«The Independent»: Kosova – Harmonia mbizotëron në këtë cep të Ballkanit




Takova një burrë nga Ballkani i cili më tha se kishte qëndruar në të njëjtin vend për tërë jetën e tij por ka jetuar në katër vende të ndryshme. Më 1999, kur NATO vendosi të bombardonte Serbinë për shkak të përpjekjeve të saja për të spastruar rajonin e Kosovës nga shqiptarët etnikë, lindi një vend tjetër.

Britanikët e kujtojnë kohën kur Tony Blair inkurajoi NATO-n të ndërhynte pa rezolutë të OKB-së, dhe për pasojë ai është hero për çdo kosovar që e takon.

Tani vendi është në paqe, dhe, përveç statujave të arta të heronjve të luftës, shumë pak mund të shihet nga shkatërrimet që kanë ndodhur – minaret janë rinovuar dhe turizmi është objektivi primar. Betoni i komunizmit është zhdukur. Në qytetin universitar të Pejës, ku britanikët vinin në numra të mëdhenj kur ky vend ishte pjesë e Jugosllavisë, rrugët janë të mbushura përplot jetë familjare në kohën kur diaspora kthehet për dasma e për kremtime tjera verore. Malet dhe kullotat janë afër, dhe në këtë vend të bllokuar mund të përjetoni të gjitha kënaqësitë, nga ekskursionet e këndshme deri te kthimi për të ngrënë ushqim të freskët; ushqimi im i preferuar është ‘speca në mazë’, transmeton Koha.net.

Në Bogën e afërt – shtëpitë e reja me çati të thikta për t’iu përshtatur borës dimërore – bisedohet për t’u zgjeruar në një rezort skiimi. Trauma e të kaluarës së afërt me sa duket inspiron kosovarët duke transmetuar energji të një populli që është i vendosur për një të ardhme të sigurt.

Në majë të maleve zbulova se kufijtë nuk kanë fare rëndësi kur je atje – mund të kalosh në Shqipëri dhe Mal të Zi derisa je duke shëtitur në majat e Ballkanit. Cicërimat e bulkthave shumëngjyrësh, liqet e pastër dhe shijimi pa pagesë i djathit dhe mjaltit nga fermat majë maleve, mjaftonin për të më mbajtur të lumtur. E imagjinoja jeton e një gjuetari-mbledhësi të ri teksa ngopesha me luleshtrydhe e boronica të egra, të cilat shpesh mblidhen nga banorët lokalë për t’u shitur në treg.

Në një luginë të largët takova një burrë që po ndërtonte një shtëpi në tokën e trashëguar. Derisa ai po piqte rrënjë perimesh në furrën e tij, më tregoi për gjyshin e tij i cili, për shkak të respektit, do të fshihte sëpatën nga pema që donte ta priste. Lidhja e harmonishme me botën e egër ende mbizotëron në këto kënde rurale të Ballkanit.

Në qytetin e vogël të Junikut fjeta në një kullë – shtëpi guri – me tavane të gdhendura prej druri. Kryetari i komunës më këshilloi që të ngjitesha në malin më të lartë të Kosovës, në Gjeravicë, për pamjen panoramike që e ka. Një ekip i një televizioni kosovar vendosën që të më përcjellin në rrugëtimin tim, me shpresën se do të inspiroja të tjerët të bënin po të njëjtën gjë.

Arrita në majë shumë para tyre dhe u takova me ta disa orë më vonë kur arritën në pikën e takimit. Ende po e pres transmetimin e dokumentarit, por shpresoj që këtë tokë të bukur e të pasur ta vizitojë edhe shumë të tjerë.

Peter Duncan është themelues i kompanisë «The Natural Adventure» (thenaturaladventure.com), që ofron udhëtime për në Kosovë.