Tetova e meriton një fjalë më të mirë

Sa i përket vetëdijes kombëtare, identiteti kombëtar dhe ai fetar, jo vetëm për tetovarët, vazhdojnë të mos e përjashtojnë njëri-tjetrin, në kuptimin që mund të jesh shqiptar i mirë duke qenë edhe mysliman i mirë, ndonëse sakrificën më të madhe e kanë investuar tek identiteti kombëtar. Këtë e tregon historia. Dhe, këtë do të duhej ta njihte akademik Mehmet Kraja.

«Ju, myslimanët e Facebook-ut, a keni menduar ndonjëherë si ndihemi ne që e përbëjmë shumicën në këtë vend gjatë këtij muaji (të Ramazanit – v. j.)? A e doni përgjigjen time të sinqertë? Si në Tetovë».

Kjo është përgjigjja kapitale, me të cilën akademik Mehmet Kraja do t’i demoralizonte ithtarët e islamit politik në Kosovë. Në shikim të parë, në këtë pohim nuk dallohet domosdoshmërisht ndonjë kundërthënie, as nuk shtrohet ndonjë temë, as nuk shihet ndonjë substancë për ta shtruar një debat të mirëfilltë publik. Aq më tepër që deri më tani kemi menduar që Tetova po ecën gjurmëve të Prishtinës, kryesisht për shkak të dy universiteteve publike dhe selisë së partive kryesore politike të shqiptarëve në Maqedoni. Tetova është e tillë siç është për faktin se e ka afër Kosovën, konstatonin edhe shqiptarët, edhe maqedonasit.

Kur konsideron kontekstin në të cilin është vendosur pohimi i Mehmet Krajës për Tetovën, sheh që shembulli të cilin e sjell ai rrezikon t’i demoralizojë më shumë tetovarët si të tillë dhe ata që në thelb identifikohen me vlerat e këtij qyteti dhe me njerëzit e tij. Çfarë domethënë Tetova në ligjëratën e Mehmet Krajës? Ajo është fjala e parë që atij i vjen ndërmend për prapambetjen, për mungesën e një identiteti të zhvilluar kulturor dhe për një komunitet të zhveshur nga preokupimet kombëtare – shembulli i pikërishëm për fenomenin e përhapjes së ideologjisë fetare islame në shoqërinë shqiptare. Me fjalët e tij: ajo është provinca me identitet nallesh e dimish. Kjo merret si e mirëqenë, një aksiomë, vetevidente, që nuk ka nevojë të provohet. Tetova në ligjërimin e Mehmet Krajës del si një qytet ku sundon sheriati, ku është përjetësisht ramazan, ora e të cilit nga ngelur me shekuj prapa.

Sado i ashpër, opinioni i akademik Mehmet Krajës nuk është i panjohur për banorët e kësaj treve shqiptare. Ai më parë është shpalosur në stereotipat e përhapur për tetovarët në skeçet humoristike të Mixhës Ramë dhe Lecit – të të ndjerëve Fitim Domi dhe Ibrahim Krajkova – për gratë e Gjakovës dhe burrat e Tetovës që ishin dorëzuar para dhunës së regjimit gjatë viteve ‘80/’90 dhe nuset që i merrnin me speca nga Tetova, apo skenat aktuale të aktorit Xhevdet Jashari, i cili e luan personazhin Arifhikmet Abilmenafin në serialin «O sa mirë…».

Mehmet Kraja me pohimin e tij këtë opinion trivial përpiqet ta zhvendosë në një rrafsh serioz dhe në nivel akademik. Me këtë ai dështon edhe për faktin se në fillim të artikullit të tij fton për një debat pa sharje, premton një diskutim të civilizuar dhe në fund të tij katandiset në një pohim që kolegët e mi, të cilët nuk e di nëse kanë reaguar ndaj këtij artikulli deri më tani, do ta diskualifikonin si racist.

Me shumë padëshirë po përfshihem në këtë debat, sidomos për shkak të pozitës subjektive që zë në këtë mes. Pa qenë ndonjë autoritet në këtë fushë, për këtë më nxiti indinjata e një kolegu, i cili shprehej i mllefosur për lehtësinë me të cilën shprehen intelektualët shqiptarë publikisht. Fundja, ndihem i thirrur t’i them në mënyrë krejt panoramike ca të vërteta për Tetovën që mund t’i kem më prezente se ndonjë tjetër që kontribuon me mendimet e tij në media. Dhe, nuk po e mohoj fenomenin që Mehmet Kraja e konstaton në shoqërinë shqiptare, as e përjashtoj ekzistencën e atij fenomeni në Tetovë. Por, më duhet të pohoj se identifikimit të këtij qyteti si paradigmë e një shoqërie të prapambetur kulturalisht dhe kombëtarisht i teprojnë paragjykimet, i mungon respekti ndaj një komuniteti dhe dinjiteti intelektual.

Nuk kam ndonjë argument për ta demantuar një kolegun tim, i cili ua zë për të madhe intelektualëve shqiptarë që nuk marrin mundin ta vizitojnë hapësirën e tyre kombëtare dhe kulturore dhe ta njohin atë më mirë. Megjithatë, kjo nuk është e domosdoshme për të mos rrëshqitur në stigmatizime të tilla, sikur i ndodh akademik Mehmet Krajës me Tetovën. Filozofi gjerman Immanuel Kant e bënte një jetë me disiplinë të hekurt dhe nuk kishte dalë kurrë në jetën e vet jashtë Königsbergut, por ky regjim nuk e ndalonte atë ta njihte botën edhe në një kohë kur nuk kishte mundësi informimi si sot. Pavarësisht tërheqjes së të tij filozofike, sa nuk dilte as në teatër, ky itinerar nuk e pengonte ta njihte thellësinë e qenies njerëzore – ai e ka sanksionuar parimin që dinjiteti është e përbashkëta e të gjithë njerëzve dhe ky është pragu që nuk duhet të shkelet.

Sa i përket vetëdijes kombëtare, identiteti kombëtar dhe ai fetar, jo vetëm për tetovarët, vazhdojnë të mos e përjashtojnë njëri-tjetrin, në kuptimin që mund të jesh shqiptar i mirë duke qenë edhe mysliman i mirë, ndonëse sakrificën më të madhe e kanë investuar tek identiteti kombëtar. Identifikimi religjioz nuk i ka frenuar tradicionalisht përpjekjet e tetovarëve për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe avancimin e pozitës së tyre politike. Kryengritja e Dervish Carës në shekullin XIX kundër pushtimit osman dhe kundër pushtetit osman, që e kishte sjellë fenë të cilën tashmë e kishin përqafuar shqiptarët, është një ndër ngjarjet historike, sado të panjohura gjerësisht, që e provojnë sakrificën e madhe për identitet kombëtar. Tetovarët e kanë hisen e tyre edhe në kurorëzimin e përpjekjeve të shqiptarëve për formimin e shtetit të parë shqiptar në Ballkan në shekullin XX. Një përfaqësues i tyre, Mehmet Pashë Derralla, që thirrej edhe Mehmet Pashë Tetova, ishte ministri i parë i luftës i shtetit të sapoformuar shqiptar, më 1912.

Nuk do t’i referohem ligjërimit për Tetovën nga Shkurte Fejza e Ilir Shaqiri dhe nga këngëtarë të tjerë. Por, kush u referohet fakteve nuk mund t’i shmanget të vërtetës që Tetova ishte isoja e Kosovës në skenën e përpjekjeve të saj për të drejta kombëtare dhe status dinjitoz politik më 1968, 1981, 1989, 1999…

Tetovarët ishin banorët më të rregullt në burgjet politike të Jugosllavisë; Rafi Halili ishte ndër kampionët e rezistencës kundër shtypjes së popullatës shqiptare në Jugosllavi në këto kazamate. Në historinë tonë më të re, së paku dy figura politike nga Tetova, me gjithë dritëhijet e tyre, njihen në mbarë opinionin shqiptar për kontributin e tyre në dobi të avancimit të pozitës politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe artikulimin e kultivuar politik: Arbën Xhaferi dhe Bardhyl Mahmuti. Fundja, qytetarët e Tetovës e kanë zgjedhur për kryetare të tyre një grua, Teuta Arifin, gjë që e përjashton në mënyrën më elegante një mendësi që mund të merret si model i prapambetjes.

Në planin kulturor, përpara ekspansionit të shkrimtarëve në skenën kulturore shqiptare, në Maqedoni shquheshin dy poetë dhe prozatorë, Murat Isaku dhe Abdylaziz Islami, që të dy nga Tetova, që krijuan pa bujë deri në fund në këtë qytet. Në vitet e ‘90-ta, një grusht letrarësh dhe piktorësh të rinj tetovarë, për aq vite sa u mundësuan financat, e botuan revistën letrare të shpallur si më e mira në përgjithësi në Maqedoni, por edhe në hapësirën shqiptare, «Brezi 9». Nga ata që vlerësojnë më me kompetencë se unë për muzikën, grupi tetovar «Elita 5» çmohet si grupi më i mirë i rokut në të gjitha viset shqiptare.

Studimet e huaja për Maqedoninë e kanë afirmuar tezën se shqiptarët i kanë përjetuar më pak tragjikisht se sllavët pasojat e tranzicionit, sidomos privatizimin që lidhej me humbjen masive të vendeve të punës. Ata, duke qenë tradicionalisht të përjashtuar nga sistemi, u detyruan dhe mësuan të gjendeshin vetë në jetë. Gjeneratave të Jugosllavisë u kujtohen ëmbëltoret e tetovarëve në bregdetin e Jugosllavisë, si dhe zelli i tyre për punë. Të njëjtin admirim e gjen edhe sot për ëmbëltoret a restorantet e tetovarëve në bregdetin shqiptar, në Strugë, Tiranë a Prishtinë. Gjithsesi të gjithë i njohin ndërmarrjet tetovare Ecolog dhe Renova, të cilat kanë shtrirje në të gjitha viset shqiptare dhe shumë më larg, e të cilat më shumë për motive altruiste i mbajnë dy klubet kampione të futbollit në Maqedoni. Përveçse u bëjnë derman gjithë atyre të braktisurve nga sistemi, ato investojnë në të gjitha projektet e mëdha shqiptare.

Është e vërtetë që Tetova ka pasur shumë xhami. Tani ajo ka akoma më shumë xhami, sepse ka edhe më shumë banorë. Ndoshta ka më shumë xhami se sa u duhen banorëve të saj. Por, ato dhe dasmat ekscesive janë e vetmja liri që e kanë banorët e asaj ane. (Po e kujtoj faktin që kërkesave për universitet shqip sistemi u përgjigjej me ofertë për fakultet teologjik). E vërtetë është gjithashtu që presidenti turk Rexhep Taip Erdoan është pritur në Tetovë si një shpëtimtar. Sepse tetovarët nuk janë imunë ndaj populizmit, por edhe sepse atyre njerëzve askush nuk ua flet një fjalë të sinqertë. Ata me dekada joshen me formulime që as merren vesh, as nxjerrin gjë në dritë. Në Tetovë duket se është rritur edhe numri i atyre që i qasen besimit te Zoti, të shtyrë nga mosbesimi në politikë dhe të cilët shpëtimin për rënien e përgjithshme e gjejnë te feja. Ka patjetër edhe të tillë që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo situatë. Me shumë padëshirë shërbehem me krahasime që të mos bie në të njëjtin kurth si akademik Mehmet Kraja. E them pa ndonjë krenari: Asnjëri prej kampionëve të krimeve në emër të fesë, që kanë adresë shqiptare, nuk vjen nga Tetova. Dhe, uroj që koha të mos më përgënjeshtrojë, sepse situata me fundamentalizmin në Tetovë nuk duket të jetë më e ndryshme se ajo në viset tjera shqiptare. Në rrethanat kur këtë sfidë nuk e zgjidhin Shqipëria dhe Kosova, është e tepërt t’u biesh në qafë shqiptarëve në Tetovë, ku skena është aq e mjegullt dhe shqiptarët, siç e dëshmojë zhvillimet e atjeshme, kanë pak gjë në dorë.

Tetova, më tej, është e bekuar me një komunitet të fuqishëm bektashi, i cili është vendosur në një ndër teqetë më të njohura të këtij komuniteti. Ajo shtrihet në një kompleks historik të braktisur nga sistemi, në të cilin gjatë Luftës së Parë Botërore kishte qëndruar për të raportuar si gazetar Leo Trocki. Në Tetovë, përveç monumenteve të mrekullueshme islame, ka edhe ca kisha që komuniteti i saj mysliman i konsideron si shqiptare dhe i sheh me merak përpjekjet e sistemit për t’i përvetësuar ato, apo i lë në rrugën e rrënimit nga koha, pa mirëmbajtje. Tetova gjithsesi e meriton një vizitë dhe tetovarët e meritojnë një fjalë më të mirë.