Ti doje të varrosesh në Prizren

(Fragment nga romani «Elefantët në kopsht» të autores Meral Kureyshi, e lindur më 1983 në Prizren, e cila jeton në Bernë).

Meral Kureyshi. Foto: Pia Neuenschwander



Arkivoli yt është në dhe. Ti doje të varrosesh në Prizren. Qe një muaj, çdo të premte në mëngjes, i mbuloj flokët me shami të bardhë dhe recitoj një jasin për ty, një lutje për të vdekurin.

Nga dritarja në katin e tetë shoh Annen duke braktisur shtëpinë. E di se mes buzëve të saj ajo ka të ngjitur një Marlboro. Në një çantë që duhet të jetë më e vjetër se unë gjendet një kuti me cigare, e kuqe dhe e bardhë. Sapo të dalë jashtë ajo ndez cigaren me një çakmak të ngrohur më parë në grusht. Ajo thith cigaren dhe picërron pak sytë, thua se po ia merr drita. Gjoksi i saj fryhet. Kur e nxjerr tymin jashtë, ajo për një çast zhduket në shtëllungë. Nuk i pëlqen të pi duhan vetëm, kurrë nuk i ka pëlqyer, por tani qëndron këtu si një stufë, e cila nuk i duhet askujt gjatë verës.

Baba donte që ajo ta linte duhanin. Anne ia frynte tymin në fytyrë dhe i thoshte se vera e mirë s’shkon pa cigare dhe kur s’pinte më alkool ajo thoshte, kafja e mirë s’shkon pa cigare.

Çanta është prej lëkurës së zezë të derrit, lëkura e derrit është e lirë. Ajo është e madhe dhe ka një rrip të gjatë për ta vënë më lehtë mbi sup gjatë dimrit, kur vishesh trashë. Kur po kërkoja një pincetë në të, gjeta një xhep të vogël brenda. Zinxhiri që e mbyllte duket si plagë, një plagë e qepur, penjtë e së cilës s’janë tërhequr kurrë. Dhëmbë pas dhëmbi hap xhepin dhe gjej aty një krehër tëndin prej druri.

Anne nxjerr nga çanta shkopin për të verbër, i cili zgjatet. Shoh se si shkopi lëviz nga e majta në të djathtë. Sot erdhën me postë dy shkopinj të rinj, ai i vjetri është përdorur gjatë, kjo shihet në pjesën e përparme.

Banesa e re do të pëlqente. Dyshemetë nuk janë të shtruara me qilima dhe nga ballkoni i katit të tetë mund të shikosh larg përtej çative dhe banesave të tjera. Bümplitzi të ka pëlqyer përherë. Këtu vije për të blerë, shumë shokë të tu banonin këtu, dhe në xhaminë që gjendet në bodrumin e një ndërtese shumëkatëshe ti shkoje për të falur Bajramin bashkë me një grup të madh burrash shqiptarë.

Pesë vjet kemi kërkuar banesë. Pas vdekjes tënde ne gjetëm në periferi të Bernës një banesë në një ndërtesë shumëkatëshe, në të cilën jetojnë dyzet e shtatë familje të huaja dhe tri zvicerane.

«Sa mirë e flisni gjermanishten», më tha qiradhënësja me zë të lartë dhe shumë qartë.

«Ne jetojmë në Zvicër që nga mosha ime dhjetëvjeçare», u përgjigja unë. Prej se kemi hyrë në banesë kemi ndarë mendjen t’i stolisim muret me piktura. Ato ende janë të bardha.

(Nga gjermanishtja: E.R.)