Tetori i universitetit

Vetëm katër universitete të Ballkanit perëndimor mezi arrijnë të ngjiten në fund të ranglistave botërore të institucioneve të larta arsimore. Pas Universitetit të Ljubljanës dhe atij të Mariborit, radhiten ai i Beogradit dhe i Zagrebit. Këto lista janë deri-diku arbitrare, por tregojnë një të vërtetë të madhe për situatën politike dhe shoqërore ku janë katandisur vendet në rajon, sidomos për Kosovën.

Përherë në fillim të shtatorit janë tri lista kryesore që në universitetet e Europës perëndimore priten me më shumë interes: Lista QS e Klasifikimit Botëror të Universiteteve (QS World University Ranking), Lista e Shangait për Klasfikimin e Universiteteve (ShanghaiRanking’s Academic Ranking of World Universities) dhe Lista e Klasifikimit për Arsimin e Lartë (Times Higher Education). Të trija këto lista bazohen në metodologji të ndryshme në të dhënat e tyre dhe klasifikojnë universitetet në një listë prej 800 sosh. Në kuptimin e cilësisë dhe standardit këto lista konsiderohen si një «raport progresi» për universitetet. Në kuptimin e fondeve, reputacionit ndërkombëtar dhe pritshmërive për vitet në vijim, këto lista janë një lloj tregu i bursave ndërkombëtare për sistemin e lartë arsimor.

Pavarësisht se në cilën listë shikoni, gjeni vetëm tre ose katër universitete nga Ballkani perëndimor të cilat rradhiten në 200-300 vendet e fundit. I pari në këto ranglista gjendet Univerziteti i Lubjanës, i cili rangohet diku në vendin e ‚400, e diku tjetër në atë të ‚800. I dyti është Universiteti i Mariborit, i cili në listat e QS dhe Times gjendet në mes të vendeve 500 dhe 700, ndërsa nuk figuron fare në listën e Shangait. I treti është Universiteti i Beogradit, i cili në listat QS dhe Times gjendet në mes të vendeve 600 dhe 800, ndërsa në atë të Shangait radhitet në mes të 200 dhe 300. Universiteti i Zagrebit rangohet i fundit dhe atë vetëm në fund të dy listave: atë të QS dhe të Times, ndërsa nuk bën pjesë fare në 800-shen e Shangait.

Ndonëse vende anëtare të Bashkimit Europian që nga viti 2004 dhe 2013 respektivisht, as Sllovenia, as Kroacia nuk qëndrojnë mirë në këto ranglista. Sa për krahasim, Rumania ka 4 universitete të radhitura ndërmjet pozitave 700 dhe 800, nga gjithsej 80 institucione të akredituara të arsimit të lartë. Ndërkaq, nga 178 universitete dhe institucione private të arsimit të lartë në Turqi, 20 prej tyre radhiten nga pozitat 200 deri në 800.

Çfarë tregon kjo për sistemin universitar në rajon dhe mbi të gjitha për arsimin e lartë në përgjithësi? Universitetet në vendet e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri vazhdojnë të funksionojnë si qendra të mësimdhënies, me hulumtim dhe publikim gati të pavërejtshëm në rang botëror. Për më tepër vazhdojnë të mbesin të mbingarkuara me aktivitete administrative: paraqitje provimi, mbushje indeksi, marrje indeksi. Edhe nëse cilësia e mësimdhënies do të ishte në nivel superior, kjo nuk do ta kompensonte mungesën e hulumtimit dhe publikimit shkencor, burimeve për punë shkencore e laboratorike dhe bashkëpunimet ndëruniversitare. Fatkeqësisht ose fatmirësisht, që prej viteve ’90, mantra e sistemit universitar është «publiko ose vdis». Në Universitetin e Prishtinës, domosdoshmëria e publikimit ka filluar të përmendet vetëm në pesë vitet e fundit, për t’u riaktualizuar turpshëm me skandalin e publikimit në revista fantome nga vetë rektori i universitetit.
Për shkak të metodologjisë, këto ranglista mund të konsiderohen deri diku arbitrare. Pra, mund të ndodhë që një universitet i ranguar në 100 vendet e para, të jetë i shkëlqyer në shkencat e inxhinierisë, por ajo nuk e bën atë njëlloj të shkëlqyeshëm në fakultetet e Sociologjisë apo të Juridikut. Por, a jane këto lista tregues të vërtetë të gjendjes në universitetet tona? Në masë të madhe po!

Lista e Shangait në rradhë të parë bazohet në cilësinë e edukimit e cila matet me të diplomuarit dhe stafin e universitetit të cilët fitojnë çmime Nobel dhe medalje të tjera në fushën përkatëse. Së dyti, lista merr për bazë numrin e citimeve të publikimeve shkencore dhe numrin e publikimeve në shkencat natyrore. Së treti, shikon numrin e publikimeve në revistat e indeksuara me «tregues të ndikueshmërisë». Dhe krejt në fund, mat edhe kontributin për kokë banori të një universiteti. Sa për sqarim, «treguesi i ndikueshmërisë» mat frekeuencën me të cilën një artikull citohet për një periudhë të caktuar. Sa më i lartë treguesi i ndikueshmërisë së një reviste shkencore, aq më e mirë kushtimisht konsiderohet ajo revistë. Në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike, për shembull, Revista Britanike për Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, ka një tregues ndikueshmërie prej 1.6, ndërkaq Recenza e Marrëdhënieve të Jashtme Europiane është jashtë listes – pra pa tregues të ndikueshmërisë – edhe pse artikujt e botuar në të janë shumë popullor dhe të lexuar. Në të dyja këto revista, publikimi i një artikulli merr të paktën dhjetë muaj. Ndonëse pa tregues të ndikueshmërisë, ky lloj i revistave shkencore nuk ka të bëjnë me revista fantome si ajo në të cilën kishte publikuar ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi. Dy revistat e para kanë nivel të ndryshëm të cilësisë dhe standardeve të publikimit shkencor – por që të dyja janë pjesë të planprogrameve mësimore në universitetet e Europës perëndimore. Revistat fantome shkencore janë thjeshtë si çdo firmë tjetër fantome të cilat merren me shpërlarje parash.

Lista e Times Higher Education merr për bazë ndërkombëtarizimin e universiteteve, ku në mes tjerash përfshihen jo vetëm prezenca e stafit të huaj nëpër universitete, por edhe përvojat dhe projektet ndërkombëtare në të cilat këto universitete janë të përfshira. Po ashtu shikohet numri i publikimeve në revista shkencore ndërkombëtare me «tregues të ndikueshmërisë», si dhe numri i citimeve të këtyre publikimeve në botë. Parametri tjetër që merret parasysh në këtë listë është prezenca e fondeve: qasja nëpër librari dixhitale, infrastruktura financiare për kërkime, eksperimente etj.

Kritika më e madhe për këtë listë është promovimi i të ashtuquajturit universitet neoliberal, në të cilin matja bëhet me parametra të korporatave për marketizimin, prodhimin dhe shitjen e dijes si produkt konsumi. Ata që nuk kanë burime për të konkurruar në këtë sistem, si për shembull Universiteti i Zagrebit, as nuk arrijnë të futen në listën e 800 universiteteve.
Lajmi i mirë që vjen nga kjo listë është se privatizimi i universiteteve nuk është vetvetiu një gjë e keqe. Por ai sigurisht duhet t’i shërbej arsimimit si industri, investimit në hulumtime dhe eksperimente, investimit në ndërkombëtarizim, rritjen e programeve të mobilitetit për stafin dhe studentët. Ajo që ndodhë rëndom me univerditete të privatizuara në hapësira me zhvillim të ulët ekonomik dhe politik si ajo në Kosovë, është përdorimi i universitetit privat për gjenerim kryekëput të parave të cilat në rastin më të mirë investohen vetëm në infrastrukturë fizike.

Zhvillimi politik e ekonomik në shoqëri nuk mund të kërkohet me kaq naivitet te ndrrimi i elitave dhe klasës politike. Jo se shkollimi formal si i tillë është më i miri dhe më legjitimi. Por, është tërësisht absurde që niveli i shkollimit dhe sistemit të lartë arsimor ende të mos jetë pjesë e planeve afatgjate të zhvillimit. Votuesit e rinj, idetë e reja, kritika si e tillë lind dhe zhvillohet para se gjithaq në universitet. Jo (vetëm) në kafe dhe jo (vetëm) në studio televizive. Prandaj, Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë, do të duhej të kishte një strategji të zhvillimit që në 10 apo 15 vitet e ardhshme të jetë të paktën në mesin e 1000 univerziteteve më të mira në botë.