Kjo është në kundërshtim me interesat tona. Sepse Ballkani Perëndimor nuk është aspak oborri pas shtëpie i Europës, por është më tepër oborri i brendshëm i shtëpisë europiane. Rajoni është i rrethuar nga disa shtete të BE – gjeografikisht rajoni gjendet në zemër të Europës, vetëm politikisht ndodhet ende jashtë saj.

I gjithë rajoni ka një perspektive anëtarësimi, që nga Samiti i Selanikut më 2003. Është e qartë se në rrugën drejt anëtarësimit duhet kryer ende shumë punë. Të gjitha shtetet, edhe pse në masë të ndryshme, luftojnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar, mangësitë e qeverisjes dhe konflikte rajonale të pazgjidhura.

Por, krahasuar me situatën para njëzet, pesëmbëdhjetë apo edhe para vetëm pesë viteve, janë shënuar përparime shumë të mëdha – dhe kjo është certifikuar së fundmi me rekomandimin e Komisionit Europian për fillimin e negociatave të pranimit. Megjithatë, rruga deri te pranimi është ende e gjatë dhe e lidhur me kushte të qarta. Nuk është aspak fjala për një anëtarësim automatik, por për etapën e parë të një turi të gjatë.

Diskutimi mbi perspektivën e anëtarësimit – fillimisht në nivel kombëtar dhe më pas në nivel europian – do të marrë në konsideratë ato vendime politike, të cilat më së miri promovojnë stabilizimin e mëtejshëm dhe demokratizimin. Bëhet fjalë për gjetjen e drejtpeshimit të duhur mes inkurajimit dhe kushteve të qarta.

Kjo ka të bëjë me sinjalin që BE duhet të përçojë në të gjithë rajonin, me qëllim që proceset e reformave të vështira të vazhdojnë të gëzojnë përkrahjen në mesin e popujve të rajonit. Kjo pasi anëtarësimi në BE është një detyrë e të gjithë shoqërisë dhe jo vetëm e elitave politike dhe ekspertëve të drejtësisë.

Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë e të pashembullt në drejtësi. Nëse do t’ia dalë me sukses, vendi do të avancojë shumë përpara, po kështu edhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Maqedonia ka përmirësuar dukshëm në marrëdhëniet me fqinjët, pas vitesh stagnimi, protestash në rrugë dhe së fundmi një ndryshimi paqësor të qeverisë. Ajo po punon me vrull për agjendën e reformave. Në të dyja këto shtete qeveritë e orientuara nga reformat gjenden para sulmit të ashpër të opozitës. Për pushtetarët, dhe ndoshta për disa qytetarë e qytetare, pa dyshim do të ishte më e lehtë të akomodoheshin në sistemin e patronazhit dhe korrupsionit, sesa të luftonin për tejkalimin e tij.

Një objektiv që bëhet gjithnjë e më i largët kërcënon të kthehet në mirazh. Ai, gjithashtu, kërcënon të humbasë forcën tërheqëse të tij dhe, në fund, edhe fuqinë transformuese. Kjo ka lidhje edhe me tema të rëndësishme si pajtimi, marrëveshjet me fqinj, respekti për minoritetet: pas luftërave të frikshme dhe konflikteve të brendshme të viteve 1990 ende shumë plagë nuk janë shëruar.

Ekzistojnë pjesërisht armiqësi shekullore, historike mes popujve dhe komuniteteve fetare. Prandaj është inkurajuese sa ngushtë po punojnë së bashku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – nëpërmjet qëllimit të përbashkët të përafrimit të BE-së, – në fushën e ekonomisë, transportit, digjitalizimit dhe shkëmbimeve rinore.

Ballkani Perëndimor është një test prove për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës, të lidhura me sigurinë dhe mirëqenien. Për këtë të fundit shpresojnë mbi të gjitha të rinjtë në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i transformimit që po vazhdon për vite kërkon shumë prej tyre. Fillimi i negociatave të anëtarësimit do ishte për popullsinë e te dyja vendeve një sinjal inkurajues. Ne duhet t’u tregojmë atyre se e kemi seriozisht.

Michael Roth është deputet i Bundestagut dhe ministër shteti për Europën në ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Ky shkrim u botua në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Përkthimi: ATSH