Themelimi i drejtorisë së re pritet ta zhbllokojë planifikimin urban në kryeqytet

Pas më shumë se katër muajsh pritet zhbllokimi i planifikimit urban të Prishtinës.




Kjo pritet të ndodhë në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila është planifikuar të mbahet më 29 të këtij muaji.

Ndryshimet vijnë si pasojë e ristrukturimit të ekzekutivit të Prishtinës nga kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, përkatësisht pas ndarjes së Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit…, nga e cila është themeluar si e veçantë Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe e Zhvillimit të Qëndrueshëm, shkruan sot «Koha Ditore».

«Tashti drejtoria që merret me planifikimet urbane drejtohet nga një tjetër drejtor. Partitë opozitare nuk besoj se do t’i bllokojnë propozimet për plane rregulluese për arsyet që ishin më parë», ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halim Halimi.

Bllokimi i propozimeve të Drejtorisë së Urbanizimit është bërë nga dy partitë opozitare, me shumicë në KK: LDK e PDK, pas sulmit që drejtori i kësaj drejtorie, Liburn Aliu, e kishte bërë ndaj këshilltarit të PDK-së, Muhamet Selmani, para 4 muajsh. Ata qysh atëherë kishin kërkuar shkarkimin e drejtorit Liburn Aliu. Në të kundërtën, do të bllokonin çdo propozim që do t’i shkonte KK-së nga kjo drejtori, qysh edhe kanë vepruar. Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së në KK të Prishtinës, Lirak Çelaj, ende ka dilema nëse do të ndryshojë diçka në këtë plan. Sipas tij, në dokumentet që u janë dërguar këshilltarëve komunalë nuk është parë se është ndryshuar sponsoruesi.

«Në rast se sponsoruesi do të jetë sërish Drejtoria e Urbanizmit, ne do të refuzojmë shqyrtimin e propozimeve. Në të kundërtën, nëse vijnë nga Drejtoria e Planifikimit, atëherë nuk kundërshtojmë», ka thënë Çelaj, për të shtuar se «votimi apo mosvotimi i propozimeve është çështje tjetër».

Edhe Sami Hamiti i LDK-së e ka po të njëjtën dilemë.

«Nëse dalin pikat për shqyrtim në emër të Liburn Aliut, në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë të kalojnë», ka thënë Hamiti, për të shtuar se bllokimi bëhet për arsye politike.