Thaçi: «Kush akuzohet nga Gjykata Speciale duhet të dorëzohet»

Agjencia austriake e lajmeve shkruan se aktakuzat e para Gjykata Speciale do t’i bëjë publike në shtator.

Në bisedë me agjencinë austriake Thaçi iu shmang pyetjes nëse do të vazhdonte të mbante postin në rast se ndaj tij ngritet aktakuzë.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se angazhohet që bashkëvendësit e tij, qofshin ata edhe politikanë, duhet t’i dorëzohen Gjykatës Speciale për krime të luftës në rast se kundër tyre ngritet aktakuzë. «Duhet të dorëzohen», deklaroi Thaçi në një bisedë me agjencinë austriake të lajmeve APA. Sipas kësaj agjencie vazhdimisht është kolportuar edhe mundësia që njëri nga të akuzuarit të jetë vetë Thaçi si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. «Gjykata Speciale, e cila në shtator do të ngre aktakuzat e para, do të merret, mes tjerash, me vrasjet e supozuara me qëllim të marrjes së organeve. Një raport i hetuesit special të Këshillit të Europës Dick Marty nga Zvicra, i publikuar më 2010, i ka përmendur së paku disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit në kontekst të tregtisë me organe. Thaçi, i cili prej luftëtarit është bërë kryetar, i ka hedhur poshtë këto akuza», shkruan APA.

Në bisedë me agjencinë austriake Thaçi iu shmang pyetjes nëse do të vazhdonte të mbante postin në rast se ndaj tij ngritet aktakuzë. Ai tha se si politikan nuk dëshiron të prejudikojë asgjë apo «të jap deklarata që ndikojnë procesin e drejtësisë». «Kjo Gjykatë», tha Thaçi, «është themeluar nga institucionet kosovare, me vullnet të deputetëve të parlamentit kosovar».

Kryetari i Kosovës është i mendimit se Gjykata assesi nuk  është në dëm të Kosovës, por përparësi «në mënyrë që të gjitha akuzat, të cilat sillen mbi ne si re të zeza, të sqarohen njëherë e përgjithmonë». Thaçi tha se UÇK ka zhvilluar një luftë të drejtë, por «se e kanë qenë të gjithë engjëj, këtë s’mund ta them. Është gjithsesi e mundshme se jenë bërë gabime. Natyrisht përgjegjësia është individuale. Por populli i Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë. (…) Nëse kemi shkelur ligje, atëherë ato s’janë ndërkombëtare, por ligje të Millosheviqit».

Thaçi ka paralajmëruar se Kosova «së shpejti» do të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Sipas tij ky është kriteri i fundit që duhet ta plotësojë Kosova për heqjen e vizave për vendet e Schengenit. Për këtë nuk duhet pëlqimi i opozitës, tha Thaçi, sepse koalicioni qeverisës ka dy të tretat e shumicës në parlament. (-lli)