«Thikën dhe sëpatën i kam të gatshme»: çfarë biseduan në chat atentatorët islamistë në Gjermani?

Protokollet e chatit tregojnë se si instruktorët e «Shtetit Islamik» flisnin me atentatorët e mëvonshëm.

Pas sulmit në Ansbach.

Në fillim të javës autoritetet gjermane arrestuan tre persona të dyshuar si anëtarë të milicisë terroriste IS – dhe të martën ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière njoftoi se ka doras individualë, të cilët dirigjohen nga larg. Ministri e kishte fjalën për atentatorët e sulmeve në Würzburg dhe Ansbach në fillim të korrikut. Edhe një 16-vjeçare, e cila në shkurt kishte sulmuar me thikë policët, dyshohet se është dirigjuar nga njerëz të «Shtetit Islamik». Të dirigjuarit nga larg – kjo duket të jetë një kategori e re e terroristëve. Hetuesit gjermanë mendojnë se instruktorë të IS po sillen në internet në kërkim të kandidatëve potencialë për sulme.

Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» ka siguruar disa protokolle të bisedave në chat mes të dyshuarve për sulme dhe instruktorëve të IS.
17-vjeçari Riaz Khan A. kishte ardhur në vitin 2015 në Gjermani, pa prindër. Autoritetet e kishin dërguar në një fshat afër Würzburgut për të banuar, ku nuk kishte rënë në sy si fanatik, por ai bisedonte fshehurazi me një instruktor të IS.
Instruktori i IS: «Me çfarë armësh dëshiron të vrasësh?»
Riaz A përgjigjet: «Thikën dhe sëpatën i kam të gatshme».
Instruktori i IS: «Vëlla, a nuk do të ishte më mirë ta kryesh me veturë?»
Riaz A.: «Nuk di të ngas veturën».
Instruktori i IS: «Duhet të mësosh».
Riaz A.: «Më merr kohë derisa të mësohem».
Instruktori i IS: «Dëmi do të ishte shumë më i madh».
Riaz A.: «Sonte dua të shkoj në parajsë».
Mbrëmjen e 18 korrikut, në ditën e atentatit, Riaz A. dhe terroristi i supozuar i IS nga ora 18:34 ishin në kontakt të ngushtë.
Riaz A.: «Dëgjo, të tregoj për një punë të rëndësishme».
Instruktori i IS: «Po».
Riaz A.: «Vëlla, po të dërgoj videon time. Sonte do të kryej një sulm me sëpatë në Gjermani».
Riaz ia dërgoi videon agjencisë propagandistike të IS: «Jam ushtar i Allahut i Shtetit Islamik. Do të vras me thikë dhe do t’ua çaj kokat me sëpatë, nëse ka thënë Zoti».
Instruktori i IS: «Jo me thikë. Bëje me sëpatë. Nëse dëshiron të kryesh sulmin, nëse do Zoti, atëherë Shteti Islamik do ta marrë përgjegjësinë».
Riaz A.: «Po ta dërgoj videon tash».
Instruktori i IS: «Siguroje shpejt».
Riaz A.: «Lutu që të bëhem martir. Po e pres trenin tani».
Riaz A. hyri në tren, i armatosur me thikë dhe sëpatë. Pak më vonë ai i shkruan sërish instruktorit të IS.
Riaz A.: «Tani po ia filloj».
Instruktori i IS: «Tani do të shkosh në parajsë».
Riaz A. lëndoi rëndë katër veta në tren. Gjatë ikjes nga vendi i ngjarjes ai sulmoi zyrtarët policorë dhe u vra nga një komando speciale.

Shembulli i radhës është nga Ansbachu. Siriani Mohammad D. erdhi në Gjermani në vitin 2014. Thuhet se familja e tij ishte vrarë në Siri. 27-vjeçari më parë kishte kërkuar azil në Bullgari, por deklaroi se atje ishte keqtrajtuar. Në Ansbach një grup i aktivistëve humanitarë u kujdes për të. Me sa duket ai dy herë kishte bërë përpjekje të vras veten. Edhe Mohammad D. mbajti kontakte me një instruktor të IS. Edhe atij iu bë thirrje të vrasë. Sulmi duhej të kryhej në festivalin e muzikës «Ansbach Open 2016». Mohammad D. së pari ia dërgoi instruktorit një fotografi të sheshit, ku do të mbahej festivali.
Mohammad D.: «Ky shesh do të jetë plot me njerëz».
Instruktori i IS: «Vriti të gjithë në një hapësirë të madhe, që të mbeten të shtrirë të tokë».
Më 24 korrik, ditën e sulmit, 27-vjeçari mban kontakt të ngushtë me instruktorin.
Mohammad D.: «Evenimenti do të përfundojë së shpejti, në hyrje ka kontroll».
Instruktori: «Kërko një vend dhe futu në turmë. Çaje kordonin e policisë, vrapo, bëje».
Mohammad D.: «Lutu për mua. Ti nuk e di çfarë po bëhet me mua tani».
Instruktori: «Harroje festën, shko te restoranti. Njeri, ç’po ndodh me ty? Unë do e kryeja edhe po të ishin vetëm dy persona. Besoji Zotit, dhe shko te restoranti».
Mohammad D. niset drejt një restoranti të verës, i cili gjendet afër sheshit të festivalit. Aty shpërtheu bomba që e kishte në çantën e shpinës. Me atë rast u plagosën 15 veta. Mohammad D. vdiq.
Sipas «Süddeutsche Zeitung» edhe një sulm me thikë kundër policisë në stacionin e trenit në Hannover më 26 shkurt ishte kryer me instruksione të IS. Autorja e sulmit ishte Safia S., një vajzë 16-vjçare, e cila kishte kërkuar këshilla nga IS për të kryer një sulm në Gjermani. Edhe ajo ishte në kontakt me një person të IS përmes chatit. (-lli)