Thaçi pranon se «bisedimet e Brukselit» nuk zgjidhin problemin e vërtetë mes Kosovës dhe Serbisë

Në një editorial të botuar në gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», presidenti i Kosovës është lavdëruar me rezultatet e «negociatave të Brukselit». Dhe ka demantuar veten duke thënë se Kosova mbetet «konflikt i ngrirë».




Kanë kaluar më shumë se gjashtë vite prej se Kosova dhe Serbia kanë nisur një proces negociatash, siç thuhet, për çështje teknike. Ndërsa pala kosovare ka pranuar disa kompromise poshtëruese sa i përket shtetësisë, siç është fshehja e targave të automjeteve dhe pasaportave kosovare gjatë kalimit nëpër Serbi, qeveria e Beogradit është shpërblyer me hapjen e disa kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në një editorial të botuar të enjten në gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit e nënshkruar në vitin 2013 paraqet një përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve, por në të njëjtën kohë ai ka demantuar veten, duke e quajtur çështjen e Kosovës «konflikt të ngrirë».

Thaçi ka bërë të ditur se Kosova i ka pranuar të gjitha propozimet e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe ende përdorë shumë resurse për të penguar forcimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Thaçi e quajti marrëveshjen e vitit 2013 «triumf politik» dhe njëkohësisht u ankua se disa pika të marrëveshjes nuk janë zbatuar ende. Ai e pranoi se «bisedimet e Brukselit» nuk e kanë prekur problemin e vërtetë: refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, shtoi Thaçi, nëse vazhdohet me këtë ritëm bisedimesh marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës ndoshta do të jenë normale pas 100 vitesh. Me këtë vokabular Thaçi ka pranuar faktikisht bankrotimin e procesit të negociatave, të cilave u ka prirë viteve të fundit. Thaçi ka shkruar se tani ka ardhur koha për «lidership të guximshëm» për të zgjidhur çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst ai është lavdëruar se ka dyfishuar përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve më të vështira të së kaluarës dhe ka themeluar një komision të së vërtetës dhe pajtimit. Në të vërtetë, ky komision nuk merret aspak seriozisht nga opinioni kosovar dhe deri më tani pothuaj asnjë personalitet me autoritet publik nuk i është bashkuar kësaj trupe.

Sipas Thaçit marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të përfshinte njohjen e ndërsjellë, por «arritja e këtij caku për të dy vendet është jashtëzakonisht e vështirë dhe kërkon një udhëheqje të guximshme dhe të mençur». Me gjasë Thaçi ndër udhëheqësit e mençur e llogarit edhe veten, ndonëse në tekst e pranon se negociatat në Bruksel nuk kanë zgjidhur problemet reale mes Kosovës dhe Serbisë. Në editorialin për gazetën gjermane Thaçi thotë se «duhet të jemi kreativë dhe të gatshëm për kompromise të tjera». Se për çfarë kompromisesh bëhet fjalë, mbetet e paqartë. (dp)