Tetova – një qytet në trishtim



Tre çerek ore që do të mbahen gjatë në mend. Një aleancë shiu dhe ere ua solli tetovarëve edhe një herë vitin 1979, kur një stuhi u rrëmbeu atyre shumë gjëra të shtrenjta nga jeta.

Një miku të familjes tonë atëbotë stuhia ia barti shtëpinë, që e kishte buzë lumit të Tetovës. Shteti atë e sistemoi në një banesë me qira skaj qytetit. Ai u shkul nga rrethi i miqve e kushërinjve dhe befas u gjend ndërmjet fqinjëve të rinj nga bashkësia e vogël maqedonase e Tetovës. Për të s’kishte më as një kafe për llafe, as një filxhan kripë hua, as Bajram… 28 Nëntor – jo se jo! Atij i ra hise të banonte në katin e shtatë dhe më të epërmin e një blloku të arkitekturës socialiste me kate të larta. I zoti i shtëpisë gjithë kohën jetoi me ankthin se mos nipat dhe mbesat i binin nga ballkoni. Por, «ajo që më dhimbset më së shumti, or mik» – i drejtohej Baca Sherif me vajtim babait, kur rrëfente për dhimbjet e fatkeqësisë – «është sharkia që e kisha»!

Anketimet thonë se ndër gjërat e para që do të merrnin njerëzit me vete sikur t’u jepej një afat para këso fatkeqësish, është albumi i fotografive. Kujtimi për jetën e deriatëhershme është ngushëllimi më i mirë. Por, jeta është kalkulatore e regjur. Ajo nganjëherë i kursen kujtimet, por i merr shpirtrat. Katër familje të Malësisë së Tetovës kanë ngelur vetëm me kujtimet e mbesës, a të nipit të tyre. Një gjysh ishte dashur ta identifikonte trupin e shfytyruar të një fëmije që vërshimi e kishte shqyer nga shtrëngimi i dajës së vet dhe e kishte bartur nga fshati më i epërm i malësisë në qytet. Ndërsa trupin e dajës e sheh ndoshta vetëm nipi nga një botë tjetër. Përbri rrëmujës që ka shkaktuar stuhia në fshatin Shipkovicë, mediet e tregojnë djepin e thatë të foshnjës dyvjeçare që e rrëmbyen përmbytjet. Një qytet në trishtim.

Sikur Zoti u trondit vetë nga këto pamje dhe e mundi zemërimin e tij. Ai, si duket, e kishte vendosur ta zhbëjë qytetetin, por pas 45 minutash u pendua dhe e fali atë. Përmbytja ndoshta ishte vetëm një paralajmërim për ata që e prishën qytetin duke e ndërtuar atë. Në Tetovë po ndërtohet në ethe viteve të fundit. Beton në tokë të bukës! Në njërin ndër vendet më pjellore të rajonit. As kriter, as kontroll. Keq e më keq. Zi e më zi. «Tetovën duhet rrënuar komplet dhe ndërtuar nga e para», thoshte në një ndejë një pensionist Gjermanie që s’i kishte rënë prej dekadash të qëndronte kaq gjatë në Tetovë dhe gjërat i shihte me optikë gjermani. «Mirë more dajë, por nëse njerëzit ngelin të njëjtët, ata nuk do ta ndërtojnë ndryshe Tetovën», e zhgënjen nipi. Së paku këta që i kanë gjërat në dorë – jo.

Ishte mu Shipkovica, ku lideri i shqiptarëve të Maqedonisë u paraqit ngadhënjyes në përfundim të luftës së 2001-shit. Nga ky fshat i malësisë, ai e shihte në horizont vizionin për shqiptarët si qytetarë të barabartë me të tjerët në Maqedoni. Vendbanimet e tyre nuk do të shiheshin me sy të njerkës dhe për mirëqenien e tyre do të ndaheshin njëlloj mjete. Shqiptarëve do t’u jepej hisja e tyre dinjitoze. Ata nuk do të ishin më pre e kompromiseve në kurriz të tyre dhe pasurimit individual. Njerëzit do të shkolloheshin në gjuhën e vet… Lideri tani i viziton viktimat e përmbytjeve, natën. Fundja, kjo është punë e natyrës. Së paku, këto nuk i ka në dorë njeriu. Partia bile ka premtuar mobilizimin e mjeteve për riparimin e dëmeve.

Shipkovica shtrihet në të djathtë të rrugës për në Kodër të Diellit. Bashkë me fshatra të tjera të Malësisë, ajo është pjesë e orbitës së Kodrës së Diellit. Njërit ndër viset më të bukura dhe të shëndetshme të Sharrit. Banorët më të moshuar të këtyre anëve pothuajse aty janë rritur, kanë kullotur bagëtinë, kanë mbledhur boronica… Me skitë e tyre prej marangozi, ata u konkurronin turistëve nga e gjithë Jugosllavia. Tani që është prishur Jugosllavia dhe zona frekuentohet vetëm nga shqiptarët, në hyrje të përshëndet një flamur i madh i Maqedonisë, në një shtizë të stërgjatë. Në mes të terrenit të skijimit po përfundon një manastir ortodoks. Ideja është e qartë – tëhuajsimi i shqiptarëve nga vendi i tyre, në radhë të parë banorët e fshatrave përreth. Deri frik, zona administrohej nga Komuna e Shipkovicës; së fundmi kjo u asimilua në Komunën e Tetovës, kurse Kodrës së Diellit iu dha një status i posaçëm në kuadër të Republikës. Drejtor i saj sërish u zgjodh një joshqiptar.

Që të mos vijë sikur po arratisem nga tema, t’i biem shkurt. Tetovarët duhet t’i bindë dikush që tymi i liruar nga numri i paparë i automjeteve nuk ka asnjë ndikim në klimë dhe se ato futen në qarkullim sipas standardeve të njohura, e jo për ta mbushur arkën e shtetit. Tjetra: qytetarëve duhet t’ua mbushë mendjen dikush që Jugohromi, i cili i ka prodhuar gjithë ato të liga të tjera për komunitetin, nuk ka gjithashtu efekt në klimë. Qytetarët duhet t’i sqarojë dikush që betonizimi i qytetit dhe katrahura urbanistike nuk përbën një rrezik më shumë në raste fatkeqësish të tilla natyrore. Nëse politikanët nuk janë në gjendje ta dëshmojnë këtë, duhet t’i marrin përgjegjësitë për situatën. Duke filluar nga dorëheqja.