Thaçi sulmon politikanin austriak: «Kush mendon se Kosova është Serbi, ai sheh ëndrra të këqija»

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur ëndërrimtar kandidatin për president të Austrisë, Nobert Hofer, i cili Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë.

Pas vizitës në Vjenë ditë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dhënë një intervistë gazetës «Die Presse». Ai ka deklaruar se marrëdhëniet e Kosovës me Austrinë janë shumë të mira dhe ka bërë të ditur se me presidentin Heinz Fischer ka folur për liberalizimin e vizave dhe për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Duke u përgjigjur në pyetjen se kandidati për president të Austrisë, Nobert Hofer, e ka quajtur Kosovën pjesë të Serbisë, Thaçi tha: «Është ëndërr e keqe nëse dikush mendon se Kosova na qenkësh pjesë e Serbisë. Kosova është e pavarur dhe shtet sovran».

Në këtë intervistë Thaçi ka deklaruar e Kosova është pranuar prej më shumë se 100 shteteve dhe është «në rrugë të mirë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE». Kjo deklaratë e Thaçi vjen pasi ai në selinë e NATO-s u prit si «Hashim Thaçi prej Kosovës», pa iu përmendur funksioni. Sa i përket integrimit në BE, Kosova prej të gjitha vendeve të Ballkanit është më së largu.

Në lidhje me deklaratat e Norbert Hofer, i cili është funksionar i partisë raciste FPÖ, Thaçi ka theksuar se austriakët përherë janë angazhuar në rajon dhe në këtë kontekst ka përmendur: ish-ministrin e Jashtëm Alois Mock, ish-vicekancelarin Erhard Busek dhe diplomatët Wolfgang Petritsch, Albert Rohan, Valentin Inzko dhe Ulrike Lunacek nga Parlamenti Europian.

Sa i përket projektit të Qeverisë së Serbisë për të ndërtuar një lagje për serbët e kthyer që do të quhet «Lugina e diellit», ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha: «U bëj thirrje të gjithë refugjatëve të kthehen. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe janë të mirëseardhur. Kosova është vend i të gjithëve dhe jo vetëm i një grupi etnik. Por ne nuk do të lejojmë kolonizim të ri të Kosovës nga Serbia». (-lli)