Themelohet Task-Forca për anëtarësim në UNESCO e organizata të ngjashme

Qeveria e Kosovë miratoi propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, për krijimin e Task-Forcës, me qëllim të bashkërendimit të punëve për anëtarësimin apo aderimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të kulturës dhe të trashëgimisë.




Ministri Shala, në ekspozenë e tij në mbledhjen e stome të Qeverisë së Kosovës, u shpreh se MKRS-ja konsideron që pas rezultatit të jashtëzakonshëm të anëtarësimit të plotë të asociacioneve të sportit të Kosovës në asociacionet ndërkombëtare, i gjithë fokusi duhet të jetë te anëtarësimi dhe aderimi në organizata e konventa ndërkombëtare të kulturës, kështu që është e domosdoshme që të kemi një mekanizëm, i cili do të ndihmojë dhe do të bashkërendojë punët, raporton Koha.net.

Më tej Shala shtoi se «qëllim primar i kësaj Task-force do të jetë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që kanë lidhje të ngushtë me UNESCO-n dhe organizatat e tjera të rëndësishme të kulturës dhe të trashëgimisë».

«Po ashtu, do të asistojë në procesin e aderimit në konventa dhe karta ndërkombëtare të kulturores, me qëllim lidhjen e Kosovës me institucione ndërkombëtare kulturore», theksoi ai.

Po ashtu ministri u shpreh se MKRS-ja, krahas kësaj, do të vazhdojë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale me shtete të veçanta, me qëllim që të rris bashkëpunimin në fushën e kulturës me vendet e tjera dhe të rrisë përkrahjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të kulturës.

Në fund të fjalës së tij, Shala u shpreh se çdo anëtarësim do të jetë i dobishëm për komunitetin dhe institucionet e kulturës së vendit, si dhe do të ndihmojë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Task-Forca do të përbëhet nga përfaqësuesi i:

a. Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – kryesues;
b. Presidencës;
c. Kryeministrisë;
d. Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit të Republikës të Kosovës;
e. Ministrisë të Punëve të Jashtme;
f. Ministrisë së Integrimeve;
g. Ekspertë sipas nevojës;
h. Përfaqësues të shoqërisë civile.

Task-Forca, në radhë të parë, do të ketë në fokus në anëtarësimet/aderimet në këto organizata:

Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe të Restaurimit të Pasurisë Kulturore (ICCROM);

Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Lokaliteteve (ICOMOS);

Konventa mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore (UNESCO 1972);

Karta Ndërkombëtare mbi Ruajtjen dhe Restaurimin e Monumenteve dhe Lokaliteteve (Karta e Venedikut, 1964/ICOMOS);

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (Këshilli i Evropës 1992);

Konventa Kulturore Evropiane (Këshilli i Evropës, 1954);

Programet e BE-së, etj.