«Termokosi» mbetet pa Bord të drejtorëve

Një muaj para fillimit zyrtar të sezonit të ngrohjes, ngrohtorja e qytetit «Termokos» ka mbetur pa Bord të Drejtorëve.




Bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike kanë rolin kryesor në ekzekutimin e punëve.

Sezoni zyrtar ngrohës fillon më 15 tetor të çdo viti kalendarik dhe përfundon më 15 prill. Zhbërja e BD-së në «Termokos» ndodh si rezultat i shkarkimit të dy anëtarëve të tij nga Komisioni i Aksionarëve, të enjten e javës që shkoi, shkruan sot Koha Ditore.

Janë shkarkuar Adnan Preniqi, kryetar i Bordit, dhe Nagip Krasniqi, anëtar. Edhe shkarkimi i tyre, si nga të shkarkuarit, ashtu edhe nga autoritetet komunale, është cilësuar si jolegjitim. Kjo, sepse, sipas tyre, Komisioni i Aksionarëve nuk mund të marrë vendime pa qenë i plotësuar me 3 anëtarë.

Komisionet e aksionarëve, sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, përbëhen nga 3 anëtarë. Dy prej tyre zgjidhen nga KK-ja, kurse një nga kryetari i Komunës. Kryetari i Komunës së Prishtinës, pikërisht duke besuar se pa një anëtar komisionet nuk mund të marrin vendime, më herët i ka tërhequr anëtarët e komisioneve dhe ende nuk ka emëruar të rinj.

Më parë opozita me shumicë në KK, LDK e PDK, kanë shkarkuar komisionarët e VV-së dhe kanë emëruar të vetët. Koncepti i kryetarit, mbase e ka nxitur edhe kryetarin e BD-së në «Termokos», Adnan Preniqi, që ta cilësojë si jolegjitim e jofunksional Komisionin e përbërë nga LDK e PDK dhe të mos japë raport për situatën e përgjithshme në ndërmarrje.

Dy anëtarët e Komisionit, Ajnishahe Azemi (LDK) dhe Muhamet Selmani (PDK) e kanë shfrytëzuar interpretimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas të cilit vendimet e komisioneve mund të merren me shumicë të thjeshtë votash. Ata menjëherë kanë vepruar, duke shkarkuar dy anëtarët e pabindur: Preniqin e Krasniqin.

Dy ditë pas shkarkimit nga pozita, Adnan Preniqi ka thënë se shkarkimi i tij nuk është bërë për menaxhim të dobët të ndërmarrjes, por si pasojë e interesave të dikujt.

Vendimi i Komisionit të Aksionarëve vjen pra, pak ditë pasi MAPL-ja ka bërë të ditur se vendimet e aksionarëve janë të vlefshme me shumicën e thjeshtë të votave. Gazeta, me gjithë përpjekjet, nuk ka arritur të dielën të marrë prononcimin e autoriteteve komunale pas shkarkimit të dy anëtareve të BD-së në «Termokos». Mirëpo javën e shkuar ato i kanë cilësuar si të pazbatueshme dy vendimet e ministrive: Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

«Interpretimet e tilla nuk janë obliguese për zbatim», ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Muallafazliu-Bejta.

Ndryshe nga qëndrimet kundërthënëse dhe nga padurueshmëria e pozitës me opozitën, shoqëria civile fajëson si pozitën ashtu edhe opozitën për situatën e krijuar.