Thaçi fton të tjerët të fshijnë bërllokun që bëri vetë

Tash, pas negociatave të dështuara me Serbinë dhe shumë dëmeve që i janë bërë Kosovës, i ashtuquajturi president paralajmëron themelimin e një ekipi gjithëpërfshirës për bisedime me Serbinë. Budalla kush bie në këtë grackë të re.

Ilustrimi: Shutterstock



«Nesër kam me taku Hillarinë. Kanë me plasë». Kështu i thoshte para disa vitesh Hashim Thaçi hyzmeqarit të tij politik Adem Grabovci. Falë përgjimeve gjatë aferës «Pronto» kjo fjali e ndyrë është bërë publike – dhe kjo fjali tregon krejt mentalitetin primitiv të Hashim Thaçit. Kush ishin ata të cilët Thaçi dëshironte t’i shihte duke plasur? Oponentët e tij politikë, opozita, shoqëria civile, mediat e pavarura, me një fjalë të gjithë ata pa të cilët nuk mund të ndërtohet shteti demokratik e funksional, por as nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë.

Po përse të plasnin këta njerëz? Sepse Hashim Thaçi «krejt karrierën e tij politike e ka ndërtuar me kurthe e intriga». Ky është mendimi i njërit prej atyre kuadrove të vjetër të PDK-së, i cili Thaçin e njeh që nga koha kur ky sorollatej nëpër Zürich e Tiranë. Nënçmimi i rivalëve politikë, mashtrimi i tyre, poshtërimi i tyre, lojërat e pështira e cinike me diplomatë dashakeqës ndaj Kosovës, bisedimet me Serbinë pa plan e pa ide – ky është bilanci i karrierës politike të Thaçit. Pas luftës, për të penguar pavarësimin e Kosovës, sepse vetë nuk gëzonte kurrfarë besimi të popullit, ai madje kërkoi «moratorium» për shpalljen e pavarësisë. Kjo kërkesë nuk ishte e largët me atë të Vojisllav Koshtunicës dhe Boris Tadiqit – ata kërkonin që pavarësia të mos shpallej kurrë.

Kosova ka hyrë në vitin e gjashtë të bisedimeve me Serbinë në Bruksel të prira nga Hashim Thaçi dhe hyzmeqarja e tij Edita Tahiri. Këta kanë marrë mandat nga një parlament i tredhur, nga deputetë të papërgjegjshëm të PDK-së, të LDK-së dhe të AAK-së. Këta deputetë kanë lejuar të tërhiqen për hunde me argumentin qesharak se njëherë po flasim me Serbinë për punë teknike, pastaj Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Këtë qasje të gabuar të palës kosovare Serbia e ka shfrytëzuar me mjeshtëri: ka siguruar rol vendimtar brenda Kosovës, andaj tani edhe po e pranoi Kosovën vlera e kësaj njohjeje është e ulët. Me një lloj republike serbe brenda Kosovës, me asociacionin e komunave serbe që do të ketë flamur e stemë, njohja eventuale nga Beogradi ka pak cilësi. Në një pamflet të zbehtë të botuar para ca ditësh në një gazetë gjermane Thaçi e pranoi se bisedimet e zhvilluara në gjashtë vitet e fundit me Serbinë nuk e zgjidhin problemin e vërtetë, sepse Kosova ka mbetur «konflikt i ngrirë». Ka diplomatë perëndimorë në Prishtinë, të cilët në takime konfidenciale e pranojnë se bisedimet me Serbinë nuk kanë zgjidhur gati asnjë problem.

Tash, pas negociatave të dështuara me Serbinë dhe shumë dëmeve që i janë bërë Kosovës, i ashtuquajturi president paralajmëron themelimin e një ekipi gjithëpërfshirës për bisedime me Serbinë. Budalla kush bie në këtë grackë të re. Thaçi tani po bën apel që të tjerët të fshijnë bërllokun që bëri vetë. Pikësëpari dialogut me Serbinë nuk mund t’i prijë një politikan që nuk gëzon kurrfarë autoriteti në popull. Nuk mund të arrijë kurrfarë pajtimi me Serbinë një politikan, i cili mandatin e presidentit e shfrytëzon për t’u «pajtuar» me ata shqiptarë që deri dje e kanë akuzuar se i ka keqtrajtuar gjatë luftës, ndërsa sot pasi marrin disa dekorata prej tij ulin kokën dhe mbyllin gojën.

Negociatave me Serbinë duhet t’u prijë një qeveri e drejtuar nga shumica shqiptare, sepse mbi 90 për qind e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë dhe çdo marrëveshje duhet të respektojë vullnetin e tyre politike. Koalicioni PAN po tenton të krijojë kabinet me mandate të blera apo të garantuara për pakicat, pastaj të fillojë aventurat e reja politike me Serbinë.

Ky kabinet, nëse krijohet, mund të kurdisë ndonjë tender, më shumë nuk mund të bëjë. Siç nuk mund të bëjë as Thaçi me përrallat e tij për pajtim me Serbinë. Ata për të cilët Thaçi dikur thoshte se «kanë me plasë» duhet t’i përgjigjen me gjuhën e njëjtë. Sepse asgjë më shumë nuk ka merituar. Nuk ka krijuar mirëbesim në shoqëri, por vetëm konflikte, polarizim dhe hendeqe të pakalueshme. Mendon se është president i popullit, por në të vërtetë është president i përçarjeve.