T’i ftojmë në debat «Çunat e qefit»

Ikja nga debati është fyerje e publikut dhe e votuesit. Dhe arsye për ikjen e Ramush Haradinajt nga ballafaqimi me kandidatët e tjerë për kryeministër është pasojë e frikës se nuk mund të fluturojë intelektualisht në të njëjtën lartësi me Albin Kurtin dhe Avdullah Hotin.

Foto: Shutterstock



Është mbuluar Kosova me posterë. Politikanë me fytyra të përpunuara nga programet kompjuterike qeshin dhe zgërdhihen në përpjekje shpeshherë të pashpresë për t’ia marrë zemrën votuesit. Nga qendra e Prishtinës deri në Aeroportin e Sllatinës renditen ngjashëm si kajmanët në kënetë politikanë si Ramush Haradinaj apo Kadri Veseli. Të dy dëshirojnë të marrin postin e kryeministrit, ndonëse Haradinaj po beson (ende) se është i vetmi kandidat nga koalicioni i territ.

Gjatë katër ditëve të para të fushatës elektorale, siç shkruan gazeta «Koha Ditore» në numrin e së martës, Veseli dhe Haradinaj kanë harxhuar 135 mijë euro – pa llogaritur këtu shpenzimet marramendëse nga arka e Kuvendit të Kosovës për t’ia ndrequr imazhin Kadri Veselit, i cili nga oponentët e tij politikë herë akuzohet si shef i nëntokës, herë madje edhe si i dyshuar për krime serioze dhe padron i rrjetit për ndarjen e tenderëve klanit të tij politik. Ndërsa LDK vlerësohet të ketë harxhuar 115 mijë euro në ditët e para të fushatës, Lëvizja Vetëvendosje ka harxhuar vetëm 33 mijë euro.

Përkundër fuqisë financiare koalicioni i territ dhe frikës (dhe askush mos të thotë se në këtë vend Haradinaj dhe Veseli nuk kanë përhapur frikë sidomos pas luftës!) po i shmanget debateve kudo ku po mundet. Kjo fushatë po tregon sërish se me para mund të trajnosh muskujt në palestër (si Haradinaj), mund të përgatitësh spote publicitare me para të buxhetit (si Veseli), mund të bësh çfarë të duash për pispillosje politike, por prapë një gjë s’mund ta arrish: shkathtësinë intelektuale për t’u ballafaquar me rivalët politikë.

Mes posterëve me fytyrën e panatyrshme të Haradinajt dhe të Veselit në rrugën drejt Aeroportit të Prishtinës gjendet edhe një poster i madh që reklamon talentin muzikor të grupit «Çunat e qefit». Meqë Haradinaj, por edhe Veseli po i shmangen debateve televizive, ata simbolikisht po e kualifikojnë veten si daullexhinj të ndonjë grupi që shurdhon popullin me muzikë tallava.

Ikja nga debati është fyerje e publikut dhe e votuesit. Dhe arsye për ikjen e Ramush Haradinajt nga ballafaqimi me kandidatët e tjerë për kryeministër është pasojë e frikës se nuk mund të fluturojë intelektualisht në të njëjtën lartësi me Albin Kurtin dhe Avdullah Hotin.

Pasi që frikësohet se nuk mund të matet me Kurtin apo Hotin, Haradinaj përpiqet të gjejë arsyetime qesharake. Në një paraqitje televizive ai tha se nuk donte të debatonte me Kurtin për shkak se ky i fundit ishte anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa Haradinaj shef partie. Por, qëllimi i një debati do të ishte ballafaqimi i argumenteve mes kandidatëve për kryeministër. Janë tre kandidatë që pretendojnë të marrin këtë post: Hoti i LDK-së, Kurti i VV-së dhe Haradinaj i koalicionit që për shkak të rrethanave në të cilat u krijua mund të quhet edhe «Koalicioni i Kleçkës dhe Jabllanicës». Nëse Haradinaj frikësohet nga një debat me Kurtin e Hotin si mund të ballafaqohet ai me politikanë si Aleksandër Vuçiqi, i cili ka arritur t’i bëjë miq personalë disa politikanë europiane, të cilët më 1999 kanë marrë vendime për bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës.

Nuk janë vetëm mediat dhe Lëvizja Vetëvendosje që po e kritikojnë Haradinajn për «tërheqje taktike» nga studiot televizive. Edhe Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, Lojze Peterle, ka deklaruar se refuzimi për të marrë pjesë në debate njollos procesin zgjedhor. Dhe me refuzim Peterle mendon koalicionin PDK, AAK dhe Nisma. Fushata zgjedhore sivjet do të jetë e shkurtër, edhe katër ditë dhe gjithçka do të përfundojë. Andaj, mediave nuk u mbetet gjë tjetër pos në debat për të ardhmen e Kosovës të ftojnë «Çunat e qefit».

Agjencia Federale Gjermane për Edukim Civil thekson se gjuha nuk është vetëm një instrument dosido i politikës, por kusht i mundësisë së saj. Politikës nuk i duhen memecë. Të tillë po shfaqen para publikut shumica e eksponentëve politikë të PDK-së dhe AAK-së.