Thellohet kriza në Maqedoni, diplomatët heqin dorezat

Nga 11 dhjetori Maqedonia nuk ka arritur të formojë qeveri të re, ndërsa Kuvendi nuk ka kryetar. Së shpejti edhe pushteti lokal shkon drejt një krize institucionale: krerëve dhe këshillave komunalë u skadon mandati. Diplomatët ndërkombëtarë i bëjnë thirrje presidentit Ivanov që t'ia japë mandatin Zaevit që ta formojë qeverinë.

Objekti i Qeverisë së Maqedonisë në Kalanë e Shkupit. Foto: Travelsewhere / Shutterstock.



Maqedonia po shkon drejt një krize edhe më të thellë, jo vetëm politike, por edhe institucionale. 5 marsi është afati i fundit për t’u shpallur zgjedhjet lokale, të cilat sipas kodit zgjedhor në fuqi, duhet të mbahen më 14 maj. Ato duhet të shpallen 70 ditë para ditës së votimit, nga del që afati i fundit për këtë është më 5 marsi. Por, për t’u shpallur zgjedhjet fillimisht duhet të zgjidhet kryetari i kuvendit, i cili është kompetent për këtë. Ndërkaq, në 24 orët e fundit të këtij afati në kuvend nuk ka asnjë propozim dhe as sinjale për thirrjen e një seance të tillë. Nëse skadon edhe ky afat, atëherë kuvendi gjatë periudhës në vazhdim do të duhet t’i shtyjë zgjedhjet lokale me një ndryshim të veçantë ligjor. Por, nga 14 maji e deri në ditën kur të mbahen zgjedhjet lokale, të gjitha komunat do të funksionojnë pa kryetarë dhe pa këshilla komunale të mandatuar.

Kjo do të shkaktojë një kaos të vërtetë, pasi kryetari në shkarkim nuk ka të drejtë as të nënshkruajë pagesën e pagave dhe as të sjellë vendime të tjera, ashtu siç nuk do të ketë të drejtë këtë ta bëjë as këshilli komunal. Me këtë, Maqedonia do të mbetet zyrtarisht vetëm me një president që ka mandat të plotë, pasi aktualisht tre pushtetet e tjera janë jofunksionale. Kuvendi është i konstituuar, por nuk janë formuar trupat parlamentare dhe nuk është zgjedhur kryetari; qeveria është ende teknike, e formuar para zgjedhjeve. Me skadimin e afatit edhe pushteti lokal do të mbetet pa drejtues legjitim dhe të plotëfuqishëm.

Reagimet ndërkombëtare

Situata u ndërlikua edhe më tepër pasi presidenti Gjorgji Ivanov refuzoi t’ia japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, edhe pse i siguroi 67 nënshkrimet e nevojshme që i kishte vendosur si kusht Ivanovi. Pas këtij vendimi, diplomatët e huaj dhe Brukseli zyrtar kanë hequr dorezat diplomatike dhe i kanë përcjellur mesazhe të drejtëpërdrejta Maqedonisë dhe krerëve të lartë shtetërorë. Përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, gjatë vizitës njëditore në Shkup një ditë pas vendimit të kreut shtetëror, ka kërkuar nga presidenti Ivanov që ta tërheqë vendimin e tij dhe në pajtueshmëri me kushtetutën mandatin t’ia ndajë liderit të partisë që ka shumicën parlamentare. «Kërkoj nga presidenti që të reflektojë dhe ta rishqyrtojë vendimin në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe, siç thotë kushtetuta, t’ia dorëzojë mandatin liderit të partisë që e ka shumicën parlamentare. Kjo është kushtetuta e vendit dhe ne e respektojmë atë. Të gjithë liderët partiakë dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi institucionale e kanë për detyrë të përmbahen nga retorika duke shmangur që kjo krizë politike dhe institucionale të bëhet konflikt ndëretnik», u shpreh Mogherini.

Mesazhe të drejtëpërdrejta dhe alarme shqetësuese kanë ardhur edhe nga diplomacia gjermane. Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në kuadër të vizitës së tij në Ukrainë, ka komentuar edhe situatën politike në Maqedoni, për të cilën tha se është shumë shqetësuese. Vendimi i Ivanovit, sipas tij, është në kundërshtim me vlerat demokratike, ndërsa tensionimi i situatës politike e largon vendin akoma më shumë nga rruga euroatlantike. «Tensionimi i situatës së politikës së brendshme në IRJ të Maqedonisë është shumë shqetësues. Stagnimi i politikës së brendshme paraqet kërcënim për vendin, e largon akoma më shumë nga rruga e afrimit me Bashkimin Evropian. Presidenti Ivanov e privon liderin e deritashëm të opozitës nga mandati për formimin e qeverisë, edhe pse ai e ka siguruar shumicën parlamentare. Ajo është në kundërshtim me parimet demokratike dhe vlerat evropiane, për të cilat është zotuar vendi», tha ministri i jashtëm gjerman.

Edhe ministri britanik për Evropë dhe Amerikë, Alan Duncan, i ka bërë thirrje presidentit Gjorgje Ivanov që ta rishikojë vendimin për dorëzimin e mandatit për formimin e Qeverisë. «67 deputetët e zgjedhur në Kuvend, të cilët përfaqësojnë bashkësi të ndryshme etnike në Maqedoni kërkuan të formohet Qeveria. 67 nga gjithsej 120 është shumicë e qartë», theksoi Duncan.

Reagimi i presidentit shqiptar, Nishani

Kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka hedhur si të pavërteta gjykimet e presidentit maqedonas, Gjorgji Ivanov, se Shqipëria ka ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë dhe ka imponuar platformën qeveritare. Kjo ishte përdorur edhe si arsye që Ivanov nuk i dha mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, pasi ky i fundit pranoi një pjesë të madhe të platformës së përbashkët të partive shqiptare që mund të zgjidhen në kuadër të Kushtetutës aktuale.

Në një intervistë për ABC, Nishani është shprehur se Tirana zyrtare është e interesuar dhe vazhdon të kontribuojë për stabilitetin e Maqedonisë, për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve fqinjësore me Maqedoninë. Ai ka thënë se Shqipëria është e ngarkuar me përgjegjësi kushtetuese për të mbështetur edhe për të qenë e interesuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo që ata jetojnë. 
«Ne kemi mbështetur, dhe është detyrë kushtetuese të mbështetet faktori politik shqiptar, për një mekanizëm siç është platforma që partitë shqiptare kanë arritur me vullnetin e tyre politik, angazhimin strukturor si një mekanizëm që do t’u garantojë shqiptarëve zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit», deklaroi presidenti Nishani.

BDI në koalicion, Besa dhe Aleanca e mbështesin atë



Pas shumë ditësh debat brendapartiak, nëse do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhëshme ose do të mbështesë një qeveri të pakicës duke qëndruar vetë në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur t’i thotë po koalicionimit dhe pjesmarjes në Qeverinë e LSDM-së. «Vendimi i kryesisë qëndrore të BDI-së është që të reflektojë vullnetin e shqiptarëve të shprehur në zgjedhjet e 11 dhjetorit, dhe të jetë pjesë e një qeverie në frymën e Marrëveshjes së Ohrit për të ndërtuar një shtet juridik dhe për të garantuar rrugën e integrimeve në NATO dhe BE», ka thënë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së pas mbledhjes së të premtes që zgjati deri në orët e mesnatës.

Osmani nuk ka precizuar nëse partia do ta shfrytëzojë mundësinë e formimit të qeverisë përmes kuvendit nëse Ivanov nuk i jep mandatin kreut të LSDM-së, por i ka bërë thirje Ivanovit që ta respektojë shumicën e re parlamentare. «I bëjmë thirrje Ivanovit që në përputhje me obligimet e tija kushtetuese dhe kërkesën e tij gjatë konsultimeve me të gjitha partitë parlamentare, t’i ndajë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare të konfirmuar me nënshkrimin e 67 deputetëve në kuvendin e Maqedonisë. Njëkohësisht ftojmë z. Ivanov dhe partitë politike në Maqedoni të jenë të matura me deklaratat e tyre në mënyrë që të mos rrezikojnë të ardhmen e përbashkët të qytetarëve të Maqedonisë», është deklaruar zëdhënësi i BDI-së.

Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, që kanë pesë, përkatësisht tre deputetë, ende nuk kanë vendosur nëse do të jenë pjesë e koalicionit të ardhëshëm qeveritar. Por, dy partitë i kanë dhënë mbështetje qeverisë së Zoran Zaevit. «Numrat për formimin e qeverisë i kanë LSDM, BDI dhe Aleanca. Në rast se mandatari i ardhshëm na dërgon ofertë për pjesëmarrje në qeveri, organet e Lëvizjes Besa do marrin vendim konform asaj oferte. Aktualisht po presim si do zhvillohet situata më tej dhe në radhë është presidenti; të shohim a do ta tërheqë vendimin e tij dhe nëse do ta jepë mandatin. Aktualisht nuk ka ndonjë vendim tjetër të kryesisë së partisë, pos atij për dhënien e nënshkrimeve për formimin e shumicës parlamentare», ka deklaruar Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Alenca Për Shqiptarët akoma nuk ka vendosur nëse do të koalicionojnë bashkë me BDI-në dhe LSDM-në. Nga LR-PDSH, njëra prej tri partive në këtë koalicion, thonë se kryesia e partisë akoma nuk ka sjellë një vendim për këtë temë. «Kryesia e LR-PDSH-së ende nuk është mbledhur për të biseduar lidhur me këtë çështje. Deri më tani, nuk kemi diskutuar dhe nuk kemi marrë ndonjë vendim si parti», shprehen nga LR-PDSH.