Thaçi në SHBA: Kosova është gati të formojë FAK-un

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kanë takuar Todd Chapman, Zëvendësi i Parë i Nënsekretarit në Zyrën për Çështje Politike-Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës dhe SHBA-së në fushën e sigurisë dhe kompletimin e tërë strukturës së sigurisë të Kosovës.




Thaçi u shpreh se Kosova është gati të formojë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe se për këtë ka marrë pajtimin e NATO-s dhe tani po kërkon edhe pëlqimin e Kuvendit të Kosovës.

«Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja në programin e Partneritetit për Paqe dhe vendosja e dialogut politik me NATO-n, janë prioritet i Kosovës në fushën e sigurisë», ka thënë Thaçi gjatë këtij takimi.

Lufta kundër ISIL dhe kundër radikalizmit si dhe pjesëmarrja aktive e Kosovës në Koalicionin Global Kundër Terrorizmit ishin temë bisedimi, gjithashtu.

«Ju sigurojmë se do të mbesim të pakompromis në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit», u shpreh Thaçi.

Zëvendës-nënsekretari Chapman u shpreh se bashkëpunimi i mirë që SHBA-ja ka me Kosovën do të vazhdojë edhe më tutje dhe do të marrë forma edhe më konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen.

«Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe thellimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe partnerët e tjerë të Kosovës do ta konfirmojnë rolin që Kosova po luan tani si eksportuese e stabilitetit në rajon dhe më gjerë», konkludoi zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.