Terrori i shteteve të dështuara të Evropës Juglindore

Ngritja e ekstremizmit islamik në Ballkan është vetëm një simptomë e krizës së kahershme të qeverisjes demokratike – një fakt që shumë prej krerëve lokalë të rajonit do të preferonin ta injoronin para botës mbarë.

Çezmë në Sarajevë. Foto: Adnan Vejzovic / Shutterstock.com

Analistët e angazhuar amerikanë (dhe evropianë) e kanë shprehi ta (ri)zbulojnë Ballkanin vetëm kohë pas kohe. Artikujt për «luftërat e reja në Ballkan» janë të përjetshëm, dhe kalojnë si pa u dëgjuar në një botë që është përshkuar nga tragjedia e që do të donte një dimension katastrofe si ai i Evropës Juglindore.

Megjithatë analiza pasuese është tipike për nga oportunizmi, hiperbolizimi dhe mungesa e uniformitetit. Për më tepër, këto pretendime janë të zakonshme në narracionet cinike të agjentëve aktualë të kaosit në rajon. Për më keq, ata e komplikojnë punën e vrojtuesve seriozë në përpjekjen e tyre për adresimin e problemeve strukturore të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, probleme që ofrojnë kryartikuj alarmues.

Kini parasysh shkrimin e kohëvetë fundit të «New York Times» për numrin e të rinjve të Kosovës (dhe të Bosnjë-Hercegovinës), në shpërputhje me numrin e popullsisë, që kanë udhëtuar drejt Lindjes së Mesme për t’u radhitur në radhët e «Shtetit Islamik». Vetë raportimi është i pasaktë, dhe madje edhe kritika e anëtarëve të bordit për Arabinë Saudite për rolin e saj të dyfishtë në organizatat bamirëse është pranuar mirë. Problemi qëndron në atë se «Times» dhe politikëbërësit perëndimorë nuk mund të ofrohen për adresimin e problemeve.

Rreziku prej radikalizimit islamik në Ballkan nuk është diçka i ri sikurse na u paraqit aty. Portali i lajmeve në gjuhën anglze, «Balkan Insight» ka mbuluar kërcënimin prej «Shtetit Islamik» për Evropën Juglindore së paku që nga viti 2013. Dhe dijetarët kanë kaluar dekada duke u marrë me maturi me evolucionin e islamit në Ballkan, duke i shkoqur faktet prej fiksionit.

Rrymat e fundit ekstremiste që kanë nisur të shfaqen, dhe lëvizja e radikalëve prej Ballkanit drejt Lindjes së Mesme e anasjelltas nuk ka dyshim se është kërcënim rajonal, dhe për Evropën si tërësi. Prapëseprapë, çfarëdo hetimi i gjendjes në bashkësinë myslimane të Evropës Juglindore shumë shpejt do të nxjerrë përfundimin se rajoni nuk ka problem me islamikët – rajoni hall kryesor ka qeverisjen.

Siç kam shkruar së fundi edhe për Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, virtualisht i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor është në fakt në gjendje të krizës politike, dhe kjo gjendje nuk dallon fort në fqinjësi prej Hungarisë e deri në Turqi. Por në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni, tre shtetet me popullsinë më të madhe myslimane në rajon, është kancerogjene kriza e qeverisjes. Dhe ky është fenomen i kahershëm. Në fakt këto shtete po përjetojnë rënie të institucioneve dhe normave demokratike, rritje të korrupsionit endemik dhe me thellim të tendencave autoritare në mesin e elitave politike lokale në pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit.

Gjendja ekonomike dhe politike në Kosovë është përkeqësuar në mënyrë aq dramatike sa qytetarëve të saj nuk u ka mbetur asgjë tjetër, pos të largohen. Në kulmin e valës së refugjatëve që po vinin nga Siria dhe Afganistani në Evropë, dhjetëra-mijëra kosovarë u larguan gjithashtu nga Kosova. Dhe e njëjta mund të thuhet pak a shumë për tërë rajonin.

Dekadat e tëra të konfliktit nacionalist në kohën e politikave joefikase evropiane dhe amerikane kanë shuar shpresat për qytetarët e rëndomtë. Shkalla e papunësisë në mesin e rinisë është tmerrësisht e lartë në tërë Ballkanin. Megjithatë, qysh e kanë dëshmuar edhe zhvillimet e fundit në Maqedoni, elitat politike hezituese janë ende më të përkushtuara për ta ruajtur pushtetin e tyre – qoftë edhe me koston e dhunës – se sa të adresojnë nevojat e qytetarëve.

Ne e dimë fort mirë se shoqëritë e pashpresa e të dëshpëruara përnjëherë shndërrohen në toka të pëlleshme për ekstremistët e të gjitha llojeve. Në Serbi, ta zëmë, është lëvizja e së djathtës ekstreme ajo që ka joshur rininë e pashpresë. Pothuajse gjysmë milion zgjedhës votuan për aleancën e partive të vjetra e të reja të së djathtës ekstreme në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend. «Vullnetarët» neofashistë dhe të së djathtës ekstreme nga Serbia i janë bashkuar edhe kauzës separatiste në lindje të Ukrainës – në emër të vëllazërisë kristianoortodokse, e jo të islamizmit.

Krerët në Beograd, Prishtinë, Shkup dhe Sarajevë nuk është se nuk e ndjejnë pakënaqësinë e qytetarëve. Prej djegies së ndërtesave qeveritare në Bosnjë-Hercegovinë më 2014 deri te protestat antiregjim në Maqedoni tani, njerëzit kanë dalë në rrugët e Ballkanit. Por sa për gjithë retorikën «evropiane» të krerëve lokalë, ishin ata që zgjodhën të zbatonin politika provinciale, patriarkale dhe patrimoniale, sepse vetëm kështu e mbajnë veten në pushtet.

Njerëz si Bakir Izetbegoviqi i Bosnjë-Hercegovinës ose Hashim Thaçi i Kosovës, apo edhe Nikola Gruevski i Maqedonisë nuk janë aleatë të Brukselit ose Washingtonit në luftën kundër ekstremizmit islamik. Mbi të gjitha, janë ata fajtorët për rënien e nivelit të demokracisë në institucionet qeverisëse evropiane. Dhe janë po ata që përfitojnë më shumë në emër të poliitkës ndërkombëtare në rajon, duke shmangur kështu promovimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë në përpjekje që të theksojnë nevojat në luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë afatshkurtër.

Që të jemi të qartë, gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ka shënuar prapakthim, por jo për shkak të «Shtetit Islamik». Militantët islamikë (pak a shumë si Rusia) janë në rajon për të luajtur rolin e të llastuarve, dhe për të shkaktuar kokëçarje të kushtueshme për fuqitë perëndimore që për kohë të gjatë kanë bërë sehir karshi rënies së demokracisë në Evropën Juglindore.

Nëse Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përnjëmend luftën kundër kërcënimit të radikalizmit islamik në Ballkan, atëherë duhet seriozisht t’i përvishen përsëri punës së promovimit të demokracisë në rajon. Gjithçka tjetër është në fakt më shumë arnim se çrrënjosje e të keqës.

(Botuar në: «Freedom House». Autori ka doktoruar në shkencat politike në Universitetin e Yorkut. Është komentues i çështjeve të Evropës Juglindore dhe marrëdhnëieve ndërkombëtare.)