Tepër i dashuruar në Europë

Robert Menasse është shkrimtar i njohur austriak. Ai është një europian i madh. Mes shumë veprave ka shkruar edhe një roman për Bashkimin Europian. Por, në betejën e tij për Europën, Menasse nuk e ka cituar në mënyrë korrekte një politikan gjerman – dhe tani ballafaqohet me kritikë të ashpër.

Robert Menasse.



«Poshtë shteti nacional, rroftë Europa e bashkuar». Kjo është kredoja politike dhe letrare e Robert Menasses. Në romanin e tij «Kryeqyteti» («Die Hauptstadt») ai përshkruan jetën, gëzimet dhe dëshpërimet e zyrtarëve të Bashkimit Europian. Kur kishte shkuar në Bruksel për të hulumtuar për romanin e tij, Menasse ishte kritik i BE-së; kur u kthye nga Brukseli, ai tashmë ishte një entuziast i BE-së dhe kundërshtar i shtetit kombëtar. Sipas tij, europianët kanë një ardhmëri vetëm nëse veprojnë e punojnë së bashku, nëse themelojnë diçka si shteti nacional europian dhe heqin dorë nga diçka e vjetër dhe tejkaluar si shteti kombëtar. Te romani «Kryeqyteti» BE-ja është organizëm i gjallë, jo një kazan burokratësh. Në shumicën e recensioneve të gazetave gjermane romani është lavdëruar – herë me ton të lartë, herë me ton të rezervuar. Më 2017 Menasse fitoi çmimin gjerman për librin më të mirë të vitit: 25 mijë euro për romanin «Kryeqyteti».

Në këtë roman Robert Menasse, mes shumë penjve të rrëfimit, përmend edhe Walter Hallsteinin. Ky ka qenë një politikan i njohur gjerman, para shumë dekadave president i Komisionit të Bashkësisë Ekonomike Europiane, pra njëri nga paraardhësit e Jean-Claude Junckerit, kryetarit aktual të Komisionit Europian. Në romanin e tij Menasse thotë se fjalimin e tij të parë si president i Komisionit të Bashkësisë Ekonomike Europiane Hallstein e ka mbajtur në vitin 1958 në Auschwitz. Në një vepër letrare kjo mund të thuhet. Por, Menasse i nxori punë vetes kur filloi ta përmend fjalimin e Walter Hallsteinit edhe në fjalimet edhe esetë e tij. Gazetarët gjermanë shpejt e zbuluan se Hallstein nuk ka mbajtur kurrë fjalim në Auschwitz të Polonisë, në atë vend që qëndron si simbol i barbarisë naziste. Në vitin 1958 ka qenë pothuaj e papërfytyrueshme që një politikan gjerman të shkojë në Poloni dhe të mbajë një fjalim, qoftë ky fjalim edhe një apel nga Auschwitzi për një Europë të bashkuar.

Duke qenë tepër i dashuruar në Europën e tij ideale, idealisti Robert Menasse nuk ka cituar si duhet, madje ia ka veshur Walter Hallsteinit disa fjalë që ai nuk i ka thënë. Menasse ka shprehur keqardhje për gabimin e tij, por mileti që vegjeton në mediat sociale është i pamëshirshëm: Menasse tash është si një kaproll që vrapon nëpër mal dhe kundër të cilit çdokush mund të gjuajë me pushkë gjuetie. Menasse urrehet sidomos nga kundërshtarët e BE-së, sepse shkrimtari angazhohet për një Europë postnacionale. Në këtë betejë ai e ka cituar Walter Hallsteinin, i cili paskësh thënë: «Ideja europiane është zhbërja e kombit». Hallstein nuk e ka thënë kurrë këtë fjali.

Më 18 janar Menasse pritet të marrë Medaljen Carl Zuckmayer, një mirënjohje e rëndësishme letrare gjermane. Shtëpia e tij botuese Suhrkamp ka bërë të ditur se çështja me citatet e keqcituara nga Menasse konsiderohet e mbyllur. Në mbrojtje të Robert Menasses ka dalë tani edhe motra e tij – Eva Menasse. (Një fusnotë: Eva Menasse, shkrimtare e njohur, në vjeshtën e vitit 2000 ka qëndruar në Kosovë dhe ka shkruar në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dy tekste mbi zgjedhjet e atëhershme lokale, gjendjen në Kosovë dhe Bernhard Kouchnerin). Në një tekst që botohet në numrin e së mërkurës të «Süddeutsche Zeitung» Menasse shkruan se vëllai i tij Roberti është një ëndërrimtar me pasion, një rrëfyes brilant, por ai nuk është strateg kur bëhet fjalë për të mbrojtur veten.

Por, Eva Menasse nuk pajtohet me gjuhën e rëndë që po përdoret kundër vëllait të saj. Ajo thotë se dikur një shkrimtar që ka cituar gabimisht, do të shpotitej e përqeshej – sot turma e mediave sociale dhe jo vetëm ajo një autor që gabon dëshiron ta asgjësojë. «Te shembulli i vëllait tim mund të vërehet ajo që është e saktë edhe në shumë raste të tjera: një shoqëri digjitale-histerike – e frikësuar nga përbuzësit e saj dhe shkatërruesit e deklaruar – bie pre e një furie puritane të pastrimit. Nëse e duam një botë, e cila është e populluar vetëm nga të pagabueshmit dhe të heshturit, atëherë jemi bukur afër cakut». Eva Menasse ka shumë të drejtë!