Telefonatat e përgjuara po përdoren si dëshmi kundër aktivistëve të Vetëvendosjes

Në seancën e parë gjyqësore kundër katër aktivistëve të VV-së të akuzuar «për terrorizëm» janë shkëmbyer fjalë të rënda mes avokatëve dhe prokurorit.

Pamje nga seanca e parë gjyqësore kundër aktivistëve të Vetëvendosjes. Foto: VV



Ishin të vetmit që nuk nderuan kryetarin e trupit gjykues: ata nuk u ngritën fare në këmbë. Të ulur në bankën e të pandehurve, katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje – të akuzuar për terrorizëm lidhur me sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit me zollë më 4 gusht 2016 – prisnin të fillojë shqyrtimi fillestar gjyqësor ndaj tyre.

Të katërtit kishin veshur fanella në të cilat ishte paraqitur fytyra e Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes që u arrestua bashkë me ta, por vdiq në paraburgim në nëntor; babai i Deharit, Avniu, ishte i pranishëm në gjykatë duke ndjekur procedurën nga afër e përkrah familjarëve të të akuzuarve.

Por seanca e mëngjesit e së mërkurës, që ishte thirrur për të dëgjuar akuzat ndaj Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Adea Batushës dhe Egzon Halitit, përfundoi brenda orës me plot tensione dhe akuza të avokatëve mbrojtës kundër prokurorit të rastit, Abdurrahim Islami. Mbrojtësit e aktivistëve kërkuan që ai të përjashtohet nga lënda. Kjo ishte kërkesa e vetme që u shqyrtua të mërkurën gjatë seancës.

Mbrojtës i Atdhe Arifit, avokati Ramiz Krasniqi, foli më së shumti, duke prezantuar para gjykatës një kërkesë të shkruar për përjashtimin e prokurorit special Abdurrahim Islami, të cilin ai e akuzoi për ngritje të akuzave të anshme dhe politike. «Ka raste gjyqësore që dalin në gjyq, por nuk janë lëndë gjyqësore», tha Ramiz Krasniqi. «Ato janë afera politike, mirëpo pikërisht me presionin e politikës, në vend se të zgjidhen në sallën e parlamentit apo qeverisë ato sillen në gjyq dhe si të tilla vetvetiu përmbajnë afera politike siç është ky rast». Krasniqi dhe avokatë të tjerë u ndërprenë disa herë nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, i cili kërkonte argumente juridike e jo fjalime «politike».

«Për pare në ditë sotit njeriu është në gjendje të bëjë gjithçka», reagoi prokurori special Islami, duke aluduar në avokatët të cilët ai i akuzonte për ngritje të akuzave politike e të pabaza ndaj tij, meqë janë paguar nga të pandehurit për ta bërë këtë.

Gjykatësi Kalludra bëri të ditur se avokatët mbrojtës nuk patën argumente juridike për të mbështetur kërkesën për përjashtimin e prokurorit, por tha se do ta njoftojë për këtë çështje kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, i cili është personi me autoritet ligjor për të vendosur nëse një prokuror duhet të largohet nga rasti.

Katër aktivistët e partisë kryesore opozitare, të cilët do të qëndrojnë në arrest shtëpiak të paktën deri në fund të shkurtit, konfirmuan në seancë se do ta përdorin të drejtën e tyre për t’u mbrojtur duke u deklaruar gjatë seancave të gjykimit. Ndonëse akuzat nuk u lexuan dje në gjykatë siç u prit, K2.0 mori një kopje të aktakuzës 13-faqëshe, në të cilën këta katër persona akuzohen për terrorizëm; shkelje kjo që mund të dënohet me deri në 30 vjet burg. «Duke vepruar si grup dhe me role të ndara prej mesit të korrikut të vitit 2016», aktivistët akuzohen për përgatitje dhe planifikim të «veprimeve paraprake» në lidhje me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës me 4 gusht të vitit të kaluar.

Në aktakuzë thuhet: «Të pandehurit kanë kryer shkeljen penale të kryerjes së një vepre të terrorizmit nën Nenin 136, paragrafin 1 [që thotë se kushdo që shpallet fajtor për terrorizëm do të dënohet me minimum 5 vjet burg], si dhe Nenin 135, paragrafi 1.7 [shkaktim të rrezikut të përgjithshëm] dhe Nenin 31 [bashkëkryerje] të Kodit Penal». Këtë vepër, sipas prokurorit Islami, të akuzuarit e kanë kryer në bashkëkryerje me qëllim të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, frikësimit të qytetarëve dhe me qëllim që të detyrojnë Kuvendin të mos ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Kundër kësaj marrëveshjeje VV kishte mbajtur edhe protesta.

Aktakuza, që nuk përfshinë informata që tregojnë se cili nga të akuzuarit e ka kryer sulmin me zollë ndaj ndërtesës së Kuvendit, liston në mesin e provave deklaratat e nëntë dëshmitarëve, si dhe transkriptet e përgjimeve. Veçanërisht aktakuza përmend «regjistrimim e thirrjeve telefonike, përmbajtjen e SMS-ve, transkriptet ligjore si dhe urdhërin e lëshuar nga Gjykata më 29.02.2016». Data e këtij urdhëri të gjykatës për masa të fshehta tregon se ka pasur masa gjashtë muaj para se të ndodh sulmi në Kuvend. Megjithatë, kur K2.0 kërkoi nga prokurori special që të konfirmohet kjo, ai tha se mund të jetë «gabim teknik» në datë. Sipas tij nuk janë marrë masa të feshehta të përgjimit kundër të akuzuarve para sulmit.

Një prej bisedave të veçuara nga informatat e përgjimeve që u përfshinë në aktakuzë është realizuar në mes të Frashër Krasniqit dhe një personi ende të paidentifikuar. Në këtë bisedë, e realizuar më 25 gusht 2016, personi i paidentifikuar e pyet Krasniqin se a është «në liri» dhe e akuzon atë për hedhje të granatës te transmetuesi publik i Kosovës (RTK), një sulm tjetër që ndodhi me 23 gusht 2016. «Mos gjuni asi sene, mos boni trazira palidhje», tha ai, e Krasniqi iu përgjigj: «Hej, hej, këto janë akuza të rënda… në RTK na gjujna veç fjalë, e asi…», dhe këtu përfundon regjistrimi i bisedës që po përdoret si dëshmi.

Sipas prokurorit special, biseda është një prej 2’092 bisedave telefonike në të cilat përfshihet Frashër Krasniqi, prej fillimit të përgjimeve pas sulmit ndaj Kuvendit dhe ngritjes së aktakuzës kundër tij dhe të tjerëve me 28 dhjetor; të gjitha këto biseda telefonike, sipas aktakuzës, u realizuan nga Krasniqi me synim të krijimit të alibive për të dhe të tjerët.
Pika fillestare e hetimeve ishte një motoçikletë gjysmë e djegur që u gjet në lagjen «Tauk Bahçe» në Prishtinë në natën e sulmit në Kuvend; motoçikleta ishte përdorur për ta lansuar zollën kundër ndërtesës së Kuvendit dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Policia më pas e gjeti shitësin e motoçikletës. Ai shitjen e kishte bërë në webfaqen «merr-jep.com». Ndërsa i njëjti dha përshkrime për tre djem që e kishin prezantuar veten si studentë kur blenë motoçikletën prej tij. Sipas aktakuzës, tre personat e përshkruar ishin Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe i ndjeri Astrit Dehari.

Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha u ndërlidhën në hetime pas një letre elektronike që iu dërgua mediave një ditë pas sulmit, në të cilën përgjegjësinë për sulmin e morën «banorët e Rugovës»; kjo letër elektronike u dërgua nga adresa e postës elektronike «rugovasit12@gmail.com». Atë ditë, Policia e Kosovës kërkoi IP-adresën që u përdor nga «rugovasit» për ta dërguar letrën elektronike; kjo informatë e çoi policinë deri te një telefon celular që ishte shitur së fundmi nga një shitës ambulant i telefonave mobil në Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se duke studiuar regjistrimet e kamerave të sigurisë, policia zbuloi se Batusha kishte blerë telefonin në fjalë. Sipas deklaratës së shitësit të telefonave, vajza e re që bleu telefonin ishte e interesuar për një telefon Android dhe nëse prej atij telefoni «mund të dërgohen e-mail, respektivisht a i punon wi-fi». Sipas prokurorit special, të dhënat elektronike që u përdorën për ta gjetur lokacionin prej të cilit u dërgua letra elektronike nga «banorët e Rugovës» çuan deri te adresa e Frashër Krasniqit. Si pjesë e dëshmive të prokurorisë speciale përfshihet edhe një deklaratë nga një vozitës i taksit, i cili pretendon se e kishte vozitur Batushën deri në atë adresë në ditën kur u dërgua letra elektronike.

Dëshmi tjetër që u listua si provë në aktakuzë ishte edhe raporti forenzikës i përpiluar pas inspektimit të vendit të ngjarjes, me datën 5 gusht 2016. Ky raport i forenzikës së fundi u publikua nga sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, i cili pretendon se nuk ka dëshmi që i lidhin aktivistët e akuzuar me sulmin.

Mbetet të shihet nëse kryeprokurori i Prokurorisë Speciale do të pranojë kërkesën për të larguar prokurorin Abdurrahim Islami nga rasti. Sapo të merrët vendimi, gjykata do ta vendosë një datë për seancën e radhës, gjatë së cilës aktivistët e akuzuar pritet të deklarojnë se a janë të fajshëm apo të pafajshëm.

(Botuar fillimisht nga: http://kosovotwopointzero.com/surveillance-included-evidence-vetvendosje-activists/)