Tetori, muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit

Në kryeqytet ka filluar fushata vetëdijesuese kundër kancerit të gjirit. Fushata e cila do të zgjasë gjatë tërë muajit tetor, ka për qëllim që t’i informojë qytetarët dhe në veçanti gratë për këtë sëmundje dhe mundësitë për parandalimin e saj.




Në kohën kur njerëzimi po ballafaqohet me sëmundje të ndryshme, zbulimi i tyre i hershëm konsiderohet se shpëton jetë, raporton KTV. I tillë është edhe kanceri i gjirit, i cili prek në veçanti gratë.

Por jo të gjitha gratë kujdesen që të bëjnë ekzaminime në moshë të hershme.

E një iniciativë për ta ngritur vetëdijesimin për kancerin e gjirit ka marrë Komuna e Prishtinës përmes një fushate, gjatë së cilës gratë do të kenë mundësi që të informohen më shumë rreth kësaj sëmundjeje.

Drejtori i shëndetësisë në Prishtinë, deklaroi se duan që vetëdijesimi rreth kancerit të gjirit të depërtojë te të gjitha gratë.

Fushata, e cila filloi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, do të zgjasë gjatë tërë muajit tetor.