Thirrje për të dokumentuar kontributin e Diasporës në luftën e Kosovës

Qendra Kulturore e Kosovës për Diasporë e Mërgatë Zvicër i thërret mërgimtarët për një aksion dokumentar.

Foto: Leonid Andronov / Shutterstock.com

«Të nderuar bashkatdhetarë,

lufta e fundit për lirinë e Kosovës mobilizoi mbarë Diasporën për t’u dalë në krah vëllezërve e motrave në atdheun tonë, popullit që i kishte zënë frymën pushteti serb. Mijëra djem e vajza nga diaspora iu përgjigjen kësaj thirrje. Një pjesë e madhe e atyre që shkuan për të luftuar për lirinë e Kosovës nuk u kthyen më në luksin e Zvicrës, ata u bënë gurë atdheu.

Në kujtim dhe nderim të tyre, Qendra Kulturore fton të gjithë bashkatdhetarët që të ofrojnë të dhëna – foto dhe legjenda përshkruese për familjarët, shokët apo dikë nga rrethi i tyre, të cilët shkuan nga Zvicra dhe u flijuan për lirinë në Kosovë.

Këto të dhëna mund t’i dërgoni pranë Qendrës Kulturore në adresën e-mailit: [email protected] apo përmes numrit të telefonit: +41 76 564 01 38.

Në fund të korrikut në Qendrën Kulturore do të hapet një ekspozitë me këto imazhe dhe dokumente. Ideja e grumbullimit dhe ekspozimit të të dhënave të luftëtarëve për lirinë e Kosovës më pas do të bartet në të gjitha shtetet ku ka shqiptarë. Në fund ky fond dokumentar do të vendoset në Muzeun e Kosovës.

Ata na e dhuruan jetën, ne mund t’ua dhurojmë përjetësinë duke i kujtuar!»

Apeli mban logot: Repulika e Kosovës, Ministria e Diasporës, Qendra Kulturore e Kosovës për Diasporë e Mërgatë Zvicër dhe nënshkruhet me respekt nga Shukrije Ramadani – u.d. Drejtoreshë.