Telefono mikun…!

Debatet televizive janë formatet më të ndjekura shqiptare. Sidomos ato politike. Për ta ruajtur këtë status, producentët janë në gjendje për shumëçka. Të ftuarit, si moderatorët, janë alamet autoritete me një arsenal të tërë aksesorësh: stilolapsa të shtrenjtë, orë ekskluzive, unaza, byzylykë, mançeta… Dhe: telefona celularë. Këta të fundit më tepër se simbol i prestigjit dhe shijes, janë një mjet pune. Pa një pa dy, panelistët i qasen atij. Gjithë kohën. Shkruajnë, lexojnë, citojnë; fshehurazi, hapur, për vete, për bashkëbiseduesin, për publikun.

Është e pamundur të mos të të bëjë përshtypje. Aq më tepër në një paraqitje publike, e cila është trajta më e dinjitetshme e trajtimit të një çështjeje. Ç’do të thoshit ju sikur një bashkëbisedues juaji, ku do që të jeni, gjithë kohën derisa ju flisni, shikon celularin, shkruan…? Mungesë respekti, apo jo!? Kultura e komunikimit nuk qëndron vetëm te të folurit, po kaq e rëndësishme është edhe dëgjimi i bashkëbiseduesit. A gjen gjurmë të kësaj kulture në debatet televizive shqiptare? Ku e gjen këtë kulturë, në televizionin e cilës shoqëri model?

Jam dëshmitar i një debati në ambientet e Universitetit të Bernës, kur moderatori u detyrua t’ia tërheqë vërejtjen një panelisti, personalitet relativisht i nderuar, sidomos në opinionin publik të Kosovës, për ta mbyllur telefonin. Së fundmi, edhe njëri ndër panelistët më të shpeshtë në këto debate televizive në Shqipëri ia pa sherrin përdorimit të celularit në një debat publik. Në mbarim të emisionit e morën oficerët e Prokurorisë, me gjithë celularët. Për shkak të transmetimit të një lajmi ekskluziv që ia dërguan ta komunikonte në emision.

Panelistët e debateve shqiptare nuk fyhen për faktin që nuk e gëzojnë vëmendjen e bashkëbiseduesve të tyre. Sepse, kjo është e ndërsjellë. Sepse ata janë aty vetëm për të folur. Prandaj, edhe kapin notat më të larta me ligjëratën e tyre. Një përpjekje heroike për ta përgënjeshtruar maksimën se ai që bërtet më shumë nuk ka edhe më shumë të drejtë. Dhe, në këtë shkëmbim flakë për flakë të duhen informata që nuk të vijnë në mendje në një situatë të tillë, apo në kurthe ku mund të të ndjellë një bashkëbisedues, a moderator.

Ata nëpërmjet celularëve marrin informata që u shërbejnë në debat, shpeshherë i porositin ato. Po kush janë këto që u qëndrojnë në telefon me statistika dhe dosje në duar këtyre panelistëve, si në kuizin popullor «Kush do bëhet milioner?» Si është e mundur që këta alamet njerëz, me Rolex e Montblanc, me poste dhe grada, nga presidenti e poshtë, duhet t’ua dërgojnë informacionet për sferën e tyre «miqtë e telefonit». Çfarë përfitimi ka opinioni nga një autoritet i një fushe, të cilit informacionet dhe përgjigjet duhet t’ia dërgojnë me telefon?

Këta miqtë e telefonit, siç del nganjëherë, nuk janë vetëm sekretare e sekretarë që u servilen atyre duke u shërbyer orar e pa orar. Ata nganjëherë janë të apostrofuar si viktima, nganjëherë madje edhe si autorë krimesh. Nganjëherë prapa këtyre paraqitjeve, siç del prej vetë akuzave ndaj njëri-tjetrit, qëndrojnë mentorët e panelistëve që e orientojnë debatin. Nganjëherë madje nuk durojnë as ministrat vetë, e kapin personalisht telefonin dhe lajmërohen në debat, mbajnë një ligjëratë politike dhe e mbyllin.

Tensioni që krijon ky debat mund të bëjë vërtetë kuota shikueshmërie. Por, dialektika e tij e stisur, sado spontane dhe e hapur të duket, zor se prodhon sinteza që shpijnë në një vlerë të shtuar për formimin e një opinioni të mirëfilltë. Sepse atij, me gjithë asistencën telefonike, madje ndoshta pikërisht për shkak të kësaj asistence, del që i mungon kompetenca, autoriteti, neutraliteti, profesionalizmi, serioziteti. Si tipologji mediatike, më parë se në formatet e informacionit, këto debate televizive me më shumë të drejtë mund të kualifikohen në gjininë e spektaklit.

Loja me telefonat mund ta cenojë më së shumti kushtin e racionalitetit për një diskurs të suksesshëm në kuptimin e Jürgen Habermasit, i cili do të shpinte në ngadhënjimin e argumentit më të fortë dhe sqarimin e opinionit. Ky koncept i debatit i refuzon strategjitë për manipulimin e temave dhe deformimin e debatit në një log. Ndërhyrjet me telefon te moderatori, a te panelistët, për të shtruar pyetje apo tema që do t’i donin këta aktorë në sfond është një taktikë për ta dezorientuar debatin.

Opinioni publik është i mallkuar që në rastin më të mirë mendimin e tij për çështjet e ndryshme ta formojë sipas një modeli të njohur edhe në Perëndim, por të vështirë: rrjedhjes dy-shkallëshe. Sipas kësaj teorie, mediet – për faj të tyre apo të audiencës – mesazhet e tyre te recipienti nuk i përçojnë drejtpërdrejt, por nëpërmjet të ashtuquajturve «liderë të opinionit», të cilët i ka çdo rreth i ngushtë shoqëror. Këta shquhen për informim më të mirë dhe aftësi për t’i kapur e për t’i interpretuar gjërat.

Që ta marrësh vesh si qëndron puna… – telefono mikun…!